Mësimet e dala në 10 vjetorin e pushtimit të Irakut

Më 23 Mars 2013 do të shënohet 10 vjetori i pushtimit të Irakut nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në lidhje me procesin dhe rezultatet e këtij 10 vjeçari mbretëron një mendim i përgjithshëm se nuk janë më të avancuara ose më të mira nga periudha e Saddam Husejnit. Madje mund të themi se situata e sotshme është më e keqe dhe më e rrezikshme në krahasim me periudhën para pushtimit. Ky opinion nuk është vetëm i vëzhguesve siç jam unë ose i akademikëve, por është opinion edhe i pushtuesve dhe përkrahësve të tij. Nuk është hera e parë që shoqëria amerikane, me në krye anëtarët e udhëheqjes së Bushit, të deklarojnë se pushtimi i Irakut nuk ishte pozitiv. Zgjedhja e Obamas për një mandat të dytë është tregues se shoqëria amerikane të paktën shumica e saj janë kundër luftës. Në anën tjetër, janë të njohura edhe keqardhjet e disa sekretarëve të kabinetit të Bushit (si p.sh. Sekretari i Shtetit, Colin Powell) në lidhje me çështjen e pushtimit të Irakut.

Dihet që këtë keqardhje nuk e ndjejnë vetëm pushtuesit, por edhe përkrahësit e tij. Një shembull mjaftë i theksuar në lidhje me këtë çështje është deklarata e Kadum El Xhaburit, i cili ndodhej në mesin e atyre që rrëzuan skulpturën e Saddam Husejnit menjëherë pas pushtimit. Xhaburi në atë kohë deklaroi: “Do të doja sikur të mos e bëja një gjë të tillë”. Ai ishte njëri prej atyre që mendonin se në Irak situata është duke u përkeqësuar.

Këta shembuj tregojnë që ata të cilët pushtimin fillimisht e shikonin si një fitore dhe sukses, tani këtë e vlerësojnë si një humbje dhe fatkeqësi. Mendoj se duhet të vlerësohet mirë rezultati i fituar nga përvoja e këtyre 10 viteve dhe nga kjo të nxirren mësimet e duhura.

Ashtu siç kishte prej atyre që humbën gjatë këtij procesi të pushtimit dhe luftës, ashtu kishte edhe të tillë që nuk u dëmtuan fare nga ky proces, madje edhe prej atyre që fituan. Kjo nuk është rezultat i përkrahjes së tyre të pushtimit dhe luftës, por të kundërtën, është rezultat i mbetjes jashtë tyre. Në këtë rast duhet të nënvizojmë emrat e dy shteteve. E para është Turqia, e cila me mocionin e njohur të 1 marsit 2003 nuk e dha përkrahjen e saj pushtimit dhe nuk mori pjesë në luftë. Turqia, duke mos rënë në vorbullën e destabilitetit në Irak, ajo nuk pësoi dëme të mëdha qoftë në kuptimin ushtarak dhe ekonomik, qoftë në kuptimin e imazhit dhe pozitës. Sado që zhvillimet në zonën e kurdëve në veri të Irakut që u jetuan pas pushtimit shqetësuan Turqinë, sot nga pozita e saj duket qartë se sa në epërsi është Turqia. Ndërsa vendi tjetër që është në epërsi është Irani. Dalja nga kontrolli i planeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pushtimin e Irakut, bëri që Irani të jetë më aktiv në Irak për shkak të lidhjeve kulturore, sektare dhe sociale me këtë vend.

Tani të bëjmë pak fjalë në lidhje me arsyet e këtij dështimi, pra pse dështoi pushtimi? Pushtimi i Irakut i bazuar në gënjeshtra dhe mashtrime të atyre që pushtuan këtë vend gjendet në krye të kësaj. Udhëheqja e Bushit këtë pushtim e kishte bazuar në pretendime se udhëheqja e Saddam Husejnit posedon armë nukleare, përkrahë Al Kaedën dhe nuk është demokratike. Qysh prej ditës së parë është kuptuar se këto pretendime të Bushit nuk pasqyrojnë të vërtetën. Thënë me një proverb turke, “Qiriu i gënjeshtarit digjet deri në jaci”. Ndoshta është e mundur që kjo të shpjegohet nga aspekti politik, por për ta kuptuar më mirë do të ishte e dobishme ta rikujtojmë një të vërtet të vlefshme në marrëdhëniet njerëzore. Marrëdhëniet mes vendeve ashtu sikur marrëdhëniet njerëzore, nuk mund të arrijnë lumturinë dhe suksesin nëse bazohen në gënjeshtra. Puna e kryer me gënjeshtra dhe mashtrime nuk do të ketë rezultate të mira. Ky ishte mësimi që doli nga kjo përvojë 10 vjeçare.

Arsyeja e dytë është që pa marr parasysh se sa e madhe është epërsia ushtarake është vështirë që të kontrollohet dhe menaxhohet një vend me anë të pushtimit. Shumica e përvojave në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe teoritë tregojnë se nuk është e mundur që të arrihen rezultatet e duhura me anë të luftërave. Kështu që as Lufta e Parë Botërore e posaçërisht as Lufta e Dytë Botërore nuk përfunduan në mënyrë të dëshiruar nga ata që filluan këto luftëra. Ndërkohë që Rusia e filloi Luftën e Parë Botërore, ajo mori fund me revolucionin bolshevik, ndërsa Gjermania e Hitlerit, e cila e filloi Luftën e Dytë Botërore, jo vetëm që doli humbëse, por në të njëjtën kohë u nda në dysh dhe ishte e detyruar të jetoj nën kontrollin e shteteve të jashtme (SHBA) për një kohë të gjatë. Këto dy luftëra tregojnë që përpjekjet për të ndikim, epërsi dhe sukses me anë të luftërave përfundojnë me dëme.

Sepse përpjekjet që problemet në një periudhë moderne të zgjidhen me metoda ushtarake janë iracionale dhe kjo është arsyeja e tretë. Sado që fuqitë klasike ushtarake dhe armatat janë të mëdha, ato nuk mund të mbrojnë veten nga lëvizjet guerile dhe rezistuese të vendeve që pushtuan. Këto ushtri të dizajnuara për luftëra në fronte kanë vështirësi të përballojnë operacionet godit dhe ik dhe ato demoralizuese. Për më tepër pushtimi i suksesshëm i një vendi me metoda ushtarake nënkupton menaxhimin me sukses të atij vendi nga aspekti politik, social dhe ekonomik. Ndërkaq suksesi i pushtimit të ushtarëve nuk pasqyrohet në procesin e menaxhimit dhe performancën për arsye të kuptueshme. Sepse udhëheqja e një vendit është më e ndjeshme se sa pushtimi, ajo kërkon mjeshtëri dhe aftësi.

Ndërsa arsyeja e katërt është se një shtet, i cili nuk mbështetet në pëlqimin e popullit dhe nuk merr përkrahjen e plotë të tij nuk mund të jetë i suksesshëm. Është e mundur që me dhunë dhe luftë të rrëzohet një shtet, por shtresa e popullit nuk mund të tretet lehtë ose nuk mund të arrihet në pikën e dëshiruar. Gjithashtu është shumë e vështirë që një udhëheqje pushtuese, e cila nuk bazohet në ndërgjegjen e popullit, kërkesat e drejtësisë, nevojave ditore, kërkesave për pjesëmarrje politike dhe më e rëndësishmja në legjitimitetin, të vazhdojë ekzistencën e saj në vendin e pushtuar.

Dhe së fundmi, nëse një vend pushtohet dhe nuk krijohet një rend më i mirë ekonomik, politik, administrativ dhe i sigurisë se ai i mëparshmi, atëherë nuk është e mundur që të merren rezultate pozitive nga ky pushtim.

Këto rezultate duhen të vlerësohen me kujdes nga ana e gjithë popujve me në krye udhëheqësit e vendeve dhe të nxjerrin mësimet e duhura. Këto mësime nuk duhet të mbeten të shënuara vetëm në libra, por të zbatohen për problemet aktuale dhe në të ardhmen. Sepse njerëzit në çdo periudhë ballafaqohen me sprova të tilla siç janë ato të ditëve të sotme.

Autor: Prof. Dr. Ramazan Gozen/trt/kohaislame.com

Artikulli paraprakSafari me 61 për qind të tregut të shfletuesve për mobil
Artikulli vijuesKarafili dhe Lulja e Karafilit