Në mesin e një shkretëtire gjendej një nënë me fëmijën e saj në krahë. Në atë çast Allahu i Lartmadhëruar e urdhëroi engjëllin e vdekjes të shkonte e t’ia merrte shpirtin nënës. Engjëlli hodhi sytë përreth në shkretëtirë. Asgjë prej gjëje, veç rërë e humbëtirë. “O Zot, si t’ia marr shpirtin një nëne me foshnjën në gji?” – “Bëj si të urdhëroj” – iu përgjigj i madhi Zot. Pas shumë vitesh, Allahu i Madhëruar e urdhëron engjëllin t’i marrë shpirtin një të moshuari në mes të shkretëtirës. Pasi engjëlli ia merr shpirtin plakut, Allahu e pyet: “A e di kush ishte ai?” – Jo, iu përgjigj engjëlli. – “Ishte fëmija i asaj nëne që ia more shpirtin dikur në shkretëtirë.”
Nëse shkretëtira do të simbolizonte jetën e njeriut në tokë, ne të gjithë do të ishim si fëmija i paditur e i pambrojtur në gjirin e nënës. Fati i një foshnjeje asnjëherë nuk varet nga mëshira dhe kujdesi i nënës së tij. Rëndom dëgjojmë se ndonjëherë nëna nuk e do fëmijën e saj dhe kërkon ta abortojë, apo ta braktisë. Ashtu siç Halil Xhibran thoshte në njërën nga poemat e tij se ne nuk u përkasim prindërve, por vijmë në këtë botë përmes tyre, se ata janë vetëm një mjet për të na sjellë këtu.
Njeriu, si qenie dhe si krijesë, i përket vetëm Zotit dhe askujt tjetër, ndaj Ai kujdeset për të. Ne vijmë në jetë me dëshirën e Tij dhe largohemi nga kjo botë me urtësinë dhe rahmetin e Tij. Prandaj vetë nëna që e mbart fëmijën në mitrën e saj, të cilës në arabisht i thuhet ‘rahim’ ngjashëm me një ndër emrat më të bukur të Zotit ‘Rrahman”, është shenjë e rahmetit dhe e kujdesit të Tij.
Ajo që mund të duket shumë paradoksale për perceptimin tonë njerëzor, nuk mund të jetë e tillë për caktimin hyjnor. Për një çast mund të mendojmë se Zoti bën padrejtësi dhe kjo mund të na shtyjë ta humbim besimin dhe shpresën tek Ai. Por si mund t’i bëjë Zoti padrejtësi robit të Tij, krijesës më të dashur që Ai e mbrujti me dëshirën e Tij, e ngriti mbi engjëjt dhe e përsosi me dituri të çmuar?! Allahu e do robin e Tij më shumë se një nënë fëmijën e saj. Nëse një nënë fluturon nga gëzimi kur fëmija kthehet në krahët e saj, pasi i ka humbur nga sytë për disa çaste, Allahu gëzohet më shumë kur njeriu kthehet tek Ai.
Kur profeti Ibrahim a.s. e la gruan e tij, hz. Haxheren dhe të birin, Ismailin a.s., në një luginë të shkretë në Mekë, ajo e pyeti: “O Ibrahim! Në dorë të kujt po na lë këtu?! As ujë, as ushqim dhe as njerëz! A Zoti të ka urdhëruar për diçka të tillë?!” dhe ai tha: “Po”. Atëherë Haxherja tha një fjalë, e cila është mësim për burrat para se të jetë për gratë: “Atëherë Zoti nuk do të na braktisë.” Kur Ibrahimi a.s. u largua, duke i lënë ata në luginën e thatë, pa ushqim dhe pa ujë, Haxherja iu mbështet Zotit. Ajo kishte besim se Ai nuk do ta braktiste. Pasi përfundoi ushqimi dhe uji që kishte me vete, djali filloi të qajë nga etja dhe uria. Është diçka shumë e rëndë për nënën të dëgjojë foshnjën të qajë nga uria dhe të mos ketë ç’t’i japë. Ndaj ajo nisi të kërkojë ujë duke vrapuar dhe duke ardhur rrotull shtatë herë ndërmjet kodrave Safa dhe Merve, derisa zbriti mëshira, rahmeti hyjnor. Në këmbët e foshnjës filloi të gurgullonte uji ‘zemzem”, burimi i jetës dhe i ekzistencës së tyre në atë vend. Për ta përjetësuar shqetësimin e madh të kësaj gruaje për fëmijën e saj, Zoti e bëri obligim ritualin e Saj-it , ecjen shtatë herë mes dy kodrave Safa dhe Merve, ndoshta për t’u përkujtuar besimtarëve se nuk duhet hequr dorë nga shpresa dhe kërkimi i mëshirës hyjnore, derisa ajo të vijë. Mbase Haxherja mund të kishte kërkuar edhe më gjatë, por durimi dhe këmbëngulja e saj nuk kishte se si të mos i prekte i dyert e qiellit dhe të mos shpërblehej aty për aty me begatitë e Rrahmanit, Gjithëshpërblyesit.
Nëse distanca mes Safas dhe Merves do t’i përngjante udhëtimit tonë në jetë, atëherë kërkimi i ujit do të ishte sfida jonë për të rezistuar në këtë botë, ndërsa shpresa në Mëshirën Hyjnore dhe mbështetja te Zoti do të ishin fryma dhe motivimi gjatë këtij udhëtimi në udhëkryqet dhe luginat e jetës.
Kur nëna e Musait u frikësua se mos Faraoni urdhëron që t’ia vrasin fëmijën e porsalindur, Zoti e frymëzoi që ta hedhë në lumin Nil.
“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)
A ndodh që një nënë të hedhë fëmijën në lumë?! Kështu do të mendonte çdokush që e ka besimin të lëkundur. Me të vërtetë mbështetja te Zoti është themeli i besimit të njeriut. Si mund të kesh dyshim në të Gjithëfuqishmin, në dorën e të Cilit janë të gjitha çështjet? Vërtet Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë. Ai është Njohësi i të fshehtës dhe i të dukshmes, askush nuk e vë në dyshim urtësinë e inspirimit të Tij. Nëse kësaj gruaje do t’i hiqje besimin dhe mbështetjen te Zoti, ajo do të quhej e marrë.
Kur gruaja e faraonit, Asija, i besoi Musait dhe iu mbështet Zotit nga mizoria e të shoqit, i cili e pandehte veten sovran të jetës dhe vdekjes së popullit të Egjiptit, në çastin përpara se të ndëshkohej nga faraoni, ajo u lut me fjalët: “Zoti im! Ndërtomë një shtëpi tek Ti, në Xhenet; më shpëto nga faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës!” (Tahrim, 11)
Thuhet se ende duke qenë gjallë, përpara se ta vrisnin, asaj iu shfaqën kopshtet dhe bukuritë e xhenetit si dhe vendi i caktuar nga Zoti për të. Edhe pse vetë kishte jetuar në pallate luksoze, Asija nuk lutej që Zoti t’i jepte një pallat në xhenet, por thjesht një shtëpi. Ndërkohë që përjetonte atë vegim, asaj i regëtinin sytë dhe filloi të buzëqeshte, aq sa kjo gjë e bëri faraonin të mendonte se ajo kishte lajthitur. Qëndrimi dhe durimi përballë torturave ia shtuan vlerat dhe e radhitën ndër katër zonjat e xhenetit.
Edhe njëherë shfaqet fuqishëm forca e besimit dhe e mbështetjes te Zoti. Besimi ynë do të jetë gjithnjë i mangët pa mbështetjen dhe strehimin e zemrave tona tek Urtësia dhe Rahmeti i Tij. Në shumë ajete në Kur’an, Allahu xh.sh. sjell shembuj urtësie për t’i garantuar kështu besimtarët për mbështetjen e Tij, duke i ftuar që të reflektojnë dhe të gjejnë forcë te këta shembuj të rrallë në historinë njerëzore.
Shembujt e mësipërm, jo pa qëllim, kanë në epiqendër lidhjen e nënës me fëmijën, sepse nuk ka formë tjetër që mund t’i përafrohet lidhjes së Zotit me robin e Tij sesa forca e madhe e besimit të sinqertë dhe dashuria që fshihet në zemrën e ndjeshme të një gruaje. Mëshira e Allahut ka përfshirë gjithçka, duke tejkaluar ndëshkimin e Tij.
O Zot, mos na bëj kurrë që ta humbim shpresën tek Ti dhe mos na lër t’i mbështetemi vetes sonë as sa një lëvizje e syrit. Na fal dhe na përfshi në Rahmetin Tënd!
Smeralda Çaça
/Revista Drita Islame/