Kontributi i mërgimtarëve, i paharrueshëm

Mërgata shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë ambasadori më i mirë i Kosovës gjithandej nëpër botë, ka thënë Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, me rastin e manifestimit qendror “Ditët e Diasporës në Kosovë 2012”, i cili u mbajt në Prekaz dhe se kontributi i saj për Kosovën, në të gjitha periudhat, nuk do të harrohet.

Në emër të familjes Jashari, Rifat Jashari ka falënderuar të gjithë mërgimtarët për kontributin e tyre duke thënë se ata qëndruan pranë çdoherë duke e ndarë dhimbjen bashkë me familjen Jashari.

Ai porositi të gjithë që të jenë të bashkuar dhe të angazhohen për Kosovën ashtu siç e deshën dëshmorët sepse vetëm në atë mënyrë respektohen ata, njofton KosovaPress.

Ndërkaq, pas homazheve të bëra në Varrezat e Dëshmorëve, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli ka deklaruar se kanë zgjedhur Prekazin, vendlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, për vendtakimin e këtij manifestimi, për faktin se është vend i bashkimit, lavdisë dhe i krenarisë kombëtare.

“Nga ky vend i shenjët për të gjithë shqiptarët, fillojë një epokë e re, prandaj e kemi për obligim që pasardhësve tanë t’ua shpjegojmë rëndësinë e këtij vendi. E thonë që historia krijon heronj, por në këtë vend heronjtë e bënë historinë”, ka thënë Makolli.

Ministri Makolli ka vlerësuar lartë kontributin e mërgatës duke thënë se historia jonë sikur ka caktuar fatin që pikërisht mërgata të jetë pikënisja dhe strumbullari i lëvizjeve kombëtare për liri, pavarësi, identitet dhe mirëqenie të shqiptarëve.

Ai ka shtuar se mërgata jonë përveç kontributit të jashtëzakonshëm në shumë periudha edhe sot vazhdon ta luaj një rol shumë të madh për vendin tonë si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektet të tjera.

“Nga këtu dua t’u sigurojë që Kosova do të jetë vend i mundësive për secilin bashkatdhetarë. Ky është borxh i yni ndajë jush”, ka thënë Makolli.

Kurse, në emër të diasporës, të pranishmit i ka përshëndetur përfaqësuesi i Shoqatës “Vatra”, Agim Rexhepi, i cili ka vlerësuar lartë kontributin dhe angazhimet e mërgimtarëve nëpër periudha të ndryshme historike të Kosovës.

Ndryshe, përveç programit kulturor nga Filharmonia e Kosovës dhe këngëtarë të ndryshëm, u ndarë mirënjohje Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër, këngëtares Rita Ora, valltarit Driton Dovolanit, sportistit Lorik Cana, shkencëtares Merrushe Gashi-Miftari, piktorit Gjelosh Gjokaj, Federatës Vatra dhe çmimin Post-mortem atdhetarit Hysen Terpeza.kohaislame

Artikulli paraprakKosova do të njihet së shpejti nga Etiopia dhe Togo
Artikulli vijuesMARRËVESHJE PËR SIGURIMIN E UJIT TË PIJSHËM NË 5 FSHATRA