Thaçi e Nikolici do të takohen në New York

 

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë nisur përpjekjet intensive për të përshpejtuar rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Shefja për Politikë të Jashtme dhe për Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka paralajmëruar takim ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit serb Tomislav Nikolic, në New York në fund të këtij muaji, të cilëve do t’u bëjë presion për vazhdimin e dialogut.

Takimi i Ashton me liderët e dy shteteve do të ndodhë në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të mbahet në New-York, në fund të këtij muaji. Kështu ka thënë në një prononcim për “Zëri”, Maja Kocijancic, zëdhënësja e baroneshës Ashton.

”Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, do t’i takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe presidentin serb, Tomislav Nikolic. Ajo do t’i takojë ata gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fund të këtij muaji në Nju-Jork, dhe temë e diskutimit me ta do të jetë vazhdimi i dialogut”, ka thënë Kocijancic.

Lidhur me deklaratat e fundit nëpër medie, se dialogun e ardhshëm do ta ndërmjetësojë Catherine Ashton me sekretaren e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, Kocijancic nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar.

“Dialogu është mbajtur gjithmonë nën përkujdesjen e përfaqësueses së lartë të Evropës, Catherine Ashton. Ajo është shumë e angazhuar personalisht”, tha ajo, pa hyrë në detaje tjera.

Lidhur me temat e radhës që do të dialogohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kocijancic tha se modalitetet janë ende duke u diskutuar dhe se duhet të pritet deri në fund të konsultimeve për të parë kur dhe si do të zhvillohet dialogu i radhës.

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Qeverisë Kosovës thonë se nuk janë të njoftuar për takimin e paralajmëruar mes Ashton dhe Thaçit në New York. Megjithatë, ata insistojnë që Prishtina zyrtare nuk do të pranojë vazhdimin e dialogut pa u zbatuar fillimisht nga ana e Serbisë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme me Kosovën, është edhe njëri prej shtatë kushteve që Parlamenti gjerman i ka paraqitur Serbisë, që kjo e fundit të hyjë në BE, ka bërë të ditur të enjten në Beograd zyrtari i lartë i partisë së kancelares Merkel, Andreas Schockenholf.

Kushtet e Gjermanisë ndaj Serbisë janë parë si pozitive nga ana e analistëve të Prishtinës, në këtë kohë para rinisjes së dialogu të ardhshëm.

“Është shumë inkurajuese kjo që Bundestagu ka paraqitur ndaj Serbisë, tani kur pritet të vazhdojë dialogu. Andaj, edhe Kosova duhet të paraqesë kushtet e saj dhe të mos pranojë marrëveshje tjera pa largimin paraprak të institucioneve ilegale nga veriu si dhe implementimin e marrëveshjeve të deritanishme”, tha analisti politik, Ardian Arifaj.

Analisti tjetër, Shenoll Muharremi, thotë se kjo qeveri nuk ka kredibilitet që t’i vendosë kushte dikujt, për shkak të keqqeverisjes, reputacionit të saj dhe kompromiseve deri më tani.

Por në suaza normale, kushtet që do të duhet të ishin, sipas Muharremit janë: tërheqja e strukturave ilegale serbe, kërkim-falja për krimet, dëmshpërblimet të luftës si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun e ashtuquajtur teknik.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se kësaj qeverie nuk i besohet asgjë, sepse të gjitha zotimet i ka shkelur.

“Kjo qeveri ka thënë se kurrë nuk do hyjë në bisedime politike dhe tani shohim se si flasin për dialog politik. Kështu që edhe tani, prapë do të hyjnë në dialog pa asnjë kusht”, tha Osmani, shkruan “Zëri”/kohaislame

 

Artikulli paraprakPacolli kërkoi njohje nga Iraku
Artikulli vijuesÇereku i fundit pritet me shitje rekord të iPhone