Mehmedi: Ky është fundi i Gruevskit në skenën politike

Nikolla Gruevski dështoi që të formojë qeverinë e re, pasi nga BDI vendosën të mos e mbështesin atë.

Kurse, Maqedonia tashmë ndodhet para një testi të madh, ku duhet të vendoset për të ardhmen e vendit.

Analistët politik, Qani Mehmedi, duke komentuar situatën e krijuar në Maqedoni, tha për KosovaPress se Gruevski deshi të shpëtoj kokën, por siç po duket nuk ia arriti.

“Prej mbajtjes së zgjedhjeve u pa se Maqedonia do të hyjë nga një krizë tjetër. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, tregoi se do të ketë probleme të panumërta për shkak se shifrat e deputetëve që do të ishin në Parlament të Maqedonisë e diktojnë një krizë të tillë. Pak kush që merr vesh prej situatës në Maqedoni ka menduar që Ali Ahmeti do të pranojë të hyjë me Gruevskin në një Qeveri. Kjo për shumë arsye, jo pse ai për shumë kohë, për shtatë tetë vite ka qenë bashkë me të dhe kjo në njëfarë forme e ka obliguar, jo pse atë nuk e ka obliguar fakti se ka qenë njëfarë marrëveshje që partia e parë prej maqedonëve dhe partia e parë prej shqiptarëve të krijojnë Qeverinë. Megjithatë, gjithë ajo zhurmë që u bë, gjithë ai spijunim që u bë, gjithë ato dokumente që dolën, gjithë ajo aferë rreth përgjimeve, nënkuptonte që duhet të pastrohet VMRO-ja prej kriminalitetit ekonomik dhe prej një var g krimeve të tjerë, dhe kjo Ali Ahmetin e ka vu në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë. Janë shumë afera, vrasje kriminalitet të pasqaruara të cilat Gjykata Speciale dëshiron t’i sqarojë. Gruevski deshi të shpëtoj kokën, por siç po duket nuk po mund ta shpëtojë. Tani është vështirë të parashikohet se cili do të jetë fati i tij politik, por mendoj se është fundi i tij, fundi i Gruevskit në skenën politike në Maqedoni”, tha ai.

Mehmedi daljen nga kjo situatë dhe zgjidhjen e problemit e sheh në një Qeveri të koalicionit të gjerë, ose një Qeveri teknike, e cila do të përgatiste zgjedhjet e reja në Maqedoni për gjashtë muaj ose një vit.

“Çka do të ndodh, unë mendoj se edhe krijimi i Qeverisë prej LSDM-së, nuk është ndonjë zgjidhje. Maqedonia është para dy problemeve të mëdha, para integrimeve euroatlantike, sidomos insistimi për pranimin në NATO, emri dhe një varg problemesh të natyrës së tillë dhe para problemeve etnike me shqiptarët që këto probleme i ka zvarritur, por siç po duket ka ardhur koha që t’i zgjidhim. Prandaj, një Qeveri e krijuar me asi numra, qoftë edhe prej FVS nuk zgjidh probleme, mund të krijohet, por nuk zgjidh probleme. Problemin e zgjidh vetëm një Qeveri e koalicionit të gjerë ose një Qeveri teknike, e cila do të përgatiste zgjedhjet për gjashtë muaj ose një vit dhe do të kishim zgjedhje të reja në Maqedoni. Sidoqoftë situata është e paparashikueshme, mund të ketë befasi shumë të mëdha, thellimi i krizës është evident. Në Maqedoni mund të priten dhe turbullira të llojllojshme, sidomos në qoftë se krijon qeveri LSDM me partitë shqiptare, turbullirat janë të pashmangshme, kështu që është një situatë shumë vështirë e parashikueshme”, tha ai.

Ai shtoi se ka ardhur koha që të shtrohen çështjet në tavolinën e krizave për t’u parë se çfarë mund të bëhet më tutje.

“Krizat në Maqedoni, të cilat kriza janë ushqyer që 25 vjet me probleme të pazgjidhura dhe tani ka ardhur koha që të shtrohen çështjet në tavolinën e krizave dhe të shihet çka mund të bëhet”, tha ai.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Ivanov duhet që t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë së Maqedonisë, fituesit të dytë të zgjedhjeve të fundit. Në këtë rast, Zoran Zaevit nga Lidhja Social Demokrate të Maqedonisë.

Përndryshe, Bashkimi Evropian pas mosarritjes së marrëveshjes për formim të qeverisë midis VMRO-DPMNE-së si parti fituese dhe BDI-së, deklaroi se tani pritet që presidenti, Gjorge Ivanov të realizojë konsultim urgjent me forcat politike në vend dhe të caktojë lider për formim të “qeverisë sa më të gjerë të mundur”.

Artikulli paraprakMaqedonasve iu hyn “tuta” në palcë: Shqiptarët po na marrin shtetin
Artikulli vijuesRama shkarkon ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani