Malazezët “harrojnë” përcaktimin e kufirit me Kosovën

Autoritetet shtetërore të Malit të Zi nuk ua kanë konfirmuar ende zyrtarëve kosovarë se kur do të mbahet takimi ndërmjet tyre që ishte planifikuar për 25 korrik.

Deri tash, autoritetet e Podgoricës nuk kanë dhënë shpjegime se cilat janë arsyet e kësaj shtyrjeje.
Drejtuesi i Komisionit kosovar për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Ali Lajqi, ka thënë për Telegrafin se nuk i kanë të qarta arsyet e mosardhjes në takim të zyrtarëve malazias. “Ata nuk erdhën në takim, por as nuk na lajmëruan zyrtarisht për arsyet. Ka mundësi që kjo të jetë për shkak të pushimeve verore”, ka theksuar Lajqi.

Dhe pikërisht, tash kur është sezona verore e pushimeve dhe shumë kosovarë ia mësyjnë bregdetit të Ulqinit, autoritet shtetërore të Kosovës janë duke u kujdesur që të sheshojnë paqartësitë e përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Kjo vlerësohet e rëndësishme sepse në disa raste ka shkaktuar tensione për shkak se banorët e zonës kufitare në anën e Kosovës kanë pretenduar se kanë probleme për të punuar disa toka të tyre, për të cilat ka pretendime pala malazeze.

Më herët, anëtarë të Komisioni shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të Kosovës janë angazhuar për shënjimin e vijës kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Për rritjen e transparencës, Komisioni shtetëror i kufijve ka kërkuar vëzhgues nga qytetarët e zonës kufitare, të cilëve mund të marrin pjesë në takime.

Në kuadër të Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror përfshihen drejtues të komunave Pejë, Istog e Deçan.kohaislame

Artikulli paraprakPër gjashtë muaj 478 raste të dhunës në familje
Artikulli vijuesFurnizimi me ujë rëndohet nga viti në vit