Mbi debatin rreth deklarimit të Rexhep Qosjes mbi “këmbimin e territoreve – Sulejman Abazi

0
688

[Mbi debatin rreth deklarimit të Rexhep Qosjes mbi “këmbimin e territoreve”].
Një miku im në statusin e tij sjell një sentencë interesante: “Moralistë janë njerëz që veten kruajnë, ku ju kruhet të tjerëve.”. (Samuel Beckett, shkrimtar dhe dramaturg irlandez, 1906-1989). Nga përvoja e dy dekadave të fundit të lëvizjes së fuqishme që ka bërë kombi shqiptar, me arritje positive, ka disa vite që po bindemi se, nga faktori ndërkombëtar ka një tërheqjë në dëm të çështjes shqiptare, duke synuar të marrin me të mirë Serbinë, për ta orientuar atë drejt NATO- dhe BE-së. E parë në kontekstin europian, kjo është punë e tyre, por e parë në aspektin e çështjes kombëtare shqiptare, ne nuk duhet të heshtim e të ndalemi me kaq dhe të pranojmë si skllevër rrjedhën imponuese të historisë, e më keq akoma, t’i nënshtrohemi asaj edhe kur shikojmë që ajo po vepron në dëmin tonë.

Kjo situatë, e pa kuptuar dhe e pa sqaruar mirë në opinionin shqiptar, e pa vlerësuar sa duhet edhe nga politika shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, ka sjellë çoroditje dhe debate të ashpra në rrethet atdhetare dhe politike shqiptare në vlerësimin dhe trajtimin e çështjes kombëtare.

Mungesa e një Straetgjie Kombëtare, e parashikuar dhe pranuar ngë të gjithë rrethet politike, akademike, atdhetare si një dokument rekomandues për institucionet politike dhe shtetërore, me vision dhe e shtrirë në etapat e saj afatmesme dhe afatgjata, e mbështetur me të gjithë argumentete shkencore që na çojnë, jo vetëm drejt ribashkimit kombëtar, por edhe të fitores së territoreve të tjera, duke u mbeshtetur dhe respektuar parimin europian të të drejtave të njeriut, “popullsi – territor”. Ne sot vazhdojmë të flasim dhe të ushqejmë një kënaqësi absurde të ish territoreve shqiptare deri në 115 mijë km katrore, kur sot e dimë që në këto territore ka ndodhur një spastrim etnik me dhumë dhe në mënyrë të ftohtë, që vazhdon edhe sot, dhe që për ne shqiptarët kanë mbetur vetëm në vlerat e tyre historike.

E çfarë fitojmë nga kjo joshje patriotike pa asnjë rrugë rikthimi në këto troje?

Përse na shërben historia në këtë rast?

Çfarë zgjidhim dhe çfarë humbasim duke u marrë vetëm më anën historike të problemit dhe duke rritur dozat e grindjeve midis nes?

Çfarë bëjmë ne sot realisht për të shqyer dhe shpartalluar prapambetjen historike të një populli dhe të një shteti fantazmë, “federatë në hije” pa histori, që kërkon të na ngrabisë territore dhe pasuri pa kufi?

Do të duhej shumë të shpjegonim në këtë aspekt, për anët positive dhe negative që veprojnë aktualisht duke na shkaktuar fatkeqësi të tjera, kur në territoret shqiptare, të banuara tërësisht nga shqiptarë, ne ende nuk kemi zgjidhur çështjen kombëtare dhe vazhdojmë të joshemi nga preferencat politike. Kujt do t’i shërbente kjo në ardhmërinë tonë kombëtare?

Meqënëse e solli koha një varjant të thënë me gjysëm zëri edhe disa kohë më parë, në këtë analizë modeste, po i përmbahem deklarimit dhe varjantit të akademik rexhep Qosjes, mbi mundësinë e “këmbimit të territoreve” me shtetin e Serbisë.

Mendoj se në këtë çështje delikate, akademiku po kuptohet gabim në varjantin e tij. Personalisht Qosjen e kam mbështetur kur ka pasur të drejtë, dhe e kam kundërshtuar prerë kur ka pasur lajthitje në çështjet me interes kombëtar. Në këtë rast të gjithëve na takon të bëjmë avokatin vetëm të çështjes kombëtare dhe asnjëherë të emrave të veçantë. Nëse do të ndodh një kembim i mundshëm i territorit, kjo ndrmarrje e pranuar më së pari nga shqiptarët dhe me pëlqimin e faktorit ndërkombëtar, ka kushtin e palëkundshëm; “metër katror, për metër katror”.

Pra, nëse tri komunat me popullsi 99 për qind serbe, Leposaviçi, Zveçani dhe Zubin Patoku në very të Kosovës përbejnë sëbashku 1340 km katrore, atëherë po kaq përbëjnë në sipërfaqe edhe tri komunat shqiptare në lindje të Kosovës (jugu i Sërbise), Medvegja, Bujanici dhe Presheva. Para se sa të argumentoj këtë mundësi, po tërheq vëmëndjen: Agresiviteti dhe këmëngulja e politikës serbe ka arritur artificialisht të krijojë “komuna të reja” me “popullsi serbe” në very të Kosovës dhe po kështu edhe në Preshevë. Me këtë veprim brutal të njëanshëm, të kaluar në heshtje nga faktori ndërkombëtar dhe duke shfrytëzuar përkuljen e politikës shqiptare, Serbia ja ka arritur të përfitojë sat ë mundet në kurriz të territoreve shqiptare në një ndryshim të mundshëem të kufijve në të ardhmen. Po ne ku jemi në këtë rast dhe çafrë kemi përfituar në mbrojtje të interesave tona?

Atëherë, nëse ky këmbim mund të ndodh, me këtë kusht politik dhe territorial të palëkundshëm, në planin kombëtar ne dalim me dsia përfitime, jo vetëm për të mirën e Kosovës dhe popullit, por edhe më tej në ardhmërinë tonë. Me durim duhet të sjellim argument bindëse në këtë çështje, larg emocioneve të cilat të fusin në rrugë të gabuar në zgjidhjen e çështjeve politike dhe kombëtare.

Me këtë varjant bie poshtë marreveshja për Asosacionin dhe përjashtohet nga aneksimi brutal serb Mitrovica Veriore dhe vise të tjera të saj. Ky është një këmbim që ka ndodhur 70 vjet më parë nga antishqiptari Tito, për të ulur fiktivisht etnicitetin e plotë të Kosovës, dhe sot ky territor mund të rikthehet në origjinë, duke na dhënë mundësi për rikthimin e shqiptarëve të larguar dhe mundësi të tjera në perspektivë.

Në këtë varjant dikush ka merakun e Trepçes dhe sigurisht që ka të drejtë. Specialistët e dinë fort mirë që rezervat minerare shtrihen në brendësi të vijës kufitare me shqiptarët. Kjo ka rëndësi. Edhe pa tri hyrjet e minierave ekzistuese, duke e hequr këtë popullsi kompakte serbe nga trupi ynë kombëtar, Kosova ka aq shumë pasuri nëntokësore, sa të mos ja ketë nevojën askujt. Sot buxheti i Kosovës përfiton vetëm 5 përqind të prodhimit dhe të shitjeve nga të tre minierat në komunën e Leposaviçit. Atëherë, ku qëndron vlera reale e Trepcës për Kosovën dhe popullin e saj?!

Në trajtimin e kësaj çështje shumë delikate, por shumë të rëndësishme, nuk ka vend për patriotizem romantik dhe formal. Nga ky proces, Kosova dhe territori shqiptar do të shpëtojë edhe nga enklavat serbe, të cilat në rast të këmbimit të territorit nuk kanë më lidhje vertikale me Beogradin dhe detyrimisht kjo popullsi serbe në mënyrë vullnetare do të largohet nga territori i Kosovës. Çfarë humbasim dhe çfarë fitojmë ne këtu, kur Kosova mund të bëhet më e pastër etnikisht?

Me këtë veprim, shpëtohen tre komunat shqiptare në jug të Serbisë dhe i bashkëngjiten trungut amë. Ky do të ishte një çlirim i plotë i kësaj popullsie nga gjendja kolonizuese, dhe këto territore do t’i shpëtonin përfundimisht çpopullimit të ftohtë siç po ndodh realisht. Populli i larguar për shkak të regjimit serb, do të gëzonte të drejtën të rikthehej në vatrat amtare. Për këtë varjant, “atdhetarët e flakët” ngrenë zërin kritizer në kupë të qiellit, por nuk na japin ndonjë varjant zgjidhje që këto territore të mos humbasin përfundimisht përballë politikës agresive dhe brutale serbe mbi spastrimin etnik.

Në respektimin dhe studimin e këtij varjanti, ajo që është më kryesorja po e shkruajmë me gërma kapitale: KY DO TË JETË HAPI I PARË DREJT RIBASHKIMIT KOMBËTAR, me vullnetin e të drejtës së vetvendosjes së popullit shqiptar, si një proces që nuk do të ndalet më. Në faza të tjera të këtij procesi, për shumë arësye politike, ekonomike, demografike, dhe të rritjes së fuqisë kombëtare, popullsia shqiptare do të shtyhet ngadal drejt territoreve të saj historike, pa luftë, pa kërcënime, por me nevojën e zgjerimit të tregut të saj të marrëdhënieve ekonomike për shkak të rritjes demografike të pandalshme.

Është një çështje delikate, për të cilën duhen shumë shpjegime, por në vija të përgjithëshme, arsyetoj që, t’i lemë mënjanë grindjet, “tradhëtitë”, “shitjet”, patriotizmin formal dhe terma të tjere, të cilet nuk na çojnë askund. Ne sot kemi nevojë për rrugëzgjidhje. Nese nuk futemi në kërkimin e tyre, kundërshtarët tanë të egër tradicionalë do të vazhdojnë të na marrin pak e nga pak krahët, territoret, mundësitë, siç po bëjnë edhe në ditët e sotme.

Me zgjuarësi drejt interesit kombëtar, me llogari politike dhe ekonomike, me planifikim në faza zhvillimi, që nuk janë vetëm detyrimi ynë, por dhe i brezave, nëse diçka fillon, do të jemi vet ne ata që do të shtojmë energjitë pozitive për interesat tona. Nëse vazhdojmë kështu, të zvarritemi dhe vetëm të lëshojmë sharje kundër politikës tonë, në këtë kaos qe na ka përfshirë në planin kombëtar, atëhere edhe kjo klasë politike që kemi, me problemet e saj të shumta deri në qëndrime antishqiptare, do të vazhdojë të bëjë dëme të mëdha, siç ka bërë deri më sot. A fitojmë ne vetëmm më sharje dhe me zëmërimin tonë që nuk lëviz asnjë copë guri nga vendi?

Mjaft më me idiotësitë e zhurmuesve dhe veset e patriotëve të vetshpallur.

Kosova e pastër dhe përgatitia e kushteve midis dy vendeve për ribashkimin e saj me trungun mëmë, pa pasur ferrat serbe nëpër këmbë, pastron vetvetiu edhe këtë politikë nga rrënjët e pushtetit të vjetër titist, dhe jo vetëm në Kosovë, por kjo do të ndodh edhe në Shqipëri. Kjo është rruga e shpëtimit të Kombit.

Koha po punon për ne dhe situatat po na kërkojnë të hedhim një hap të guximshëm dhe të marrim një vendim me rëndësi historike, në të kundërt do të jemi ne ata që do të mallkojmë veten pse heshtëm kur duhet të ulërinim, dhe pse nuk vepruam, kur duhet të kishim ngritur edhe mallet tona në këmbë.

Në trajtimin e kësaj çështje shumë delikate, do të ishte i nevojshëm një debat i hapur konstruktiv, jo vetëm individësh, por dhe institucional, deri sa të mund t’i rekomandohet politikës shqiptare për t’u kushtëzuar përballë Serbisë. Larg egos vetjake, rekomandohet gjakftohtësi, maturi drejt mendimit të përbashkët institucional, konsulencë dhe kontribut, për të mos përsëritur më gabimet, për të cilat historia do të na ndëshojë shumë rëndë.

Faleminderit.

Sulejman Abazi, Tiranë më 20/01/2017