Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për sigurimet shëndetësore.
Ministri Ismaili bëri të ditur se Ligji për sigurimet shëndetësore do të miratohet sivjet.
“Problemi i sigurimeve shëndetësore tregon shkurt-pamësinë e disa deputetëve të LDK-së se ligji nuk e krijon sistemin, por është një kornizë që t’i tregon rregullat si duhet me funksionu, nuk e ndërton institucionin. Çka nuk e kuptojnë është se ligji i tregon rregullat e institucionit, nëse s’ka sistem, institucion, njerëz aty ligji nuk qohet vet me ofru shërbime”, u shpreh ministri.
Ministri i Shëndetësisë po ashtu njoftoi se është miratuar Bordi i sigurimeve shëndetësore, është zgjedhur drejtori i sigurimeve shëndetësore me Ambasadën britanike, pastaj me Bankën botërore kanë marrë mbi 5, 6 ekspertë që janë duke punuar, si dhe kanë hapur një tenderë ndërkombëtarë së bashku me Bankën Botërore për sigurimin e sistemit informativ të fondit.
“Janë duke u bërë lëvizje që asnjëherë s’kanë ndodhur drejt zotimit tonë, që në fund të 2019-së ta kemi një sistem shëndetësor, ligjin për sigurimin shëndetësore dhe infrastrukturën…”, tha ministri Ismaili.
Ai bëri të ditur edhe prioritetet për vitin 2019, duke thënë se në fokus do të jenë sigurimi shëndetësore, pajisjet e reja për spitalet, krijimi i shërbimeve të reja etj.
“Kanë qenë ankesat e mjekëve që s’po paguhen mirë dhe ankesa tjetër e pacientëve… Jemi duke i adresuar të dy ankesat”, tha ndër të tjera ministri Ismaili.
Pjesën për sigurime shëndetësore mund ta ndiqni nga minuta e 18-të. /Telegrafi/