Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, ku ka zhvilluar takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ku është diskutuar për një etapë të re të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, që do të jetë përmbajtjesore dhe me projekte konkrete bashkëpunimi.
Hoxhaj dhe Zaev kanë diskutuar për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si hapi i parë që do ta hapë rrugën e zhvillimit të bashkëpunimeve të reja në shumë fusha. Palët janë pajtuar që kjo mbledhje të mbahet në mars të këtij viti, ndërsa së shpejti do të bëhet e ditur edhe data e saktë.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Hoxhaj në emër të Qeverisë së Kosovës, ka dërguar mbi njëzet propozime për marrëveshje dhe tema të diskutimit për mbledhjen e përbashkët, duke nisur nga bashkëpunimi ekonomik e tregtar, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, bashkëpunimi ndërkufitar, arsimor, kulturor, si dhe në fushën e drejtësisë.
Hoxhaj dhe Zaev, janë pajtuar se viti 2018 ka potencial të jetë viti i shteteve të rajonit dhe i shënimit të progresit në proceset e integrimit euro-atlantik.
Përveç takimit me kryeministrin Zaev, Hoxhaj ka takuar edhe zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe ministrin e Diasporës, Edmond Ademi, ku kanë biseduar për bashkëpunime të reja në fusha të interesit të përbashkët.