Rrëzohet një avion pasagjerësh i kompanisë “FlyDubai” në Rusi, mbi 60 të vdekur

Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në orët e parë të ditës së shtunë në Rusi. Një avion me të paktën 61 persona në bord është rrëzuar në aeroportin e qytetin jugor Rostov-on-Don.

Avioni, një Boeing 738-800, i kompanisë “FlyDubai” ishte nisur nga Dubai, ndërsa si destinacion kishte pikërisht Rostovin. Mediat ruse shkruajnë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:50 me orën lokale, ndërsa avioni është aksidentuar në tentativë për t’u ulur në aeroport.

Raporte ende të pakonfirmuara thonë se 55 pasagjerët dhe 6 anëtarë të ekuipazhit kanë mbetur të vdekur, por ende nuk kemi pasur një deklaratë zyrtare.

Shkaqet e rrëzimit janë ende të paqarta, por era e fortë dhe ndriçimi jo i duhur i pistët mendohen si faktorë që kanë ndikuar në aksident.

Mediat ruse shkruajnë se rreth 100 anëtarë të grupeve të shpëtimit janë në vendin e rrëzimit të avionit, ku kanë arritur të shuajnë zjarrin.

Kompania “FlyDubai” është krijuar në vitin 2009 me qendër në Dubai, ndërsa fluturon në më shumë se 90 destinacione, transmeton Top Channel.

Artikulli paraprakAksidenti tragjik: Makina ndahet më dysh, dy shqiptarë humbin jetën në Itali
Artikulli vijuesRefugjatët, Avramopulos: Shqiptarë, kujtoni vitet ‘90