Qeveria bëri “atentat” mbi Kuvendin

Opozita ka deklaruar të premten se Kuvendi i Kosovës ka degraduar dhe për këtë fajin e ka Qeveria. Këto qëndrime partitë opozitare i kanë thënë në seancën e sotme, ku nuk u arrit të hidhet në votim mocioni lidhur me interpelancën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pasi që në seancë nuk ishin deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, me përjashtim të deputetit Fatmir Limaj.
Gjatë seancës së djeshme, udhëheqësi i seancës i ndërpreu punimet, pasi që nuk kishte kuorum, ngase deputetët e PDK-së nuk qëndruan në seancë, duke e lënë që seanca të vazhdoj sot në ora 10:00. Por, as sot deputetët e PDK-së nuk erdhën në seancë dhe i vetmi deputet i PDK-së ishte Fatmir Limaj, raporton KosovaPress.

Kjo ka bërë që opozita mos të kursej akuzat në drejtim të deputetëve të PDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo është e papranueshme që deputetët e koalicionit të bojkotojnë seancën për një çështje kaq të rëndësishme.

“Unë e kuptoj të drejtën e deputetëve që të mos marrin pjesë, por të sabotohet puna e Kuvendit për çështje kaq të rëndësishme, këtë e bën vetëm një garniturë e deputetëve që Zoti e di se si kanë ardhur në Kuvend me vota të popullit dhe po shihet kjo papërgjegjësi”, ka theksuar Beqiri.

Për më tepër, ai ka thënë se në të ardhmen LDK-ja nuk do t’ua bëjë kuorumin edhe nëse janë vetëm 20 apo 30 për qind të koalicionit qeverisës.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se këta deputetë po shihet që kanë interesa të thella për të mos marr pjesë sot në seancë.

“Kjo që po vazhdon sot e që nisi dje është një tregues i qartë, jo vetëm për përgjegjësinë që këta deputetë e mbajnë karshi qytetarëve, por është tregues i qartë i një interesi të thellë në këtë çështje që e ka ngritur interpelanca e djeshme. Ky grup parlamentar ose rrezikon që të përçahet, ose e kanë një interes të thellë të qeverisë ose të vetin që nuk po duan ta votojnë as për, por as kundër, për shkak se kjo do të ishte një fiasko financiare për ta”, ka thënë Ymeri.

Madje, ai ka thënë se nuk ka ndonjë rast në botë dhe është në kundërshtim me logjikën parlamentare që koalicioni qeverisës të bojkotojë seancën.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se ka tendencë që këtij kuvendi t’i ulet vlera para qytetarëve të Kosovës dhe definitivisht kjo shkon në kundërshtim me atë që do duhej të bëhej në sistemin demokratik.

“Kush po frikësohet prej votimit në Kuvend, pse njerëzit e PDK-së e lëshojnë sallën e Kuvendit për të mos mundësuar votimin e Kuvendit. Ajo që është e dhimbshme për qytetarët është se koalicioni qeverisës e prish kuorumin dhe këto raste ndodhin tepër rrallë. Ajo që dua të them është se shumë mirë po doket Kuvendi pa PDK-në, por votat e qytetarëve definitivisht vërtet nuk do t’i lënë më të vijnë në Kuvend”, ka theksuar Ramadani.

I vetmi deputet i PDK-së, Fatmir Limaj, ka thënë se këto fjalë që po i thotë opozita duhet t’ia thotë pozitës kur është në seancë.

“Ky është një shembull t’ju them juve, që mos të ndiheni mirë ju deputetët e opozitës. Jo sot, por që një vit e gjysmë Kuvendi është në këtë gjendje, është turp që një vit e gjysmë. Kjo është gjëja më e vogël që ka ndodhur që një vit e gjysmë. Ju sot po flitni për një mocion që ka dalë nga një deputet i pozitës, nga Emin Gërbeshi. Ku jeni ju që nuk e ngritni, por pozita e ngrit vetë”, ka thënë Limaj.

Edhe pse nuk ishte debat parlamentar, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi iu dha fjalën deputetëve. Me këtë rast deputeti, Sabri Hamiti ka thënë se kjo që po shihet në këtë sallë, kjo që ka ndodhur me tërheqjen e shumicës nga kuvendi është një gjë e paprecedent në historinë e parlamentarizmit dhe nuk ka ndodhur që një mazhorancë të tërhiqet nga Kuvendi.

“Këtu unë i shoh dy shenja të rrezikshme për këtë vend, është njëra që është tendencë qeveritare për atentat ndaj parlamentit dhe këtë meqë qeveria nuk mund ta bëjë përmes opozitës, e bën përmes shumicës në parlament, që i bie që kjo shumicë bën tani vetëvrasje parlamentare. Të dyja variantet janë shumë të këqija për një shtet parlamentar”, ka theksuar Hamiti.

Ndërkaq, deputeti nga Koalicioni për Kosovë të Re (AKR), Muhamet Mustafa, ka thënë se kjo është nën nivelin e çfarëdo lufte parlamentare. “Unë apeloj te PDK-ja dhe të gjithë ne që të kthjellemi, të shohim rolin tonë, ta mbrojmë autoritetin e Kuvendit dhe të bëjmë gjithçka”, ka thënë Mustafa.

Seanca e radhës do të mbahet më 20 gusht, pas kthimit të deputetëve nga pushimi, me të cilën seancë fillon edhe sesioni vjeshtor i punës së Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakPrej nesër në “Koha” Letra lamtumirëse e Surroit ambasadorit Dell
Artikulli vijuesVV: Bojkoti i Thaçit për monopolin e Titan Grupit