Zaev u bëri thirrje partive politike që mbështetën partinë e tij për të formuar qeverinë e re të mbështesin këtë program, të marrin pjesë në qeveri dhe të angazhohen në zbatimin e këtij programi
Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp në selinë e partisë prezantoi programin që e ka cilësuar si “të qeverisë së re të Maqedonisë”, program i cili sipas tij, është thelbi për nevojat e qytetarëve dhe do të kontribuojë që Maqedonia të ecë përpara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zaev theksoi se Maqedonisë i nevojitet një qeveri reformuese e dedikuar në ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial, anëtarësimit evropian të vendit, ndarjes reale të pushtetit dhe institucioneve profesionale. Ai u zotua se do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësisë etnike apo fetare.
“Shumica parlamentare fuqishëm është e angazhuar në përforcimin e unitetit, sovranitetit dhe stabilitetit të Maqedonisë, si dhe deklaron vullnetin e saj politik për krijimin e një qeverie reformuese që do të përqendrohet në prioritet e përbashkëta strategjike të Maqedonisë dhe do të sigurojë tejkalimin e shpejtë të krizës politike duke siguruar ndarje reale të pushteteve, funksionimit të sundimit të ligjit dhe ndërtimin e institucioneve të forta dhe demokratike”, tha Zaev.
Zaev u bëri thirrje partive politike që mbështetën partinë e tij për të formuar qeverinë e re të mbështesin këtë program, të marrin pjesë në qeveri dhe të angazhohen në zbatimin e këtij programi. Ai poshtu i bëri thirrje edhe presidentit Gjorgje Ivanov që t’i jap mandatin për formimin e qeverisë së re, pasi që sipas tij, programi i partisë së tij nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, por në të kundërtën është e fokusuar në ruajtjen e sovranitetit dhe karakterit unitar të vendit.
“Sot prezantojmë programin e qeverisë së re këtu, sepse nuk është mundësuar të prezantohet në Kuvend. Ne do të përpiqemi për t’i larguar dyshimet e presidentit Gjorgje Ivanov që në afat brenda dhjetë ditëve të jap mandatin. Ivanov me vendimin e tij shkakton një grusht shteti”, deklaroi Zaev.
Në vijim, Zaev theksoi se do të paraqesë projekt-ligj të ri mbi përdorimin e gjuhëve, por në bazë të Kushtetutës dhe që do të jetë i pranueshëm nga partitë politike me të cilat është siguruar shumica parlamentare, përkatësisht 67 deputetë.
“Qeveria e re do të ndjek politikat me të cilat Maqedonia do të ndërtohet si shtet qytetar në të cilën të gjithë do të jenë të barabartë. Ne do të mbështesim politikën e gjuhëve në përputhje me nevojat e qytetarëve. Disa komuna në Maqedonia janë dygjuhësore, tregjuhësore dhe katërgjuhësore. Çdo komuniteti etnik do t’i mundësohet të përdor gjuhën e tyre. Me këtë nuk humbin qytetarë tjerë, ndërkohë fiton edhe Maqedonia. Është një gënjeshtër që të gjithë qytetarët, studentët apo ushtruesit e ndonjë detyre do të duhet të mësojnë një gjuhë të caktuar ose do të paguajnë gjoba”, deklaroi Zaev.
Zaev poashtu premtoi se do të punojë në zbardhjen e plotë të rasteve me ndihmën ndërkombëtare, të tilla si ngjarjet në Kumanovë, rastet e Monstrës dhe Sopotit, në mënyrë që siç theksoi ai, të sigurohet besimi i plotë mes qytetarëve.
Ndryshe, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, refuzoi të mandatojë liderin e LSDM-së për të formuar qeverinë e re, duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocion për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.