Mijëra qytetarë të Tetovës marshuan rrugëve të qytetit kundër ndotjes së ajrit

0
190

Mijëra qytetarë të Tetovës të shoqëruar nga profesorë, studentë, mjekë dhe artistë të mbledhur në sheshin “Ilirida” marshuan në shenjë proteste kundër ndotjes së ajrit, në drejtim të unazës në hyrje të Tetovës nga ana e Shkupit, ku dhe bllokuan rrugën për disa minuta, raporton Anadolu Agency (AA).

 

Kryetari i organizatës joqeveritare “Eco Guerilla” dhe njëkohësisht iniciator i protestës, Arianit Xhaferi, tha se Tetova dhe rajoni i Pollogut është shëndërruar në një komorë gazi dhe në një laborator gjigand ku eksperimentohet shëndeti i popullatës së kësaj rrethine. “Beteja jonë kundër Jugohromit nuk është betejë kundër të punësuarve në atë fabrikë, nuk është kundër familjeve të tyre, por është kundër pangopësisë së pronarëve të asaj fabrike që duan të kënaqin xhepat e tyre të thellë duke helmuar popullsinë”, tha Xhaferi.

 

Ai i bën thirrje Qeverisë së Maqedonisë që të mos tallet me fatin e qytetarëve dhe të detyrojë ndotësit të ndalin menjëherë helmimin e ajrit sepse qytetarët nuk mund të ndalin dot frymëmarrjen dhe se çdo ditë e re sjell helmime të reja.

 

“Ndoshta ndërgjegjja dhe vetëdija nuk ishte gjithë aq e nivelit para se kompetentët, mjekët dhe të gjitha ata që njohin mirë pasojat nga ky helmim masiv të na vetëdisojnë profesionalisht dhe të na bindin me argumente të dëshmueshme se vërtet gjendja është alarmante”, u shpreh profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti, në fjalën e tij para qytetarëve i cili theksoi se këto situata apeli i drejtohet atyre të cilët kanë përgjegësi t’i bëjnë këto vendime publike sepse nuk është në pyetje ndotja por është helmimi masiv.

 

Menafi shtoi se në botën e zhvlluar ndotja regullohet edhe me intrumente tjera, si taksa dhe tatime ekologjike, mirëpo sipas tij këtu nuk ndihmojnë këto forma dhe e vetmja mënyrë e regullimit është ndalesa e përnjëhershme me një prioritet duke filluar nga ndotësi më masiv siç është kompania Jugohrom.

 

Nga ana tjetër, vokalisti i rok grupit tetovar “Elita 5”, Arif Ziberi, duke theksuar se është momenti i fundit për të protestuar për një të drejtë që dikush u’a mohon dhe se ajri është gjëja më e shenjtë për secilin njeri shtoi: “Apeloj tek e gjithë popullata të dalin të protestojnë për një ajër të pastër të Pollogut, ndërsa pushtetarëve u apeloj është momenti që të dalin në krah të popullatës, domethënë në krah të atyre që i kanë votu dhe që janë zotu që të punojnë për të mirën e popullatës”.

 

Venera Limani, në emër të nënave të Tetovës tha se ato që institucionet dinë është se Tetova dhe qytetarët e saj të urtë dhe prindërit e qytetit me natalitet më të lartë në shtet kur nuk kanë kërkuar të pamundurën. “Nuk kemi kërkuar as faqe të gjelbërta dhe as kopshte moderne, as repart të pediatrisë të standardeve evropiane dhe as gjinekologjike, por kërkojmë thjeshtë ajër dhe atë të drejtë duhet të na mundësoni”, u shpreh e revoltuar Limani.

 

Nuk mungoi edhe një fëmijë i vogël i cili u drejtua me disa fjalë duke i’u lutur ministrit të ekologjisë që t’i shpëtojë nga kjo ndotje dhe të marrë masa t’i shpëtojë nga Jugohromi. “Ne nuk duam helm, ne duam ajër”, tha ai.