Me në fund diqka e mirë UP-ja ndërprenë pagesat për tre Emeritusët

Madje, në vendim të cilin e posedon gazeta, shkruan se UP-ja nuk ka qenë në gjendje të gjejë në arkivin e tij kontratën individuale të lidhur ndërmjet këtij institucioni dhe Zejnel Kelmendit si bartës i titullit “Profesor Emeritus”.
 
Për më tepër, vendimi i rektorit qartëson se çdo angazhim i Kelmendit në UP duhet të bëhet me kontratë ndërmjet palëve, gjë e cila, sipas Zejnullahut, një kontratë e tillë nuk ekziston ndërmjet tyre.
 
Gazeta “Jeta në Kosovë”, ditë më parë ka shkruar se si Zejnel Kelmendi e kishte marrë titullin “Profesor Emeritus”.
 
Propozimi për këtë titull erdhi nga Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë dhe u miratua nga Senati i Universitetit më 28 dhjetor të vitit 2006, kurse pas gati tri javësh, më 16 janar të vitit 2007 vendimin për këtë titull e kishte nënshkruar asokohe rektori i UP-së, Enver Hasani.
 
Për vendimin e rektorit, Zejnel Kelmendi thotë se do t’i drejtohet gjykatës, të cilën e sheh si të vetmen rrugë.
 
“Ai është qëndrim i tij, gjyqi e vendosë atë punë, nuk ka rrugë tjetër”, thotë shkurt Kelmendi.
 
Faik Brestovci: Gjyqi e vendosë këtë punë
 
Edhe Faik Brestovci, ashtu siç ishte fatlum për ndarjen e gëzimit me shokët që e fituan titullin e “Profesorit Emeritus”, po ashtu i bë pjesë e ndarjes së hidhërimit, me po këta shokë, për ndalesën që ia bëri rektori për pagesën.
 
“Përkundër ekzistimit të kontratës individuale sipas vendimit të mësipërm ju nuk mund të gëzoni edhe më tutje të drejta dhe përgjegjësi nga Titulli “Profesor Emeritus” ngase tashmë keni tejkaluar moshën shtatëdhjetë (70) vjeçare, përtej të cilës profesori me titull “Profesor Emeritus” nuk mund të angazhohet më në procesin arsimor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe rrjedhimisht nuk mund të gëzojë më të drejta që rezultojnë nga ky angazhim”, thuhet në njoftimin e rektorin të UP-së Ramadan Zejnullahut drejtuar Faik Brestovcit.
 
Meqë kohëzgjatja e kontratës së Brestovcit përcaktohej si afatmesme, rektori Zejnullahu këtë e sheh si periudhë pesëvjeçare, e cila rrjedhimisht, sipas rektorit, ka qenë e vlefshme deri në vitin 2012.
 
Gazeta “Jeta në Kosovë” ka shkruar më parë se përveç titullit “Profesor Emeritus”, Brestovcit, në po të njëjtën kontratë, ai ishte caktuar edhe në rolin e këshilltarit të Universitetit dhe të Fakultetit Juridik.
 
Megjithatë, angazhimi i tij ishte përcaktuar për një periudhë afatmesme, për të cilën Brestovci i pati thënë gazetës se nuk është e precizuar se çfarë periudhe përfshinë periudha afatmesme.
 
Por rektori mendon ndryshe. Ai e përcakton si pesëvjeçare periudhën afatmesme
 
“Kjo periudhë afatmesme nënkupton një periudhë pesë (5) vjeçare të angazhimit të profesorit me titull
“Profesor Emeritus” pas arritjes së moshës së pensionimit prej gjashtëdhjetë e pesë (65) vjet”, thuhet në vendimin e rektorit.
 
Edhe Brestovci thotë se ka vendosur t’i drejtohet gjykatës.
 
“Në gjykatë e dërgoj dhe kryhet puna”, tha Brestovci.
 
Mujë Rugova: Rektori po bën ekzibicione me këtë vendim
 
Edhe Mujë Rugovës – ish-rektor i UP-së nga 2009 deri më 2012, i është hequr kompensimi material.
 
Sipas vendimit, që e ka gazeta, kjo bëhet për shkak se Muja ka kaluar moshën 70 vjeçare për angazhimin e tij në UP, ashtu siç e kërkon edhe Statuti aktual i UP-së.
 
“Përkundër Vendimit Nr. 1/972 të datës 11.07.2012 ju nuk mund të gëzoni edhe më tutje të drejta dhe përgjegjësi nga Titulli “Profesor Emeritus” ngase tashmë keni tejkaluar moshën shtatëdhjetë (70) vjeçare, përtej të cilës profesori me titull “Profesor Emeritus” nuk mund të angazhohet më në procesin arsimor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe rrjedhimisht nuk mund të gëzojë më të drejta që rezultojnë nga ky angazhim”, thuhet në njoftimin e rektorin të UP-së Ramadan Zejnullahut dërguar Mujë Rugovës.
 
Rektori Zejnullahu, sikurse edhe te sqarimi i Kelmendit dhe Brestovcit, i thotë Mujës se çfarëdo angazhimi i tij në UP duhet të bëhet me kontratë mes palëve, e cila aktualisht sipas rektorit nuk ekziston.
 
“Më tutje, çfarëdo angazhimi juaj në raport me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” duhet të bëhet mbi bazën e një kontrate të nënshkruar ndërmjet këtij institucioni në njërën anë, dhe juve si bartës i titullit “Profesor Emeritus”. Aktualisht, ju nuk keni një kontratë të tillë të nënshkruar me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thuhet në njoftimin e rektorit dërguar Mujë Rugovës.
 
Mujë Rugova vendimin e rektorit e quan si ekzibicion të rektorit. Megjithatë, thotë se do të shihen në gjyq për këtë punë.
 
“Ai nuk mund të marrë vendim sepse është vendim i Senatit. Ai vetëm po bën ekzibicione. Nuk është ai vendim, por është informim. As nuk ka kujt t’ia dërgojë, asgjë zyrtare nuk ka aty, vetëm ka pështjellë. Kjo çka po bën ai (rektori) është jashtë ligjore. Ai e di punën e vet, dhe do të shihemi në gjyq”, tha Rugova.
Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se si Mujë Rugova e kishte marrë titullin “Profesor Emeritus” gjatë kohës sa ishte rektor.
Madje, vendimin për këtë titull nuk e kishte nënshkruar ai, por asokohe prorektori Enver Kutllovci.
 
Për më tepër, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se si dosjet e këtyre tre profesorëve për këta tituj janë zhdukur dhe nuk gjendet në arkivat e Universitetit të Prishtinës.kohaislame
Artikulli paraprakBabai i Hashimit dhe Ramushit, veteranë të UÇK-së
Artikulli vijuesKur erdhën turqit në Kosovë shqiptarët nuk ishin zot shtëpie