Msc. Av. Rovena TUJANI-KLINAKU
Sapo përmendet shamia (hixhabi, mbulesa, shalli, veli), menjëherë shoqërohet me paragjykime të tilla si, prapambetje, injorancë, shtypje, ndikim, shpërlarje truri, etj. Sigurisht që ky është paragjykimi që mund të ketë një person i cili ka informacion për femrën me mbulesë vetëm nëpërmjet mediave. Sipas studimeve, thuhet se rreth 90 % e informacioneve që jepen në media për femrat myslimane fetare që praktikojnë mbulesën janë me konotacion negativ. Kjo sjell në mënyrë të kuptueshme keqinformimin dhe paragjykimin rreth personalitetit të femrave me mbulesë.
A është e lehtë të jesh femër me shami?
Në fakt, në shoqërinë tonë nuk është e lehtë të jesh femër, mbi të gjitha, femër me shami. Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe e kuptueshme. Sot po promovohet, po reklamohet dhe po vlerësohet, një tjetër standard femëror. E përdorim qëllimisht fjalën “standard”, pasi ajo që po ndodh është “krijimi” i një imazhi të gatshëm femëror, që të gjitha duhet ta ndjekin. Kriteret e këtij imazhi janë përmasat trupore, shfaqja e një bukurie ndjellëse, avancimi i metodave të joshjes, etj. Të parat që vuajnë nga kjo trysni e madhe janë vetë femrat. Arsyet pse ndodhin janë të shumta, por mbi të gjitha do përmend vetëm dy, komercialiteti dhe interesat mashkullore.
Femra moderne e kohës, ajo e bukura dhe ajo që të gjithë duhet të kthejnë kokën drejt saj kur kalon, duhet të jetë një femër e cila shpenzon shumë për dukjen e vet, për rrobat e saj, që të jenë të kohës, për flokët e saj, që të jenë marramendëse. Kjo femër “e kohës”, apo “moderne”, shpenzon shumë për imazhin e vet. Pak e nga pak po promovohet dhe po vlerësohet kjo femër. Morali, sjellja, edukata e turpi tashmë nuk po vlerësohen si cilësi që duhet t’i kenë vajzat, motrat tona.
Por femra myslimane fetare është nga të vetmet dhe nga të paktat që arrin ta përballojë këtë trysni globale dhe të mbijetojë me dinjitet e me nder. E thënë më ndryshe, një femër myslimane e devotshme ka si synim kryesor përmirësimin e sjelljes, të edukatës dhe të veprave të saj; të gjitha këto bëjnë që ajo të sfidojë kohën, të sfidojë vendin, të sfidojë këtë sistem të vlerave të instaluara padrejtësisht. Një femër myslimane që vendos të plotësojë urdhëresat islame dhe vë mbulesën ka luftuar mbi të gjitha për të pasur më shumë të drejta. Ajo lufton për të mos qenë e shtypur nga interesat globale. Ajo sfidon kohën, sfidon shoqëritë maskiliste, e vendos vetë për pamjen, për qëndrimin dhe identitetin e vet.
Muxhahide me shami
Disa ditë më parë, një artikull qesharak, që synonte diçka tjetër, kishte postuar si foto shoqëruese të shkrimit një grua me mbulesë e cila po shëtiste foshnjën e saj me karrocë. Një veprim që e shohim rëndom te femra të tjera pa shami në shoqërinë tonë. Një veprim që, nëse do kryhej nga një femër tjetër, do duartrokitej, pasi ajo po kujdeset për foshnjën e saj. Por fakti që ajo mbante shami, edhe pse bënte një veprim fisnik me foshnjën e vet, synohej të stigmatizohej, si shenjë e terrorizmit dhe dhunës, si diçka e rrezikshme, e frikshme. Veçse, në fakt, është qesharake, pasi çdo ditë shëtisin femra me shami, me apo pa foshnjat e tyre, dhe nuk janë aspak të frikshme; ato janë avokate, janë ekonomiste, janë mjeke, janë juriste, mësuese, janë intelektuale, janë pjesa më e ngritur e shoqërisë, janë shembull për shumë e shumë femra të tjera. Ato janë imazh i së mirës, i paqes e stabilitetit identitar.
Lëvizja feministe myslimane
Lëvizjet feministe kanë një histori të gjatë të rrugëtimit të tyre. Si çdo lëvizje, ato shoqërohen me sukseset dhe me dështimet e tyre. Elementet e para të lëvizjeve feministe i hasim në fillim të shekullit të IX. Pretendimet e para të tyre kanë pasur të bëjnë me fitimin e titullit “njeri”, me të drejtën e konsiderimit qytetare, më pas me të drejtën e votës, me mosdiskriminimin gjinor, e kështu me radhë.
Në shoqëritë islame këto të drejta ishin të garantuara, prandaj myslimanet aktiviste nuk e kishin të nevojshme të luftonin për të drejtat e tyre, por thjesht punonin me të drejtat që feja islame u kishte garantuar femrave. Pas vdekjes së Profetit Muhamed afro 14 shekuj më parë, një grua udhëhiqte një ushtri, dhe ajo ishte Aishja, bashkëshortja e dashur e tij.
Kontributi i femrave myslimane ka qenë vërtet i madh, e ato nuk kanë qenë vetëm akademike, por kanë themeluar dhe universitete. Fatima al-Fihri, myslimania me mbulesë, ka themeluar universitetin më të vjetër të botës, Universitetin Al Karuejn, në Marok.
Janë të shumta femrat e suksesshme me mbulesë nga kontributi i të cilave kanë përfituar pasardhësit e tyre. Ndërsa sot ka femra me mbulesë që kanë tejkaluar çdo limit, duke u emëruar si Ambasadore të Paqes. Ka femra me shami që kanë fituar çmime ndërkombëtare për arritjet shkencore në fushën e mjekësisë. Këto femra kanë mbuluar vetëm kokën, dhe jo mendjen; kanë mbuluar kokën, por kanë hapur vizionet e përtej çdo perdeje materiale, duke u bërë shembull për shumë e shumë femra të shoqërisë sonë.
Shamia si lëvizje feministe
Përkundër mendimit masiv që shamia është shtypje apo diçka tjetër, në fakt duhet të kuptohet se çfarë është ajo që i nxit femrat në çdo cep të botës të praktikojnë një urdhëresë fetare? Si arrijnë anembanë botës të përgjigjen njëzëri, duke sfiduar vështirësitë, paragjykimet dhe krejt ambientet antivlera? Sigurisht, kjo ndodh kryesisht nga besimi i fortë i këtyre femrave! Të gjitha femrat, përveç praktikës islame, me mbajtjen e shamisë bëjnë një revolucion në kohë, janë kryengritëse kundër këtij sistemi antivlerash të instaluar. Këto femra të mbuluara me mbulesën e tyre duan të tregojnë dhe të dëshmojnë se janë ato që vendosin për dukjen e tyre dhe jo moda, se janë ato që vendosin për mënyrën e jetesës që duan. Ato e shohin shaminë si kërkesë që t’u respektohen të drejtat e tyre. T’u respektohet mendimi, t’u respektohet edukimi, t’u respektohet personaliteti i tyre. Këtë shami mund ta mendojmë në një kontekst pozitiv si formë të moderuar të një lëvizjeje feministe të fuqishme. Prandaj kjo shami nuk është aspak e prapambetur, por shumë e avancuar, shumë e aktualizuar, dhe shumë e nevojshme.
Zoti ia mundësoftë çdo femre të ndjejë lirinë dhe kënaqësinë që dhuron veshja modeste dhe e hijshme, veshja sipas parimeve hyjnore, që shpërthen perdet e dobëta të modernitetit të imponuar si standard! /tesheshi.com/