Mediat si “Cannabis Sativa” i Popujve

“Nuk është realiteti ai që shkakton frikë, por mënyra se si ne e kuptojmë ne atë”. Ky reflektim filozofik stoik është nga parimet kryesore të shkollave racionale të psikoterapisë, të cilat synojnë të trajtojnë çrregullimet psikologjike si krizat e panikut, ankthin apo depresionin përmes modifikimit të “skemave” mendore apo mënyrave disfunksionale të interpretimit të realitetit.

 
Fatkeqësisht, në këtë artikull, unë detyrohem të argumentoj që shumë media sot kanë një qëllim të mbrapshtë, prodhimin e simptomave psikiatrike si sjellje maniakale bipolare depresioni-ekzaltimi apo “mpirja e arsyes” tek konsumatorët e tyre, ngjashëm me drogat psikoaktive. Si shembull të drogave psikoaktive, mund të përmendim cannabis sativa-n, një bimë e mirënjohur për krijimin e ndjenjave paradoksale të paranojës dhe relaksimit te konsumatorët. Nga studimet shkencore tregohet se ka efekte qetësuese tek pacientët e sëmurë me tumore (kancer), ndërkohë që është faktor risku për zhvillimin e skizofrenisë tek ata persona që mund të kenë një predispozitë gjenetike për ta zhvilluar atë.

 
Do të kufizohem vetëm në një shembull specifik, në narativën apo “rrëfimin” e fenomenit “terror” në titujt hapës të faqeve të para apo lajmeve “breaking” të edicioneve televizive, e rrjeteve sociale. Në 3 nëntor në Sinai, Egjipt, një avion rus me 224 turistë shkatërrohet nga “shteti” armik ISIS. (Shkruaj shtet brenda thonjëzave, pasi përveç ISIS, vetëm mediat e deklarojnë si shtet, asnjë organizëm ndërkombëtar nuk e ka njohur si të tillë). Në datën 13 nëntor, në Paris, në një teatër ku po mbahej një koncert “death metal satanik” dhe në lokalet e restorantet përreth vriten pa diskriminim feje apo etnie, rreth 129 njerëz.
Brenda 10 ditëve, reagimet mediatike janë jo vetëm në aspektin sasior të ndryshme, por fatkeqësisht edhe cilësisht të ndryshme.

 

Viktimat ruse nuk qahen si ato “franceze” në nivel “botëror”, dhe në facebook flamuri rus nuk valëvitet apo nuk merr as edhe një “like”, ndryshe nga ai francez që zaptoi hapësirën ndërkombëtare virtuale për ditë me rradhë. Përse njerëzit nuk qahen njësoj, kur ata janë njësoj viktima të pafajshme të akteve që si rregull njësoj synojnë të shkaktojnë frikë dhe dhembje. Mos ndoshta francezët janë më të pafajshëm se rusët? Mos ndoshta flamuri francez ka ngjyra më të bukura se ai rus? Përgjigja e pyetjeve të mësipërme është natyrshëm: JO.
Pasagjerët rusë qenë të pafajshëm sa edhe francezët dhe flamuri rus ka të njëjtat ngjyra, të bardhë, blu dhe të kuqe si ai francez. Por rusët fatkeqësisht, nuk janë “sa duhet” perëndimorë, dhe në narrativën mediatike dominante sot mbi terrorizmin, ata nuk klasifikohen dot pa rezerva si viktima të “vërteta” apo “po aq të rëndësishme” të terrorizmit. As miliona sirianë të cilët arratisen me fëmijët e tyre natën e ditën, nga shteti i terrorist i Asad-it dhe nga “shteti” terrorist ISIS, vetëm për tu mbytur në Mesdhe me qindra e mijëra në heshtje mediatike, në eksodin e tyre drejt oksidentit, i cili u ka ngritur tela me gjemba të stilit nazist-komunist për ti çuar “politikisht” indirekt drejt vdekjes.

 
Duket sikur dhembsuria, solidariteti, zemërimi apo neveria nuk janë më emocione spontane. Duket sikur ndjenjat “provokohen”, “intensifikohen”, “përgjumen” apo “mpihen” nëpërmjet mediave. Mediat nuk zëvendësojnë vetëm aftësitë tona analitike të ngjarjeve, të motiveve të protagonistëve, të pasojave dhe parashikimeve. Ato tani duket se zaptojnë hapësirën afektive, po aq lehtësisht sa kanë zaptuar atë analitike, apo të “skemave tona mendore”.
Sipas The Guardian, në websitin e FBI-së në fillim të 2015 u publikua një statistikë “terrorizuese”: “Çdo vit 100,000 vajza dhe gra amerikane shiten e blihen si skllave seksi duke u detyruar të prostituoen” dhe “mosha mesatare e vajzave që futen në këtë tregti seksi është 12-14 vjeç”. Përsëri sipas The Guardian në vitin 2013, 6,233 meshkuj në Britaninë e Madhe mbi moshën 15 vjeç kryen vetvrasje, duke ua kaluar femrave për herë të parë në historinë e oksidentit. Nuk kam parë në asnjë vend të perëndimit që njerëzit të dalin në shesh, të ndezin qirinj apo të ndërrojnë statusin në facebook për këto viktima të tumoreve malinje “të mënyrës sonë së jetesës”. Këto tumore mjafton të injorohen nga faqet e para të mediave dhe efekti cannabis shihet menjëherë tek turmat konsumatore.

 
Terrorizmi, i cili “si rregull” mundet të jetë vetëm “qartësisht oriental, ezmer”, jo-perëndimor, është në vijë me tezën e përpjasjes së qytetërimeve, një luftë kundër “oksidentit bardhosh”, dhe thelbësisht ziliqar ndaj “mënyrës sonë së jetesës”. Nuk ekzagjeroj kur theksoj bashkë me religjionin dhe kahun gjeografik edhe racën. Në fakt, individë të frikshëm si norvegjezi i bardhë Anders Breivik, i cili ekzekutoi me arsenalin e tij privat ushtarak rreth 80 adoleshentë sepse ishte zemëruar me politikat “pro-islame” të qeverisë social-demokrate norvegjeze, në këtë narrativë nuk figurojnë dot si protagonistë të terrorizmit. Madje edhe Robert Lewis, amerikani i bardhë i krishterë i cili pak ditë më parë vrau 3 njerëz dhe morri peng 12 të tjerë në një klinikë aborti në Colorado Springs, SHBA nuk mund të konsiderohet mediatikisht një fanatik fetar terrorist, por thjesht një “vetmitar i dhunshëm” me motive akoma “të panjohura”.

 
Fakti që bërtet në veshët e “të gjithëve”, në mënyrë të përsëritur, që viktimat kryesore të terrorizmit oriental (qeveritar ose joqeveritar) janë civilët e pafajshëm muslimanë në Lindjen e Mesme dhe gjetiu, ashtu si viktimat kryesore të terrorizmit oksidental (qeveritar ose joqeveritar) janë civilë oksidentalë të bardhë, si rregull duhet të dobësonte tezën e përplasjes së qytetërimeve, dhe të reduktonte disi ankthin tek njerëzit të cilët e shohin veten në mes të një lufte apokaliptike midis së mirës dhe së keqes, të jetuar më tepër mediatikisht sesa realisht në sheshbetejë.

 

Fakti injorohet, jo sepse fshihet me sukses nga mediat (në fakt ato janë të pafuqishme për ta fshehur), por sepse është tepër “kompleks” për të hyrë në të menduarit iracional “bardhë-e-zi” pa nuanca gri, i cili aktivizohet në gjendje paranoje apo ankthi kronik të krijuar prej mediave.
Dështimi grotesk i qeverisë franceze, e cila zgjidhet dhe paguhet nga qyetetarët taksapagues për ti garantuar jetën dhe sigurinë, nuk është “breaking news”. Bombardimet me drone “oksidentale”, shpesh ilegale, sipas ligjeve ndërkombetare që krijojnë destabilitet politik, ndërfetar e ndëretnik e konflikte me mijëra e miliona viktima të pafajshme nuk përbëjnë aspak temë diskutimi serioz për opinionistët, dhe nuk duket të gjenerojnë asnjë “dislike” në facebook.

 
Teza që historikisht (dhe në mënyrë të nënkuptuar gjenetikisht), oksidenti është më superior moralisht dhe kulturalisht se orienti duhet braktisur njëherë e mirë, pasi qëllimisht kontribuon në shtimin e simptomave psikiatrike si ksenofobia dhe paranoja në popullatën vulnerabël perëndimore, e cila brendëson skema disfunksionale që nuk përputhen me realitetin. Turrat e druve për të pafetë, terrori i gijotinave jakobine në Paris, dy luftërat botërore, fashizmi, nazizmi, komunizmi dhe kampet e tyre të përqendrimit, janë pjella tërësisht oksidentale që kanë sjellë në oksident e gjetiu terror të pakrahasueshëm. Madje dhe krishtërimi, i cili në mënyrë të trashë paraqitet në narrativë si element “oksidental”, është me origjinë nga Lindja e Mesme, nga territoret e okupuara ilegalisht të Palestinës ku vetëm në verën e 2014-s, Izraeli, shteti semit hebre kolonialist që “përfaqëson” oksidentin demokratik, vrau 500 fëmijë semitë arabë dhe plagosi e gjymtoi 3,000 të tjerë me armët e prodhuara në oksident.

 
Mediat nuk kanë për qëllim të fotografojnë realitetin, por ta rrëfejnë atë. Ndërsa kjo rrëfenjë mund të jetë plotësisht e ligjshme, siç ishte e ligjshme dikur propaganda naziste dikur kundër, apo ajo komuniste ndaj armiqve të popullit, nuk është domosdoshmërisht e moralshme dhe s’kemi pse ta brendësojmë (natyrisht, po s’e patëm qejf vetë).

Fatkeqësisht, njerëzit në perëndim e lindje kanë boll sebepe për tu çmendur, duke filluar që nga krizat ekonomike që s’po duket të kenë fund, e padrejtësitë shoqërore që janë shpesh pjesë e themelit të sistemeve politike të ngritura nga kasta (jo shumë të fisme) që trashëgojnë pushtetin ndër breza, natyrshëm edhe me ndihmën e mediave të tyre.

Marsel Cara

Artikulli paraprakDjemtë nga Shkupi kujdesen edhe për zogjtë e malit
Artikulli vijuesGjeopolitika e rënies së çmimit të naftës