Mali i Zi importon produkte pesë herë më shumë se sa eksporton, vetëm me Kosovën bilanc pozitiv

Tregtia e jashtme e Malit të Zi për periudhën janar-dhjetor 2014, sipas të dhënave paraprake të Agjencisë për Statistika (MONSTAT), ka qenë 2 miliardë e 121,7 milion euro. Në krahasim me vitin 2013, këmbimi i jashtëm tregtar është zvogëluar për 1,3 përqind, shkruan Anadolu Agency (AA).
 
Mali i Zi vitin e kaluar ka eksportuar mallra në vlerë 388 milion euro, që është 10 përqind më pak në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2013. Në anën tjetër ka importuar mallra në vlerë prej 783,7 milion euro, që është 0,6 përqind më shumë në krahasim me vitin 2013. Këto të dhëna tregojnë se Mali i Zi importon produkte pesë herë më shumë se sa eksporton.
 
Importi i produkteve ushqimore më i madh nga eksporti total
 
Kur është fjala për eksportin, Mali i Zi në tregun ndërkombëtar më së shumti eksporton produkte të klasifikuara kryesisht sipas materialit. Janë eksportuar metalet me ngjyra, hekuri dhe çeliku si dhe produkte të përbëra nga druri në vlerë prej 82,8 milion euro.
 
Sa i përket importit, Mali i Zi prej vitesh më së shumti të ardhurat ndan për importin e ushqimit. Kështu vitin e kaluar ky vend ka importuar produkte ushqimore në vlerë prej 397,7 milion euro.
 
Këmbimi më i lartë tregtar me Serbinë
 
Gjatë vitit 2014 Mali i Zi shumicën e raportit tregtar e ka fokusuar me Serbinë. Kështu në Serbi ka eksportuar mallra në vlerë prej 80 milion euro. 40 milion nga 80 sa eksporton, hyjnë në kategorinë e karburanteve fosile dhe lubrifikantëve, kryesisht qymyr dhe energji elektrike. 
 
Kur është fjala për import nga Serbia, shumica e të ardhurave janë ndarë për produkte ushqimore, gjithsej 147 milion euro. Gjatë vitit 2014 Mali i Zi nga Serbia ka importuar mallra në vlerë prej 480 milion euro, në këtë mënyrë Serbia mbetet partneri më i madh tregtar i Malit të Zi.
 
Përveç Serbisë, Mali i Zi ka eksportuar më së shumti në Greqi, gjithsej 144,5 milion euro mallra dhe produkte, ndërkohë që vlera e mallrave të importuara nga Kina është 132,7 milion euro
 
Vetëm me Kosovën bilanc pozitiv 
 
Këmbimi tregtar me Bosnjën dhe Hercegovinën gjatë vitit 2014 ishte 158 milion euro. Mali i Zi në këtë vend ka eksportuar mallra në vlerë prej 31,8 milion euro. Nga ana tjetër nga BeH janë importuar mallra në vlerë prej 126 milion euro. Për importin e produkteve ushqimore nga BeH, Mali i Zi ka ndarë 26 milion euro. 
 
Kur është fjala për këmbimin tregtar me Kroacinë, Mali i Zi nga ky vend ka importuar mallra në vlerë prej 107 milion euro, ndërkohë që eksporti ishte tre herë më i vogël, 33 milion euro. 
 
Në Maqedoni Mali i Zi ka eksportuar mallra në vlerë prej 3,3 milion euro, ndërsa ka importuar produkte në vlerë 26 milion euro. Vetëm për produkte ushqimore të importuara nga Maqedonia Mali i Zi ka ndarë 11,8 milion euro. 
 
Në anën tjetër, Kosova është i vetmi vend i rajonit ku Mali i Zi realizon bilanc pozitiv tregtar. Në Kosovë janë eksportuar mallra në vlerë prej 21,3 milion euro. Më së shumti ka eksportuar produkte ushqimore, si dhe materiale të papërpunuara si dru. Në anën tjetër, Kosova ka eksportuar tre herë më pak mallra në Mal të Zi, gjithsej 3,3 milion euro. 
 
Këmbimi i jashtëm tregtar i Malit të Zi në vitin 2014 ishte më i madhi me nënshkruesit e marrëveshjes CEFTA dhe Bashkimin Evropian./AA
Artikulli paraprak40 francezëve do t’iu konfiskohen pasaportat pas dyshimeve për planifikim për të vajtur në Siri dhe Irak
Artikulli vijuesIsh-Presidenti i Kosovës, Sejdiu: Turqia është vend mik i rëndësishëm i Kosovës