Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Bushati vizitë dy ditore në Egjipt

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati është duke zhvilluar një vizitë zyrtare, dy ditore në Egjipt, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate për shtyp nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ministri Bushati ka zhvilluar një takim me homologun e tij egjiptian Shkuri si dhe Sekretarin e Ligës Arabe el-Arabi.

Në takimin me Ministrin e Jashtëm egjitpian Shukri, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe u theksuan lidhjet e forta historike që ekzistojnë mes dy popujve.

Në deklaratën e Ministrisë thuhet se Ministri Bushati ka shprehur ngushëllimet e popullit dhe qeverisë shqiptare për jetët e humbura në sulmin e fundit terrorist kundër forcave egjiptiane të sigurisë në Sinai.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se palët diskutuan për zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor dhe ndanë pikëpamje mbi bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit si një sfidë e përbashkët ndaj së cilës nuk është i imunizuar asnjë vend dhe që kërkon bashkërendim aktiv.

“Palët vlerësuan gjithashtu dhe nivelin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Agjencisë Egjiptiane të Partneritetit për Zhvillim” thuhet në deklaratën për shtyp të MPJ së Shqipërise dhe theksohet se Ministri Bushati i ka kërkuar palës egjiptiane zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit dhe bujqësisë, si dhe rritjen investimeve të drejtpërdrejta.

Në deklaratën thuhet se në fund të takimit, dy homologët nënshkruan një marrëveshje mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Arabe të Egjiptit për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në çështjet doganore.

MPJ e Shqipërisë njofton gjithashtu se Bushati ka zhvilluar një takim edhe me Sekretarin e Ligës Arabe, Nabil el Arabi e cila ka selinë e përhershme në Kajro të Egjiptit ku thuhet se janë diskutuar tema në lidhje me ngjarjet e fundit ndërkombëtare.

Bushati në vizitën e tij dy ditore në Egjipt pritet që nesër të takohet me Ministren e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Nagla Anuar El-Ehuani, Ministrin e Turizmit, z. Hishman Zazu, përfaqësues të diasporës shqiptare si dhe përfaqësues të biznesit egjiptian./kohaislame

Artikulli paraprakAplikacionet më të mira të muajit janar 2015 për Android, iOS dhe Windows Phone
Artikulli vijuesTarifat e ujit të pijshëm në Ballkan