Përpara se të instalohet Rendi i Ri Botëror, do të ndryshojë sistemi aktual

Analizë nga kolumnisti dhe autori turk, Nedret Ersanel, në lidhje me sistemin aktual, rendin e ri botëror dhe zhvillimet më të rëndësishme të fundvitit 2016 në arenën ndërkombëtare…
Për Sirinë, Irakun dhe përfundimisht për çdo gjë që ka dalë nga shinat në Lindjen e Mesme, po pritet data 20 janar 2017, pra, dita që “presidenti i zgjedhur i SHBA-së” do të ulet zyrtarisht në kolltukun e Zyrës Ovale.

Sigurisht që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tashmë një çështje diskutimi për sa i takon efektivitetit të tyre si element zgjidhjeje për të gjitha ekuilibrat e rajonit, por deri në muajt mars-prill do të qartësohen opinioni dhe mënyra sesi do të veprojnë Uashingtoni, Donald Trumpi dhe ekipi i tij…

Deri atëherë, të gjithë aktorët e tjerë, përfshi këtu edhe Turqinë, do të veprojnë me shpejtësi për të ruajtur kolltukët më të rehatshëm të tavolinës dhe për të mbledhur sa më shumë karta të fuqishme.

Pikërisht kjo është gjendja e tanishme…

“Marrëveshja” për armëpushim në Siri midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit nënkupton njëherësh edhe shtyrje nga terreni të atyre, që e kanë transformuar rajonin në ferr për të pafajshmit.

“Rusia, Irani dhe Turqia nuk kanë një agjendë të fshehtë për Sirinë. Perëndimi duhet të respektojë marrëveshjen për Sirinë. Jo çdo pikë e marrëveshjes mund t’u pëlqejë disave në SHBA dhe BE. Por kështu e ka jeta. Duhet të mësohen”, ishte shprehur më 23 dhjetor 2016 zv/ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Ryabkov. Me këto fjalë ai përkufizonte gjendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilësuara nga vetë Putini si fuqia më e madhe, madje si superfuqia e vetme në botë. Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar, organizuar në qytetin Shën-Petërburg, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte prononcuar kështu: “SHBA-ja është një fuqi e madhe. Sipas gjasave, tani është superfuqia e vetme në botë. E pranojmë këtë fakt. Duam të bashkëpunojmë me SHBA-në dhe jemi gati për këtë.”

Refuzimi i këtij propozimi nga Obama dhe administrata e tij, paraqitur vetëm 6 muaj më parë nga Moska, po kritikohet ashpër prej një kohe të gjatë në vendtubimet zyrtare të Uashingtonit.

Ky bashkëpunim nuk do t’i propozohet më SHBA-së. Megjithatë autoritetet amerikane theksojnë se do ta rishqyrtojnë atë gjatë disa muajve në vijim.

Por si?

“Amerika mund të pranojë dhe përtypë një dominim/rend të instaluar nga Rusia-Turqia dhe Irani në Siri. Mirëpo nuk duhet të lejojë kurrë dobësimin e marrëdhënieve të Turqisë me aleancën perëndimore dhe humbjen e një partneri si Ankaraja”, shkruhet në një nga komentet më të spikatura të gazetës “The Washington Post” (Josh Rogin – How the Obama administration pushed Turkey into Russia’s arms), publikuar më 22 dhjetor 2016.

Sistemi aktual amerikan, i cili po e vazhdon simbiozën (bashkëjetesë parazite) me administratën Obama, i la trashëgimi SHBA-së një politikë të jashtme të diskutueshme dhe, çuditërisht, është duke bërë përpjekje intensive që të lërë për administratën e ardhshme të Uashingtonit gjithashtu një amanet më të thellë “antiRusi/Putin”, i cili do të ndreqë gabimet në politikën e jashtme dhe do të tensionojë linjën Moskë-Ankara. Duke parë këto manovra, arrijmë në përfundimin sikur ekziston një organ i posaçëm, të cilin mund ta quajmë “Instituti i Kurdisjes së Kohezioneve Domethënëse”…

Atentati vdekjeprurës ndaj ambasadorit rus në Ankara u realizua një ditë përpara samitit Turqi-Rusi-Iran. Kurse sulmi terrorist në Besiktas të Stambollit u krye përpara vizitës së Presidentit Erdogan në Kazakistan; si pasojë vizita u shty. Ditën e atentatit, lideri turk, ai rus dhe homologu kazak ishin duke rënë dakord mbi një takim të ri.

Sipas pretendimeve, një nga pikat e akordit të mundshëm ka të bëjë me një luftë të përbashkët kundër PKK/PYD-së, ku do të përfshihen Teherani e Moska, madje edhe qeveria e (!) Damaskut.

Në deklaratën e tij të parë pas atentatit, Kryeministri turk, Binali Yildirim, kishte thënë se “kjo ekspozitë ishte një aktivitet i rëndësishëm, i cili në të vërtetë shpjegonte të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve Rusi-Turqi”…

Vlen të rikujtojmë se ekspozita, ku mbeti i vrarë ambasadori rus, titullohej “Nga Kaliningradi në Kamçatka”!

Të njëjtën mbrëmje, një sulm terrorist goditi edhe Gjermaninë.

Ndërsa komunikata e Rusisë demonstron se Ankaraja dhe Moska ndajnë të njëjtat pikëpamje në lidhje me atentatin dhe qarqet apo njerëzit, që fshihen pas tij.

Vrasja e ambasadorit të një superfuqie është përherë një zhvillim tepër i rëndësishëm. Por kapërcimi i një krize të kësaj përmase brenda vetëm disa orëve është shumë herë më i rëndësishëm. Këtu luajti rol madhor procesi dhe arsyetimi bindës i Presidentit Erdogan.

Rusia e ngriti çështjen me shpejtësi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe nxori një rezolutë dënuese, ndërkohë që bëri të qartë se këtë çështje nuk e shikon vetëm si një problem rajonal.

Për një shpjegim më të qartë, po ju paraqesim një retrospektivë kronologjike të muajit dhjetor 2016:

16 dhjetor – Departamenti amerikan i Shtetit dhe CIA kërkuan të falur nga Turqia në lidhje me pretendimin për tregti nafte të saj me organizatën terroriste DAESH. Në komunikatë, mes të tjerash u përmend se Rusia nuk i ka kërkuar ende falje Turqisë për të njëjtin pretendim…

18 dhjetor – Obama deklaroi se “Turqia ka një ushtri të madhe, por nuk vendosi (në kohë) rendin përmes saj në Siri”…

19 dhjetor – Një avion ushtarak rus me 39 persona në bord u rrëzua në Siberi…

19 dhjetor – Bashkimi Evropian zgjati zyrtarisht afatin e sanksioneve kundër Rusisë…

19 dhjetor – Rusia bëri me dije se Duma do të miratojë projektin e gazsjellësit “Rryma Turke”…

19 dhjetor – Ambasadori rus në Ankara, Andrey Karlov, humbi jetën si pasojë e një atentati në kryeqytetin turk…

19 dhjetor – Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë u gjend i vdekur në banesën e tij në Moskë…

21 dhjetor – Kremlini njoftoi “ndërprerjen e kanaleve të komunikimit ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë”…

23 dhjetor – “Formati tresh me pjesëmarrjen e Rusisë, Turqisë dhe Iranit provoi se është efikas në çështjen e Sirisë. Ky format duhet të vazhdojë me doemos. Ftojmë SHBA-në që edhe ajo t’u bashkohet përpjekjeve të Rusisë, Turqisë dhe Iranit”, deklaroi Putin në konferencë vjetore për shtyp…

24 dhjetor – “Pas datës 20 janar, Amerika do të drejtohet nga një president i ri. Do të bisedojmë gjithashtu me të dhe stafin e tij. Kjo pjesë e punës në Al-Bab ka marrë fund, por tani e ka radhën Manbiji. Ndërsa pas Manbijit, në rast se arrijmë të bashkëpunojmë dot me Amerikën, në plan është Rakka”, u shpreh Presidenti Erdogan…

24 dhjetor – Yves Chandelon, shefi i seksionit të auditit të NATO-s, u gjet i vrarë me plumb në kokë brenda makinës së tij, në Belgjikë…

25 dhjetor – Një avion rus (Tupolev), tip “Tu-154”, u rrëzuan në Detin e Zi bashkë me 93 veta në bord, pasi ishte ngritur në fluturim nga Soçi…

26 dhjetor – Alarm për sulme me bomba në Moskë; evakuohen mijëra persona nga 3 stacione treni…

26 dhjetor – Gjendet i vdekur në makinën e tij Oleg Erovinkin, drejtues i kompanisë “Rosneft” dhe krah i djathtë i presidentit të saj, Igor Sechin. I konsideruar si “kutia e zezë e Putinit”, Erovinkin ka qenë një agjent i shquar i KGB-së që prej vitit 1976 dhe një gjeneral i FSB-së (inteligjenca ruse)…

26 dhjetor – Haidar Jabar Abodah al-Dabbah, atashe për kulturën i Ambasadës së Irakut në Moskë, u gjend i vdekur në selinë e misionit diplomatik…

Lidershipi rus ka bërë dy deklarata kritike në lidhje me atentatin ndaj ambasadorit Karlov:

E para është kjo deklaratë e Putinit: “Për të qenë transparent, kisha dyshime në lidhje me tezën e rrëzimin e avionit tonë pa urdhrin e lidershipit turk, nga persona që duan të dëmtojnë marrëdhëniet Rusi-Turqi. Por tani, pas sulmit të një polici ndaj ambasadorit tonë, mendimi im ka nisur të ndryshojë.”

Ndërsa e dyta është ajo e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov: “Moska është e mendimit se duhen pritur rezultatet e grupit të përbashkët hetues. Siç ka theksuar edhe Presidenti Putin, derisa të përmbyllen hetimet, nuk duhet të nxirren përfundime në lidhje me ata, që fshihen pas atentatit.”

Kremlini është i bindur se atentati synonte prishjen e marrëdhënieve Turqi-Rusi, por, në anën tjetër, thekson gjithashtu se në shënjestër janë edhe marrëdhëniet Rusi-Amerikë e Moskë-Trump.

Përkthimi i deklaratës “derisa të përmbyllen hetimet”, bërë nga Moska në lidhje me vrasjen e ambasadorit Karlov, është “derisa të konsultohemi me presidentin e ri të SHBA-së”.

Atentati dhe qarqet apo njerëzit e fshehur pas tij synojnë mbi të gjitha mosintegrimin e SHBA-së në trekëndëshin Rusi-Turqi-Iran, i cili ka aktualisht pozicionin dominues në Siri; pasi në këto rrethana dy superfuqi njëherësh mund të fshijnë FETO-n nga faqja e dheut.

Ndërkohë, diplomacia e fshehtë e realizuar deri më tani nga Donald Trumpi, që më 20 janar do të marrë zyrtarisht çelësat e Shtëpsë së Bardhë, sinjalizon një rifreskim të mundshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy superfuqive.

Artikulli paraprakMinistri izraelit: Shikoni çfarë i kanë bërë Kosovës, SHBA, Rusia e BE
Artikulli vijuesVeterani i CIA-s: Hitleri mbijetoi. Ja se çfarë ndodhi me të