Me Serbinë nuk duhet të bisedohet pa kushte!

Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se është fatkeqësi e madhe që populli shqiptar në Serbi, ballafaqohet çdo ditë me regjimin shtypës të Beogradit, pa u përkrahur nga Tirana zyrtare e as nga Prishtina zyrtare. Ai ka thënë se Shqiptarët e Luginës janë të harruar nga politika aktuale e Shqipërisë dhe Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Konjufca, i ka bërë këto komente gjatë një takimi me përfaqësuesit e shoqatës “Vatra” nga Gjilani, shoqatë kjo e shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina e Preshevës, ku u bisedua për problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë shqiptarët e Luginës së Preshevës, si dhe për negociatat politike që pritet të fillojnë mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut të Kosovës.

“Të drejtat e pakicave në Kosovë duhet të jenë të barazvlefshme me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqiptarëve të Luginës edhe më herët i është premtuar se do të flitet për ta nëpër negociata me Serbinë, por gjithmonë është manipuluar me këtë çështje, e kurrë nuk është folur për ta. Duhet angazhim serioz institucional i Tiranës dhe i Prishtinës, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryetari i shoqatës “Vatra”, Sejdullah Kadriu, u shpreh se me Serbinë nuk duhet të bisedohet pa kushte, e njëra nga kushtet kryesore duhet të jetë çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kosova Lindore ka mbetur pasdore edhe nga Tirana edhe nga Prishtina. Askush nga dy kryeqytetet shqiptare nuk interesohet për ne. Ne kërkojmë që Tirana dhe Prishtina të investojnë më shumë në atë pjesë, në mënyrë, që të mos lëshohen trevat për shkak të hegjemonisë së Beogradit, pasi që siç e dini edhe ju Medvegja tani ka mbetur me vetëm 600 shqiptarë, e gjashtë fshatra të Malësisë së Bujanocit janë boshatisur komplet”, tha ndër të tjera Kadriu.kohaislame

Artikulli paraprakSerbia i ka ditur kushtet, porse bëhet sikur nuk i di!
Artikulli vijuesKUVENDI I SHQIPËRISË HEQ IMUNITETIN