Ministria e Bujqësisë nuk ka të dhëna se është investuar në gjithë Kosovën ndër vite

Përveç investimeve që janë bërë nga Qeveria e Kosovës, në fushën e bujqësisë kanë investuar edhe komunat. Preportr ka kontaktuar të gjitha komunat e Kosovës për të marrë të dhënat se sa kanë investuar në vitet e fundit në fushën e bujqësisë, por fatkeqësisht shumica e tyre nuk kanë të dhëna për vitet paraprake. Gjithashtu shumica prej komunave nuk kanë të dhëna se sa është shuma që ato kanë përfituar nga donacionet e huaja. Nga ato të dhëna që na kanë dërguar, rezulton se komunat e Kosovës në periudhën 2013-2015 kanë investuar së paku 15 milionë euro në fushën e bujqësisë. Kjo shumë mund të jetë edhe më e madhe, por jo të gjitha komunat kanë pasur të dhëna për investimet në këtë periudhë kohore, pasi që sipas tyre pushtetet e kaluara komunale nuk i kanë arkivuar këto të dhëna.

Ndër komunat që kanë investuar më së shumti në fushën e bujqësisë në këtë periudhë kohore janë Prishtina, (2,696,970.00 euro) e pasuar nga Peja (1,590,404.60 euro), Rahoveci (1,289,510.00 euro), Prizreni (1,222,139.00 euro), Fushë Kosova (1,126,019.00) dhe me radhë. Ndërsa komunat që kanë investuar më së paku janë Dragashi (5,000.00 euro), Deçani (16,980.00 euro ), Hani i Elezit (21,759.00 euro ), Lipjani (52,400.00) etj.

Gjithashtu as Ministria e Bujqësisë nuk e ka një databazë të integruar të të dhënave për mjetet financiare që janë dhënë për fushën e bujqësisë. Nuk ka të dhëna se sa kanë investuar komunat, e nuk ka të dhëna se sa kanë investuar donatorët e ndryshëm në këtë fushë. Mungesa e një databaze të tillë paraqet pengesë për analizimin e ndikimit të investimeve në fushën e bujqësisë dhe në kultura të ndryshme bujqësore. Në Kosovë nuk dihet se sa mjete financiare janë investuar ndër vite. Ndërsa komunat nuk kanë të dhëna se cilët fermerë nga komuna e tyre kanë përfituar grante nga ministria. Pra ka një moskoordinim të komunave dhe Ministrisë së Bujqësisë në këtë aspekt.

Sa i përket mungesës së informacioneve dhe databazave nga Ministria e Bujqësisë, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se nëse kjo ministri nuk ka të dhëna bazë rreth potencialit dhe gjendjes ekzistuese në bujqësi, atëherë më tepër kemi të bëjmë me një mburrje me shumën e mjeteve që po investohen, e jo me efektin që ato po japin në bujqësi

“Duke marrë parasysh që Ministria e Bujqësisë nuk ka të dhëna sa mjete financiare kanë investuar komunat, në cilat kultura bujqësore si dhe të dhëna mbi investimet e donatorëve nëpër projekte të ndryshme, atëherë shtrohet pyetja çka duhet ajo ministri?! Unë e kuptoj pavarësinë financiare edhe të komunave dhe të donatorëve, por megjithatë duhet të ketë një koordinator ose së paku të ketë informacione se çka po investohet, sepse ministria është përgjegjëse për krijimin e politikave për ndërtimin e konceptit dhe të strategjisë, e jo donatorët dhe komunat veç e veç. Jo ta diktojë këtë, por përmes informacioneve që do të ketë të krijojë kanale se ku të shkojnë mjetet në mënyre që efekti të jetë më i madh”, u shpreh Rexhepi.

Përveç mungesës së një databaze gjithëpërfshirëse për investimet që janë bërë në fushën e bujqësisë në Kosovë, Ministria e Bujqësisë ka publikuar edhe raporte në lidhje me investimet që janë bërë, por të njëjtat projekte raportohet me shifra të ndryshme edhe pse publikuesit e tyre janë mekanizma që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie.

Nga tabela vërejmë se rezultatet e planifikuara janë arritur dhe tejkaluar në sektorin e frutave, mirëpo raportimi është i paqartë dhe vë në dyshim kualitetin e të dhënave, sepse AZHB-ja në raportin vjetor paraqet numrin e projekteve të miratuara dhe nuk është i qartë numri i projekteve të realizuara, Divizioni i Monitorimit ka raportuar projektet e miratuara në vend se të raportojë numrin e projekteve të realizuara. Raporti i Gjelbër në kuadër të ministrisë ka raportuar për rezultatet në nivel vendi. Por Departamenti i Statistikave në Ministri nuk e ka bërë të qartë se cili është rezultati i përkrahjes përmes granteve (buxhetit të Kosovës) dhe cilat janë burimet tjera të financimit që kanë ndikim në zhvillimin e sektorit të bujqësisë ne vend.

Raporti i auditorit konstaton se kjo formë e raportimit në kuadër të Ministrisë nuk reflekton drejtë rezultatet e arritura dhe sjellë paqartësi mbi gjendjen reale. Kjo vështirëson matjen e progresit, identifikimin e mangësive dhe nxjerrjen e mësimeve për të ardhmen lidhur me grantet.

“Brenda Programit ishin paraqitur dy shifra lidhur me numrin e fermave të përkrahura, në fillim ishin 20 ferma të përkrahura në sektorin e qumështit e pastaj në tabelën individuale figuronte numri 30. Një diferencë tjetër është vërejtur në Udhëzimin Administrativ që hartohet për zbatim të Programit, aty janë parashikuar të përkrahen 38 ferma në këtë sektor. Diferencat rreth vendosjes se treguesve për numrin e fermave mund të sjellin paqartësi dhe vështirësi në matjen e rezultateve/efekteve të Programit vjetor. Pasi nuk është e qartë cili ka qenë pikësynimi për t’u arritur”, thuhet në raportin e auditimit të granteve, i publikuar në vitin 2015./preportr.

Artikulli paraprakKosova nuk i jep leje kalimi Nikoliqit (VIDEO)
Artikulli vijuesKu jeni more ju “Je suis Charlie”-t e Kosovës, apo e shihni çka po bën shteti juaj mik, Franca?