Një grup prej 45 emigrantësh pakistanezë arriti në Dikili të Turqisë, pas një udhëtimi të shkurtër nga kampi i emigrantëve në ishullin grek Lesbos. Ky është grupi i dytë i emigrantëve që do të kthehen në bazë të një marrëveshje të debatueshme të Bashkimit Evropian me Turqinë. Ndërkohë, Gjermania njoftoi se numri i kërkesave për azil që ajo ka marrë ka rënë mjaft në muajin mars, njofton Zëri i Amerikës.
Zyrtarët gjermanë thonë se kërkesat e reja për azil në muajin mars ishin vetëm 20,000, krahasuar me 60,000 një muaj më parë. Gjermania ka sistemuar një numër të paprecedent refugjatësh, që nga fillimi i vërshimi i tyre për t’i shpëtuar dhunës dhe pasigurive ekonomike në Afrikë, Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme.
Kancelarja Angela Merkel mori në mbrojtje marrëveshjen për emigracionin të Bashkimit Evropian me Turqinë, ndërkohë që sondazhet flasin për skepticizëm në Gjermani lidhur me marrëveshjen, e cila është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut.
“Mendoj se ishte e drejtë arritja e kësaj marrëveshjeje me Turqinë për ndarjen e barrës. Turqia ka sistemuar 2.7 milion refugjatë sirianë si dhe 300,000 të tjerë që vijnë nga vende të ndryshme. Mendoj se nuk ka diskutim që Turqia duhet të mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian,” tha kancelarja gjermane.
Zonja Merkel këmbëngul se marrëveshja me Turqinë, është kyçi për të frenuar vërshimin e emigrantëve në Evropë.
Emigrantët e parë u kthyen mbrapsht nga Greqia të hënën.
Marrëveshja kërkon që Bashkimi Evropian të pranojë një numër sirianësh nga Turqia, fonde për Ankaranë, udhëtime pa viza për shtetasit e Turqisë dhe përshpejtimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Zonja Merkel tha gjithashtu se Evropa nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj kontrabandistëve.
Ajo i bëri komentet sot në Berlin pak para fillimit të bisedimeve me përfaqësues të organizatave që merren me refugjatët në Gjermani.