ME NXITJEN E TURQISË, OJQ-TË NDËRKOMBËTARE U ANGAZHUAN NË SOMALI DHE BIRMANI

0
216

Bylent Arënç bëri të ditur se pas faljes së Bajramit, nën udhëheqjen e Autoritetit turk për Çështjet Fetare do të mblidhen ndihma për myslimanët në Arakan.

Falë përpjekjeve të Turqisë, shtoi ai, organizatat ndërkombëtare u vunë në lëvizje për t’u dhënë fund vuajtjeve të myslimanëve, fillimisht në Somali dhe më pas në Birmani.

“Si rezultat i punimeve tepër të rëndësishme të Presidentit Abdullah Gyl dhe Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan, vëmendja e botës u fokusua së pari mbi Somalinë dhe pastaj mbi mizorinë, që po ushtrohet në dëm të myslimanëve në Mjanmar. Duhet të theksoj këtu se nisma mjaft të rëndësishme në fushën diplomatike ka ndërmarrë edhe Ministria e Punëve të Jashtme, gjë që u përmbyll me vendimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, për të dërguar në zonë përfaqësuesin e tij të posaçëm”, u shpreh zv/kryeministri turk, Bylent Arënç.

Ndërsa i ftuari special i transmetimit direkt të TRT-së ishte ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu, i cili shpjegoi me hollësi ndihmat, që po bëhen për myslimanët e vuajtur në Arakan të Birmanisë.

Pasi nënvizoi se Qeveria e Mjanmarit për herë të parë pranoi një ndihmë të jashtme dhe lejoi një delegacion të huaj që të vizitojë Arakanin, Davutollu vuri në pah se midis Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë dhe Kryqit të Kuq të Birmanisë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të së cilës do të ngrihet një qendër për menaxhimin e krizës, ku do të grumbullohen ndihmat dhe kontributet e bamirësve, për t’iu dërguar në vijim me rrugët më të sigurta të mundshme personave më të drejtë në nevojë.