Shërimi i semundjes me leximin e Kur’anit dhe lutjeve

I Dërguari i Allahut e ka përdorur leximin e Kur’anit dhe të lutjeve të veçanta, për sëmundjet të cilat ktyesisht nuk janë paraqitur me rrugë natyrore, siç janë për shembull, sihri ose hyrja e xhinit në ndonjë person. Madje, edhe vetë të Dërguarit të Allahut alejhi selam i kishte bërë sihr një hebre, siç transmeton gruaja e tij e ndershme, Aisheja dhe si ilaç, Allahu xh.sh. shpalli dy kaptina: El-Felek dhe En-Nas, dhe kështu i Dërguari alejhi selam ishte shëruar.
Pas kësaj, i Dërguari alejhi selam ka porositur këto dy kaptina si preventivë por edhe si ilaçe efikase në luftë kundër sihrit, xhinëve, magjisë e të ngjashme.

Mirëpo, i Dërguari i Allahut alejhi selam ka porositur leximin e Kur’anit dhe të lutjeve të veçanta edhe për sëmundjet fizike, ashtu siç e gjejmë në një transmetim të Ebu Se’id el-Hudriut r.a., ku kaptina El Fatiha i është lexuar personit të cilin e kishte kafshuar akrepi, i cili me ndihmën e Allahut ishte shëruar dhe i Dërguari alejhi selam këtë e ka konsideruar si të drejtë.

Nëse dikush ankohet në dhembje në ndonjë pjesë të trupit të tij, ai ka porositur, siç transmeton Ebu Derda r.a., që t’i lexohet duaja konkrete dhe ajo dhembje do të largohet.
Gjithashtu, transmetohet prej Osman b. Ebi Asit r.a. i cili ankohej për dhembje në trup të cilën e ndjeu pasi që kaloi në islam dhe i Dërguari alejhi selam e porositi që ta vendosë dorën aty ku ndjenë dhembje, e pastaj që tri herë të thotë: Bismil-lah!
Dhe shtatë herë: Eudhu bi’isgetil-lahi ue kudretihi min sherri ma exhidu ue uhadhiru!

Lirisht mund të konstatojmë se me pasimin e të Dërguarit të Allahut alejhi selam jo vetëm që i afrohemi Allahut Bujar dhe Xhenetit të Tij, por në mënyrë preventive veprojmë dhe e ruajmë shëndetin tonë, që është edhe parakusht për hyrje normale dhe kualitative në islam dhe për plotësimin e urdhrave të Atij i cili na e dha atë shëndet!

Artikulli paraprakEfekti i fjalës “La i lahe il Allah” në momentin e vdekjes
Artikulli vijuesSi ta korigjosh të kaluarën tënde?