Mediat franceze: Presidenti Thaçi do të bëhet edhe hero i integrimit evropian

Për herë të parë një president kosovar pasohet me tranzicion nga një president kosovar. Hashim Thaçi, i cili u bë president të premten pasdite, është një prej kosovarëve më të njohur, shkruajnë mediet franceze, duke ofruar një rrëfim për historinë e inaugurimit.

Ish-kreu i UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi kundër forcave serbe të sigurisë deri në tërheqjen e tyre, ka qenë politikani më i fuqishëm në vend, pas Ibrahim Rugovës. Thaçi përballë Rugovës, ky ishte ballafaqimi mes revoltës së armatosur në njërën anë dhe rezistencës paqësore në anën tjetër, lufta këto të drejtuara kundër regjimit serb të pas-Jugosllavisë. Pacifizmi i Rugovës nuk ishte më i mjaftueshëm përballë regjimit të tërbuar të Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte nisur spastrimin etnik të shumicës shqiptare (mbi 80% e popullsisë). Shqiptarët u detyruan që të kalonin në luftë të armatosur, e cila më pas solli ndërhyrjen masive ajrore të NATO-s ndaj objekteve ushtarake serbe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi.
Pavarësisht kritikave të shumta pas vdekjes së Rugovës më 2006, institucionet kosovare, në masë të madhe të formuara nga Kombet e Bashkuara, dolën të jenë funksionale. Megjithatë, që nga lindja e shtetit më 2008, Presidenca e Republikës – Presidenti është zgjidhur nga Kuvendi – proces që kishte kaluar nëpër disa vështirësi – dorëheqje, shfuqizime – deri në ardhjen e një gruaje pa asnjë të kaluar politike, e cila mbeti në këtë post për pesë vjet. Atifete Jahjaga, ish-drejtore e asociuar e Policisë së Kosovës, e shndërroi këtë në aksident të historisë dhe u nderua për punën e saj dhe në veçanti për avancimin e pozitës së gruas dhe luftën kundër korrupsionit.
Prandaj, inaugurimi i Hashim Thaçit si kreu i shtetit është i pari i kryer në mënyrë të ligjshme. Ai ia doli fillimisht që t’i mbijetojë politikisht akuzat për trafikim organesh gjatë luftës për pavarësi në vitet 1999-2000. Ai shihet i pastër edhe në sytë e autoriteteve gjyqësore të Gjykatës Penale në Hagë. Ai arriti që partia e tij të mos mposhtej nga mbështetësit e Rugovës në Kuvend. Kështu, gjithçka ishte gati që njeriu më i fuqishëm politikisht të marrë vendin e merituar, shkruan mediumi francez “Opinion internationale”, transmeton Telegrafi.
Fjala e tij inauguruese ishte një simbol i modelit demokratik. Duke folur para shtatores së heroit kombëtar shqiptar dhe të njohur botërisht, Skënderbeut, i cili në shekullin e pesëmbëdhjetë luftoi kundër osmanëve, dhe i rrethuar nga flamujt e Republikës së Kosovës dhe të BE-së, tha: “Jam një president i përulur i një kombi heronjsh”.
Ai bëri thirrje për një shoqëri multi-etnike dhe të hapur, një shtet laik, dhe integrim euroatlantik. Ai e adresoi gjithashtu çështjen e komunitetit LGBTI. Po ashtu, ai i dha edhe Republikës së Serbisë propozime për pajtim. Por, asnjë referencë nuk iu bë kombit simotër, Shqipërisë, apo fesë, në një vend me shumicë myslimane.
Në ceremoninë e ndjekur nga personalitete të shquara sunite, sufi, katolikë, por pa përfaqësues të komunitetit ortodoks serb. Përpjekja e Qeverisë së Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO e “sëmuri” atë komunitetit. Ata konsiderojnë se objektet e tyre arkitekturale do të zhvendoseshin nga tutela e Beogradit në atë të shtetit kosovar. Pavarësisht mossuksesit të kandidaturës së Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s më 2015, mllefi i të krishterëve ortodoksë mbetet.
E meta e vetme gjatë ceremonisë së inaugurimit ishte kundërshtimi nga partia politike “Vetëvendosje”, përkrahësit e së cilës arritën të hedhnin dy kanaçe me gaz lotsjellës pak para fjalimit inaugurues, duke detyruar evakuimin e orkestrës dhe të korit për vetëm dhjetë minuta.
Askush nuk shfaqi irritim të tepruar në pritje të fjalimit. Një veprim i tillë i Vetëvendosjes ishte i pritshëm, ishte në përputhje me frymën tashmë të njohur të Vetëvendosjes të shfaqur në seancat parlamentare për muaj të tërë. Ceremonia u mbyll me himnin e Evropës “Oda e Gëzimit”, në një shtet që ende nuk njihet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, ndërsa qytetarët e saj janë të etur për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane, dhe të cilët janë ende në pritje të liberalizimit të vizave që të mund të kenë mundësi për të lëvizur në vendet evropiane. /Telegrafi/

Artikulli paraprakShqiptarisë i shtohet edhe një hafize e re (FOTO)
Artikulli vijuesNga gjyshi kuzhinier i Leninit, te anglishtja e dobët: 10 fakte mbi Vladimir Putin