SHOK megjithatë nuk e fiton Oscar-in

Pritjet e mëdha të shqiptarëve për filmin SHOK nuk janë kurorëzuar me fitimin e një Oscar-i. Megjithatë ky film dhe kasta e tij kanë shkruar historinë e kinematografisë moderne shqiptare.
Ekipi i filmit Shok, gjatë parakalimit në tepihun e kuq të Oscar’s.
Filmi “Shok”, një histori nga lufta e fundit në Kosovë, me regji të anglezit Jamie Donoughue e me producent Eshref Durmishin, e ka përmbyllur rrugëtimin në Akademinë e Filmit Oscar, duke mos rrëmbyer statuetën e praruar në ar, por duke i kthyer sytë e botës kah Kosova.

Filmi shok, ishte në garë me katër filma të tjerë të shkurtër: “Ave Maria”, me regji të Basil Khalil, “Day One”, me regji të Henry Hughes, “Everything Will Be Ok” me regji të Patric Vollrath dhe , “Stutterer”, me regji të Benjamin Cleary,.

Udhëtimi i SHOK ka qenë i jashtëzakonshëm dhe krejt unik qysh prej realizimit të tij.

Ngjarja e filmit është mbështetur në copëza realiteti të luftës së viteve 1998 – 1999 në Kosovë dhe tragjedive të familjeve shqiptare kur përballeshin me armiqësinë dhe brutalitetin e ushtrisë dhe policisë serbe.

Producenti i filmit dhe njëri nga aktorët kryesorë, Eshref Durmishi, në emisionin NIN të Klan Kosovës,duke folur për filmin SHOK kishte treguar se nga ngjarjet e paraqitura në film janë edhe disa sekuenca që ai vetë i kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë.

Përralla e filmit që përcjell një emocion të fuqishëm dhe rikthen vëmendjen e botës edhe një herë në luftën e Kosovës është e vendosur në Kosovën veriore – në Mitrovicën e vitit 1998.

Petriti (Lum Veseli) është një djalë shqiptar 12 vjeçar dhe ambicioz. Përkundër rrezikut të kohës, ai tenton të bëhet një biznesmen i vogël duke i shitur letra cigaresh një ushtari serb, Draganit (Eshref Durmishi) në kohën kur konflikti ndëretnik shqiptaro-serb ishte gati në shpërthim.

Krejt kjo vetëm për të grumbulluar para mjaftueshëm sa për ta blerë një biçikletë siç e ka shoku i tij Oki (Andi Bajgora).

Petriti është djalosh i guximshëm dhe e nxit shokun e tij Okin të jetë edhe ai i tillë. Shoqëria e tyre gjatë filmit thyhet pasi që Okit nuk i pëlqen bashkëpunimi me serbët, për të cilët ai e di se janë armiqtë e vërtetë.

“Ti je frikacak, je gënjeshtar, por mbi të gjitha ti je tradhtar”, janë fjalët të cilat Oki ia thotë Petritit.

Një moment tejet emocional ky i filmit ku edhe shoqëria mes dy fëmijëve të afektuar nga konflikti e situata – thyhet.

Por, Petriti është i vendosur t’i tregojë Okit se shoqëria e tij është e sinqertë.

Një ditë, kur të dy së bashku me shumë nxënës të tjerë kontrollohen nga një patrullë e forcave ushtarake serbe, në çantën e Okit i gjenden libra në gjuhen shqipe.

“Këtu nuk është Shqipëria, por Serbia, kuptove?”, i kërcënohet një ushtar serb Okit, ndërsa Petriti ndërhyn duke thënë se librat janë të tij, për të mbrojtur shokun dhe për ta shpëtuar shoqërinë.

Ai rrihet keq pikërisht nga Dragani, ushtari serb me të cilin “bënte biznes”.

Fundi i filmit është tragjik.

Oki vritet, derisa bashkë me familjen e Petritit po largohej me dhunë nga forcat serbe.

Filmi SHOK e rikthen edhe njëherë luftën në Kosovë dhe tragjiken e saj, përmes shoqërisë së sinqertë dhe besimit të ndërsjellë.

Suksesi unik i SHOK-ut është ngjarje historike për filmin shqiptar dhe tejet i rëndësishëm edhe për imazhin e shtetit të ri të Kosovës.

Çmimin për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër, filmit “Shok” ia rrëmbeu filmi “Stutterer”.

“Stutterer”

Artikulli paraprakNamazi im i parë pasi e pranova Islamin
Artikulli vijuesKëto janë fituesit e Oscar-it