Metodë e re për ruajtjen e kartave të kreditit

Lajmi i kohëve të fundit se të dhënat e 40 milionë kredit kartave të përdorura në qendrat tregëtare Target, ishin bërë pre e sulmeve kibernetike, ka ngjallur shqetësime lidhur me sigurine e kartave plastike. Ato përmbajnë informacion financiar në një shirit magnetik, ose një çip një mikroprocesor që komunikon me një kompjuter. Shkencëtarët në Britani po bëjnë eksperimente që t’i vënë të dhënat jo në një çip të vecantë por direkt në plastikë. Kjo metodë është në fazat e hershme por kompania që po merret me këtë teknologji thotë se disa kompani kartash krediti po shfaqin interesim.

Shumica e kartave të kreditit dhe atyre bankare përdor shirita magnetikë që kanë të dhëna të koduara për llogarinë bankare dhe numrin e identifikimit të personit që i ka ato.

Karta të tjera krediti i ruajnë të dhënat personale në çipe që komunikojnë pa kabëll me ata që lexojnë këto karta. Të dy këto sisteme janë të ekspozuara. Kriminelët mund t’i vjedhin këto të dhëna duke kryer sulme kibernetike në sistemet kompjuterike të bankës ose dyqaneve, apo si në rastin e Target, duke manipuluar makinat që lexojnë kartat në dyqane.

Shkencëtarët në Britani thonë se po zhvillojnë një metodë që t’i bëjnë më të sigurta të dhënat e koduara, duke i përfshirë në vetë plastikën.

Gordon Smith, profesor nderi në Grupin e Prodhimit Warwick Manufacturing Group, në Universitetin e Warwick-ut, thotë se studiuesit po programojnë një makineri të derdhjes së plastikës për të përdorur ngjyrat e kartës për të koduar të dhënat.

“Ndërsa plastika transformohet nga forma e shkrirë në solide, ne i përdorim ngjyrat në mënyrë të tillë që të krijojnë imazhe specifike”.

Mënyra sesi pigmenti konfigurohet brenda plastikës, garanton sigurinë e të dhënave. Kur karta kalon përmes një skaneri të posacëm, të ngjashëm më makineritë që lexojnë shiritat magnetikë të kartës, programi kompjuterik lexon imazhin e krijuar që ruan të dhënat.

“Në fillim kur krijuam imazhet brenda plastikës, ne menduam se do të ishte thjesht një zgjidhje estetike, por pastaj kuptuam se nëse arrinim ta përfshinim, mund t’i shtonim një ngjyrë, në mënyrë që imazhi të ishte i fshehur dhe kështu kjo zgjidhje u bë shumë më e vlefshme”.

Smith e pranon se sistemi mund të komprometohet nëse dikush zbulon sesi është prodhuar karta, por shton se gjasat janë të pakta që kjo të ndodhë, pasi për të realizuar një gjë e tillë pirati kompjuterik duhet të ketë qasje në një makineri derdhjeje plastike që kushton mbi 300 mijë dollarë.

Licencat për këtë metodë të re nuk janë miratuar ende dhe ajo nuk është përdorur asnjëherë për efekte tregëtie. Por Smith thotë se disa kompani kartash krediti kanë shprehur interesim për këtë teknologji.

Artikulli paraprakKore e Jugut, vidhen të dhënat e 20 milionë kartave të kreditit
Artikulli vijuesMursi sërish para gjyqit