Tmerri i Shabanit mes kufomash dhe plumbash mbi kokë

Reçaku ende ruan gjurmët e krimit të bërë para 17 vitesh, të cilat ka rrezik të zhbëhen, nëse edhe më tutje nuk do të merret kush me to. Dhembja i kaplon thellë, shumë thellë çdo përvjetor e festë banorët e Reçakut, të cilët e ruajnë në kujtime tash e 17 vjet masakrën që tmerroi ata dhe tronditi botën.
Ditët e ftohta të janarit bëhen edhe më të akullta në zemrat e atyre që humbën më të dashurit nga plumbat e armët e ushtrisë serbe. Ikën të pafajshëm gra pleq e fëmijë, të cilët nuk kishin me çka të mbroheshin, por fati deshi që të tjerë të jetojnë gjithë jetën me tmerrin që panë me sy nën kufomat e mbledhura nën një lëndinë.

Ramë Shabani, njëri nga të mbijetuarit e masakrës së Reçakut, shpreh habi edhe vetë se si arriti të shpëtojë i gjallë mes breshërisë së plumbave nga forcat serbe, shkruan Kosova Sot.

“Ishte e vërtetë thënia se mrekullitë ekzistojnë, kështu ndodhi edhe me mua. Na nxorën nga bodrumi i Sadik Osmanit, ku ishim të strehuar, u nisëm varg për të shkuar tek ajo kodra ku ndodhi masakra, për një moment e ndeza një cigare se nuk dija çka ta bëj më dhe më fluturuan plumba mbi kokë e nuk dija nga t’ia mbaja. E kisha rrezik edhe në mbrëmje kur mbeta vetë mes kufomash dhe kam përjetuar momente vërtet të rënda”, thotë Ramë Shabani, banor i Reçakut, i cili ende e mban në mend në detaje ngjarjen e para 17 vjetëve.

I mundon mosdënimi i kriminelëve

Edhe të mbijetuar të tjerë në Reçak thonë se këtu ndodhi një krim, madje me përmasa aq të mëdha sa ndryshoi historinë më të re të Kosovës. Por, kjo histori nuk shkruhet edhe me bërjen e drejtësisë për zbardhjen e këtij krimi.

Familje të tëra që i kishin mësyrë mëngjesin e së premtes memorinalin përkujtimor të fshatit Reçak e pohojnë me zemër se do ta kishin më të lehtë dhimbjen sikur të ishte interesuar dikush brenda këtyre viteve për zbardhjen e këtij krimi.

Agron Mehmeti banor i Reçakut, i cili dha dëshminë e tij edhe në Tribunalin e Hagës thotë se ka dhembje, krenari por edhe zhgënjim në familjet e Reçakut.

“Jemi të pikëlluar sa herë që kujtojmë ata, mënyrën e vdekjes dhe ngjarjet më pas, por dhembjen e kemi ndoshta të dyfishtë kur po e shohim që nuk po lëviz asgjë për të ndriçuar edhe masakrën e Reçakut”, thotë ky banor i fshatit që bëri historinë në vitin 1999.

Artikulli paraprakMafiozët e korruptuar në panik nga Specialja
Artikulli vijuesVIDEO – Atentati ndaj Papës