Maqedoni, policia shqetëson nxënësit në klasë

Një foto skandaloze ku duket prania e një polici të uniformuar në klasën me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë të Strugës është dërguar ekskluzivisht nga prindërit e nxënësve.

Prindërit përmes një reagimi kanë dërguar edhe foton ku shihet se si inspektori i Arsimit, Mitre Shuminoski i shoqëruar nga policë të uniformuar i bën presione fëmijëve dhe prindërve të tyre që të lëshojnë klasën dhe se mësimi i tyre në shqip në këtë shkollë është jolegjitim.

Prindërit thanë se inspektori republikan i arsimit i shoqëruar nga policia hyn në klasë dhe legjitimon prindërit, duke kërkuar që ata ta braktisin objektin e shkollës “Goce Dellçev”.

“Policia e shtyrë nga ndokush, po bën presion, duke na frikësuar e kërcënuar në këtë formë, që net ë hjekim dorë nga mësimi në gjuhën shqipe, duke na ftuar për bisedë në komunë. Ne në komunë nuk kemi çfarë të bisedojmë, sepse tashmë po bëhet viti i katërt që manipulohemi për fëmijtë tanë. Nuk kemi asnjë arsye ti përgjigjemi ftesës për bisedime të tilla, aq më tepër kur ajo vjen nga policia, e shtyrë nga ndokush”, theksoi për INA një nga prindërit e nxënësve.

Familjet e nxënësve apelojnë që të largohen policë para fëmijëve të tyre në ambientet shkollore, sepse kjo sipas tij përbën një shkelje të të drejtave të fëmijëve.

Prindërit dhe nxënësit nga dita e hënë kanë vijuar procesin mësimor në ndrrime të treta në ambientin e sallës së arsimtarëve, për shkak se në klasët ku ata po ndiqnin mësimin ishin çkyçur energjia elektrike dhe ngrohja. (M.Latifi/INA)/kohaislame

Artikulli paraprakIpko me ofertë të re me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë
Artikulli vijuesOpozita ka goditur pallatin shtetëror dhe agjentutor në Damask