Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të 129-ën me radhë, në të cilën ka miratuar Programin për Reforma në Ekonomi 2017, si dhe vendime tjera nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të saj.
Qeveria ka miratuar vendimin për Koordinimin e Aktit të Biznesit të Vogël për Evropën, që është një nga dokumentet thelbësore dhe ka një kornizë gjithëpërfshirëse për politikat e BE-së për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Synimi kryesor është përmirësimi i qasjes ndaj sipërmarrjes në Evropë, të thjeshtësoj mjedisin rregullativ dhe të politikave për NVM-të dhe të eliminoj barrierat e mbetura për zhvillimin e tyre dhe është i përqendruar në katër objektiva: promovimin e ndërmarrësisë, më pak barrë rregullative, qasje në financa dhe qasje në tregje dhe ndërkombëtarizim.
Qeveria ka emëruar Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, është miratuar vendimi për aprovimin e ndryshimeve në Ligjin nr. 05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projekte kapitale shumëvjeçare. Në mbështetje të paragrafit 2 të nenit 9 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, pas lëshimit të ndarjeve të plota buxhetore për vitin fiskal 2017, Qeveria duhet të dorëzoj në Kuvend për informim ndryshimet e bëra në tabelat buxhetore, të cilat kërkohen nga organizatat buxhetore për të përmbushur obligimet nga viti paraprak që lidhen me projekte kapitale.
Kabineti qeveritar ka aprovuar Raportin vjetor financiar (me të dhëna preliminare) për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2016.
Gjatë mbledhjes së sotme është miratuar edhe Programi për Reforma në Ekonomi 2017, program i përfshirë në dialogun e strukturuar mbi qeverisjen ekonomike si pjesë e bashkëpunimit institucional në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Programi për Reforma në Ekonomi është bazë e këtij dialogu dhe është hera e tretë që Qeveria dorëzon azhurnimin e këtij dokumenti në Komisionin Evropian. Ky program e vendos agjendën e Reformave me një kontekst më të fokusuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe Kosova, si çdo shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor, këtë dokument e dorëzon në Komisionin Evropian, në cilësinë e një shteti që fillon rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian brenda procesit të Stabilizim Asociimit, si partner i barabartë.
Kryeministri Mustafa potencoi rëndësinë që ka ky program në reformat që duhet bërë në suaza të integrimit evropian të Kosovës.
“Është një Program i cili është bashkërenditur me të gjitha ministritë dhe me të gjitha zyrat, është bërë konsolidimi i të gjitha këtyre prioriteteve mbi bazën e asaj se çfarë mund të realizohet në vitin 2017. Është një dokument tepër i rëndësishëm për ne, sepse na ndihmon që edhe të krijojmë një ndërlidhje me Programin e Stabilizim Asociimit, por edhe me Bashkimin Evropian në përgjithësi në implementimin e përcaktimit të të gjitha reformave që duhet të bëjmë në suaza të integrimit tonë evropian”, tha kryeministri Mustafa.
Qeveria ka marrë vendim për autorizimin e Ministrit të Financave për transfer të mjeteve deri në 40, 000 euro nga Programi i Shpenzimeve të paparashikuara.
Kabineti qeveritar ka miratuar kërkesën për përkrahje financiare të studentëve të Universitetit të Prishtinës për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga Universiteti Harvard në SHBA.
Një grup prej dhjetë studentëve të shkëlqyer nga Universiteti i Prishtinës, janë përzgjedhur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në mesin e më se 200 universiteteve amerikane dhe botërore. Konferenca është prestigjioze, dhe përveç që është pikë kontakti e më se 200 universiteteve, po ashtu është një garë dhe mundësi për të dëshmuar vlerat e Universitetit të Prishtinës.
Kabineti qeveritar është informuar lidhur me takimin e Nën Komitetit të MSA-së për Tregun e Brendshëm, Konkurrencën, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetit Publik. Takimi do të mbahet më 31 janar në Bruksel, dhe është në kuadër të strukturave formale të rregullta për monitorimin e zbatimit të MSA-së. Në takim do të diskutohet progresi në zbatimin e reformave, përfshirë edhe ato të vitit të kaluar, sfidat, dhe do të dakordohen masat që duhet ndërmarrë për zbatimin e kritereve dhe afrimin e mëtejmë me politikat e Bashkimit Evropian në një varg sektorësh, që nga infrastruktura e cilësisë së produkteve, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit publik, lëvizja e lirë e kapitalit, shërbimeve, shërbimet financiare, deri tek prokurimi publik, pronësia intelektuale dhe politikat e konkurrencës.