Ka kohë që bota virtuale është bombarduar prej imazheve alarmuese të refugjatëve. Këto pamje më kujtojnë një kohë jo fort të largët, kur mes plumbash numëronim orët ndërmjet agut e muzgut. E kam të freskët vuajtjen, frikën dhe ankthin, kur para sysh më vizatoheshin uniformat blu. Më djegin gjerë në asht britmat e ankthit, që hera-herës më vijnë edhe nëpër ëndrra, si për t’ma shtu peshën e mallit për ditë ma t’mira, ma të lehta. Kur më pyesin miqtë se si është me qenë “fëmijë lufte”, mua më vjen t’u kallëzoj si është mos me u çmend teksa sheh policët që të vrasin, pa iu tremb qerpiku. Sado me imagjinu, është vështirë me e jetu ndjenjën e të qenurit i ikur. Njerëzit shpeshherë ndrydhen aq fort, sa detyrohen me e lëshu vendin me zor, në kërkim të një jete më të lehtë.
E kam të paharrueshme atë frikën që ma zinte frymën sa herë hapja sytë dhe e gjeja vetën mes malesh a muresh që ishin gati me rënë mbi trupat tanë; vajin kur ndodhesha pranë njerëzish të panjohur apo krah trupave të pajetë. Mbi çdo gjë, e kujtoj për natë si i ngjisja sytë për qiell, duke prit dikë me na hap një derë, ku të fshiheshim prej plumbave. Asokohe s’kam lënë lutje pa i nis Zotit që t’i zbuste zemrat e atyre që mund të shpëtonin gjyshërit, prindërit e motrën time. Atëherë vetja më dukej e pafuqishme kur më dilshin para burra të gjatë e të nxirë në fytyrë prej urrejtjes, por isha edhe e mbifuqishme kur ngulja këmbë që lutjet e mia të pranoheshin se s’kisha faj që po ikja!
Me ik prej frikës e zorit është si me e përqafu vdekjen, ani se jeta të thërret mes stinësh e cicërimash!
“Peace” & “Love”
Byzylykët plastikë që mijëra të rinj në Europë e Amerikë i mbajnë teksa udhëtojnë apo dëgjojnë koncerte pop-rock janë shpërfaqje e vullnetit të mirë për rritjen e vetëdijës mbi dashurinë, paqen, barazinë, dhe simbol i përpjekjeve për “ta shndërruar varfërinë në histori të kaluar të njerëzimit.” Të tilla veprime flasin rreth gjërave të patjetërsueshme dhe tejet të rëndësishme për qetësinë e shpirtit, pa cungim gjeografik. E megjithëkëtë, duke parë masakrat që nuk po ndalen, gjithandej po përhapet perceptimi se bota është e padrejtë.
Ndonëse shkruhet pa pushim dhe mijëra fonde derdhen për “të drejtat e njeriut,” s’mund t’i mbyllim sytë para hipokrizisë që ka pllakosur “shoqëritë e civilizuara.” Kriza e refugjatëve mund të jetë një nga problemet me të cilat bota po ballafaqohet si pasojë e kaosit dhe blloqeve politike, sepse prej vitesh kemi parë gra e fëmijë teksa shkrumboheshin nëpër rrugët e Sirisë, por pothuajse të gjithë i qetësuam ndërgjegjet, duke i sharë se po luftonin vëllai me vëllanë. Kur dëgjonim për gra që dhunoheshin e masakroheshin, i quanim të përdala dhe provokuese! Pleqtë ishin të padobishëm për rritjen ekonomike! Burrat e pushkatuar e kishin hak vdekjen se s’kanë qenë bjondë me sy blu, por lindorë me ngjyrë dhe me adete të tjera, të papranueshme për mendjen tonë “të hapur dhe kritike”! Me një fjalë, ata që luftonin me vdekjen dhe e dashuronin jetën ishin të panevojshëm për globin, që sa vjen e ngushtohet dita-ditës.
Vetëm kur u qorruam prej valëve të detit, se nxorën trupat e njomë të atyre që s’frymonin më, një mori intelektualësh ngritën flamurin “e dashurisë dhe paqes,” shkruajtën poezi të lagura në lot, si dhe i thirrën Europës për ta rimendu vetveten!
Fatkeqësisht, fuqitë e mëdha ani që u mshefën mbas deklaratave me tone kërcënuese, por deri më sot nuk dëshmuan gatishmëri të qartë dhe vendosmëri të patundur për t’i ndihmuar ato vende që i shkatërruan si pasojë e keqperceptimeve dhe interesave të ngushta ekonomike. Mallkimi i rënë te popujt që flenë mbi naftë është më i rëndë se kaq, ngaqë bëhet fjalë për vende që historikisht kanë qenë të njohura për etosin kulturor dhe civilizimin e mrekullueshëm të falur shekujve me radhë. Rrënimi i memories kolektive dhe përbuzja e trashëgimisë së asaj pjese është një humbje e madhe për historinë dhe kujtesën e së nesërmes.
Bota e (as) kujt?!
Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare shpesh e vënë në pah rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (e të aleatëve të tyre në Perëndim) dhe mundësinë e krijimit të një rendi botëror sipas përfytyrimit të tyre. Rrjedhimisht, përveç lindjes së një fuqie të zhbalancuar, me shtrirje ekonomike dhe ushtarake, bota kërcënohet edhe prej logjikës tjetër sistemore, e që është “terrorizmi i ri”. Përgjithësisht ky term u vishet sulmeve të “islamistëve”, “radikalëve dhe terroristëve muslimanë”. Kështu, sipas teorisë, rrjetet terroriste të islamikëve për përdorimin e forcës kundër objektivave perëndimore e dobësojnë dhe e pamundësojnë vendosjen e monopolit mbi dhunën. Thënë ndryshe, tendenca për ta “transportuar demokracinë” e stilit perëndimor në fillesë ishte e stolisur me ar, ndaj shumë qytetarë e mirëpritën dhe u hodhën në aksion për ta jetësuar si ide, por, nga ana tjetër, rezistenca e krijuar prej popujve të tjerë ka rezultuar me krijimin e vatrave të reja të luftës, si dhe me rrënimin zinxhiror të vendeve dikur të shquara për historinë, kulturën dhe ekonominë.
Në gjithë këtë zallamahi plan-programesh të fuqive ndërkombëtare, njeriu, qoftë studiues ose reflektues i rëndomtë, e ka të pamundur nganjëherë me kuptu se çfarë po ngjet. Ndoshta moskuptimi është një soj bekimi në këtë kaos! E famshmja dhe e shumëcituara, e tejpëlqyera dhe e mbivlerësuara, “paqja demokratike”, me aq sa kemi parë nëpër dekada, rezulton të jetë e pasuksesshme. Përfundimisht, ngërçi i saj në mënyrë të argumentueshme nxjerr në pah diversitetin kulturor që e karakterizon globin në tërësinë e tij shumëdimensionale, si dhe pamundësinë për zhbërje, apo, thënë ndryshe, pafuqinë për ta forcuar jonatyrshmërinë.
Ferid Muhiqi thotë se ndonjëherë mosmarrëveshjet shmangen kur kuptohen matricat tona kulturore. Pra, së këndejmi, ia kemi pranuar njëri-tjetrit të drejtën e respektimit të këtyre dallimeve. Edhe sikur të mos bëhemi të ditur menjëherë, Muhiqi shkruan se të paktën njerëzit do kishin arsyetuar shkallën e parë të emrit të tyre, kurse përleshjet irracionale midis krijesave njerëzore, nën presionin e instinktit, do kishin rënë dukshëm; ndërsa mundësitë që te çdo njeri ta njohim dhe ta pranojmë krijesën e barabartë njerëzore do ishin rritur ndjeshëm.
Ironikisht, në botën e askujt tashmë lulëzon “supremacia” e njërës palë dhe injoranca kronike e palës tjetër. Tendenca për të imponuar alternativat e vrazhda për shpjegimin dhe funksionimin e çdo gjëje që ekziston është gati fashiste. Sidomos kur bëhet fjalë për parime, vlera e norma. Dyfishimi i standardeve është sporti më i pëlqyer prej axhendave politike perëndimore, duke mos anashkaluar as pluhurin e injorancës që i karakterizon vendet e zhvilluara të Lindjes, të cilat janë thirrur historikisht mbi ligjet e shenjta.
Kështu, si për ta zhgënjyer dhe më fort veten, Europa, të cilën refugjatët po e kërkojnë me ngulm, për shkak të mirëqenies dhe mundësive solide për edukim e punësim, tani më tepër se kurrë është përballë pikëpyetjesh të mëdha. Keneth Roth, kur shkruan për azilkërkuesit dhe refugjatët, nënvizon retorikën apokaliptike të udhëheqësve europianë, të cilët këtë krizë e quajtën si “sfidën më të madhe dhe kërcënim për shpirtin e Europës.” Megjithëkëtë, Roth vë theksin tek politikat prej të cilave erdhi kriza, dhe jo te mungesa e kapaciteteve për të cilat ankohen shtetet europiane. Për më tepër, Roth thotë se çështjet e azilkërkuesve dhe refugjatëve janë lehtësisht të menaxhueshme, prandaj udhëheqësit europianë s’mund të lejojnë që demagogët ta shpërqendrojnë vëmendjen nga disa çështje të atypëratyshme dhe thelbësore, siç është pyetja se çfarë përfaqëson Europa sot, ose cilat janë vlerat që do e mbajnë në jetë Europën në një botë ku njerëzitë s’kanë më përfaqësim dinjitoz?!
Pyetje si këto trondisin përfundimisht bazat dhe rrënjët e një projekti shumëvjeçar dhe të një pune kolosale në përpjekje për të ndërtuar një Europë pa diferencime. Rritja e racizimit, urrejtjes, shtimi i krimit dhe korrupsionit, e rënia ekonomike dhe pazaret politike e kanë gjymtuar siç duket “progresin europian.”
Vuajtjet e harruara
Ata që detyrohen me ik, me forcë e jo me qejf, thurin ëndrra të bardha për jetën, mbajnë shpresa për ditë të mira, dhe pëshpërisin lutje për kthim në shtëpitë e vjetra. Nostalgjia që të zë kur ikën është thirrje për kthim, ani që frika të prangos dhe s’të lejon me këqyr mbrapa. Refugjatët, sidomos ata që nisen nga vendet e botës së tretë, kanë “fatin” me pa dy jetë në një ditë!
Shpeshherë më duket se me i vajtu është një lloj përbuzje për ta. Refugjatët sot janë pasqyrë e botës që kemi ndërtu pak nga pak, me ose pa vetëdije. Ata janë NE, në lëvizje. Vuajtjet e tyre janë heshtja dhe inercia jonë. Ndonëse ata kanë shumë nevojë për ndihmë e mëshirë, por jetët e humbura janë shembull dështimi i “eksportimit të demokracisë”.
Refugjatëve nuk u duhen britmat tona të paradites, sepse ata e dinë mirë që në darkë ne, europianët e mirë dhe të ndershëm, do ngrejmë dolli, duke i harruar fjalët dhe lotët e padalun. Refugjatët e kuptojnë që ne, europianët me moral të lartë, nuk i duam, por, prapëseprapë, qytetarët e vyer të paktën reflektojnë për sfidat dhe vetëdijësohen për politikat e liderët që i votojnë. Ata që kanë ikur prej luftës e ndjejnë se do ketë dyer të hapura prej njerëzve të sinqertë, po aq sa e kanë mësuar fytyrën e vërtetë të “shteteve demokratike”. Ballafaqimi me refugjatët e Lindjes së Mesme është matës i frikshëm i moralit europian!
Fjolla Spanca