Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar gjatë seancës sotme plenare Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar-ushtarak, ndërmjet Këshillit t Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe protokollit të zbatimit për asistencën financiare, ndërmjet dy vendeve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Marrëveshja në fjalë u ratifikua me 75 vota pro të deputeteve të pranishëm, ndërsa opozita në momentet e votimit të marrëveshjes nuk ishte e pranishme në seancën plenare.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, marrëveshja në fjalë është propozuar nga pala turke, ku theksohet se vjen në vazhdimësi të ndihmës së përvitshme që Turqia jep për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshja e bashkëpunimit financiar-ushtarak ka si qëllim dhurimin e një shume në dollarë amerikanë, ekuivalente me 2 500 000 lira turke, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Kryetari i Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë, Spartak Braho, gjatë fjalës që mbajti në seancën plenare u shpreh se kjo marrëveshje është në përputhje të plotë me politikat strategjike të Shqipërisë për forcat e armatosura, që synojnë sipas tij, rritjen e niveleve cilësore nëpërmjet shndërrimit të tyre në një forcë profesioniste.
Ndërkohë lidhur me këtë marrëveshje mbajti një fjalë në Kuvend, edhe deputeti i maxhorancës, Arben Çuku, i cili u shpreh se Turqia është ndër aleatët kryesorë strategjikë të Shqipërisë dhe ka shtuar se ka ofruar me vite të tëra ndihmë në sinqertë, si në marrëdhëniet bilaterale dhe ato ndërkombëtarë, në forumet e ndryshme, NATO, etj.
”Turqia e ka ndihmuar ushtrinë dhe shtetin shqiptar në mënyrë të sinqertë me protokollet e bashkëpunimit financiar-ushtarak. Shtetet e tjera, miqtë tanë, na ndihmonin me mjetet e përdorura, që ata hiqnin nga armatimi, ndërsa ushtria turke, qeveri e Republikës së Turqisë na ndihmonte dhe jepte falas mjete të reja dhe armatim të ri, të standardit të ushtrisë së tyre dhe ky është dallimi i madh midis mbështetjes së një aleati strategjik dhe ndihmave të shteteve të tjera”- u shpreh Çuko.