Ish-kryeministri i Shqipërisë gjatë Luftës së Kosovës, Pandeli Majko, ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit serb Nikoliç që paralajmëroi për luftë.
Përmes një postimi në Facebook, Majko thekson se shqiptarët kanë një të metë kombëtare, që janë më të aftë në luftë se sa në paqe.
“Serbia nëpërmjet deklarimeve të presidentit të saj ka deklaruar se “do të dërgojë ushtrinë” në Kosovë. Një deklarim i tillë ka kohë që nuk dëgjohet nga politika serbe. Kjo mënyrë sjellje pati pasojë gjakosjen e rajonit dhe dërgoi në Gjykatën e Hagës lidershipin e Beogradit. Të thuash dhe të bësh, janë dy gjëra të ndryshme në politikë. Historia ja ka dhënë serbëve dhe shqiptarëve mësimet e saj. Dialogu është opsion i zgjidhjeve europiane dhe ka raport me të vërtetën e paqes që duan kombet në rajon. Kjo e vërtetë fton gjakftohtësinë të kuptojë. Politikan nuk të bën lufta. E kundërta është e vërtetë. Trim nuk të bëjnë deklaratat e luftës. Kjo është po aq e vërtetë sa fakti se një tren nuk bëhet kishë me piktura fetare.
Të kuptuarit e luftës është akt dhe jo deklaratë. Kjo do pak mencuri në të kuptuar, e cila kombit serb, si rregull, nuk i ka munguar. Për më tepër, shqiptarët kanë një të metë kombëtare. Ata janë më të aftë në luftë se sa në paqe. Sigurisht”, shkruan Majko.