Përveçse mungesës së truallit të lirë për varre, shqiptarët përballen me një problem tjetër, kujdesin e munguar për ato ekzistuese. Kështu, vizita për në varrin e të afërmit shndërrohet në një kërkim për të gjetur pllakën e varrit, të humbur mes barit dhe barishteve të ndryshme të egra që arrijnë deri në një bojë njeriu. Pamjet bëhen edhe më skandaloze kur sheh se dallimi mes varreve të krishtera dhe atyre myslimane është drastik
“Të mbiftë bari” është shprehja që më shumë sesa figurative në varrezat e Butelit është një realitet. Përveç mungesës së truallit të lirë për varre, shqiptarët përballen me një problem tjetër, kujdesin e munguar për ato ekzistuese. Kështu, vizita për në varrin e të afërmit shndërrohet në një kërkim për të gjetur pllakën e varrit, të humbur mes barit dhe barishteve të ndryshme të egra që arrijnë deri në një bojë njeriu. Pamjet bëhen edhe më skandaloze kur sheh se dallimi mes varreve të krishtera dhe atyre myslimane është drastik. Mirëmbajtja në “pjesën tjetër” as që mund të krahasohet, jo vetëm për shkak të barit të kositur, por edhe të pemëve që bëjnë hije dhe rrugicave kryesisht të shtruara që ndajnë parcelat, apo edhe distancat që ndajnë varret nga njëri-tjetri. “Zakonisht kjo pjesë kështu ka qenë, s’e mbaj mend që të ketë qenë e mirëmbajtur si duhet dhe dallimi ka qenë prezent. Prandaj, sa herë që vij tek varri i prindërve, marr me vete mjete që të pastroj barin, të laj pllakën”, thotë Nusret Aliu. Ndjenja e pikëllimit për takimin me të dashurit për një pjesë kthehet në makth. Sidomos në periudhën e pranverës, kur bimësia është më e dendur dhe rreziku nga zvarranikët të shoqëron në çdo hap që duhet ta hedhësh me kujdes. “Nuk ke se ku ta vësh këmbën. Ja, siç mund të shihet – bari është rritur e mezi kalon. Në disa vende është më i dendur dhe nuk e sheh se çfarë shkel, ndonjë hithër, gjarpër, apo ndonjë gjë tjetër. Kjo situatë bëhet edhe më dëshpëruese kur sheh se në këtë gjendje është pjesa e myslimanëve, të tjerët janë si mos më mirë. Kur vij në varreza s’di se çfarë të mbaj më parë – lule, apo një çantë me mjete për të pastruar”, thotë një tjetër qytetar, Bekim Haliti.
Nga shoqëria aksionare që merret me menaxhimin e varrezave “Butel” nuk kanë asnjë koment. Ato thonë se komunikimi me shtypin bëhet përmes agjencisë se marrëdhënieve me publikun “Apriori”, ndërsa kjo e fundit për momentin nuk dispononte me informacion lidhur me këtë çështje. Por të pakënaqur me ndërmarrjen “Buteli” janë edhe nga Qyteti i Shkupit, i cili çdo vit ndan nga buxheti të holla për mirëmbajtje. Ndërsa disa ditë më parë, në bashkëpunim edhe me ndërmarrjen e “Rrugëve dhe rrugicave” asfaltuan rrugica në varrezat e Butelit dhe Kamnikut në një sipërfaqe prej tre mijë hektarësh, në një vlerë prej 3 milionë e gjysmë denarë. “Qyteti i Shkupit çdo vit përpilon programin vjetor për të financuar mirëmbajtjen e varrezave, kryesisht çdo gjë që ka lidhje me higjienën komunale dhe mirëmbajtjen e objekteve infrastrukturore. Mirëpo në përgjithësi nuk jemi të kënaqur. Por edhe tek pjesa ku gjenden varret shqiptare ka më shumë probleme, mirëmbajtja nuk është në nivelin e duhur, mund të thuhet se në këtë aspekt ka dështime. Bile për këtë arsye kemi kërkuar që mirëmbajtja të bëhet nga ndonjë ndërmarrje tjetër – higjiena komunale, apo të tjerë”, thotë Qemal Musliu, këshilltar në Qytetin e Shkupit.