Mjekët ankohen për padrejtësi në konkurse

Shërbimi i Imunologjisë dhe i Alergologjisë para më shumë se një viti është shndërruar në klinikë dhe përkundër mungesës së hapësirës, aty janë pranuar në punë tre alergologë të rinj.

Shërbimi i Imunologjisë dhe i Alergologjisë para më shumë se një viti është shndërruar në klinikë dhe përkundër mungesës së hapësirës, aty janë pranuar në punë tre alergologë të rinj.

Valbona Gashi, specialiste e alergologjisë dhe imunologjisë klinike është edhe në përfundim të doktoraturës në mjekësi klinike. Kur doktoresha Gashi flet për kandidatët me pozita të rezervuara në këtë klinikë, e ka fjalën për Visar Smakaj dhe Ramadan Seferin, të dy këta të pranuar në këtë klinikë si alergologë .

“Për këtë konkurs është folë qysh në nëntor të vitit 2015 edhe është folë nga persona të caktuar që do të ndahet buxheti për 3 alergologë, qysh në atë kohë në nëntor të 2015 është thënë që dy pozita kanë me qenë të rezervuar për kandidat të caktuar”, tha Valbona Gashi për emisionin “Jeta në Kosovë”. Ajo thotë se ka pasur shkelje të vazhdueshme për këtë konkurs.

Akuzat e Valbona Gashit se Visar Zeqiri Smakaj dhe Ramadan Seferi kanë lidhje të ngushta me Lidhjen Demokratike të Kosovës mbështeten edhe nga fakti se Visar Zeqiri Smakaj ka qenë kandidat për këshilltar komunal në Komunën e Gjilanit.

Ndërsa kandidati tjetër Ramadan Seferi, njihet të jetë i afërt me Ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmanin, dhe me këshilltarin e tij të jashtëm Zejdush Tahirin.

Ministria e Shëndetësisë thotë se ky është një konkurs i shpallur nga SHSKUK dhe se ata duhet të pyeten për këto raste.

“Meqenëse është fjala për një konkurs që nuk është hapur dhe zhvilluar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ju lutemi që pyetjet e adresuara në MSh, t’i drejtoni tek autoritetit i cili ka hapur dhe zhvilluar procedurat e konkursit të cilit i referoheni”, tha Ministria në një përgjigje për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ndërsa drejtori i SHSKUK Curr Gjocaj thotë se ky është konkurs i imponuar.

“Më duhet t’ju rikujtoj se ky konkurs për ne si SHSKUK dhe QKUK, ishte i imponuar, ishte konkurs i sponsorizuar nga ministrat e Shëndetësisë. Është një konkurs që na imponon të bëjmë punësime në kundërshtim më prioritetet dhe nevojat reale dhe imediate që i ka institucioni ynë, ishte një konkurs përjashtues edhe për shumë kolegë të tjerë asistentë që nuk e kuptojmë pse ata nuk janë përfshirë në ato nevoja”, tha Gjocaj.

Drejtori i Klinikës së Alergologjisë Dukagjin Zogaj thotë se kandidatët e pranuar i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

“Të gjithë kandidatët kanë patur kualifikim të njëjtë sepse me konkurs është kërkuar që kandidatët të kenë të mbaruar specializimin. Asnjë kusht tjetër nuk është kërkuar”, tha Zogaj.

Probleme kishte edhe Qëndresa Daka, mjeke e syve.

“Me datën 17 Maj më është bërë ftesa zyrtare nga Zyra për Resurse Humane për të marrë pjesë në testim dhe intervistim i cili do të mbahej me datën 19 Maj mirëpo përsëri të nesërmen me 18 Maj më ka lajmëruar e njëjta zyrë se nuk mund t’i nënshtrohem testimit meqë sipas tyre unë nuk i plotësoj kriteret e një konkursi publik. Se çfarë kritere nuk i plotësoj unë as sot nuk e di, unë kam bërë ankesa të njëpasnjëshme që nga dita kur jam kur më është thënë se nuk kam të drejtë ti nënshtrohem konkursit”, tha ajo.

Edhe Daka thotë se kualifikimi i saj është shumë më i mirë se i kolegëve të pranuar.

“Unë jam shumë më e kualifikuar se sa kandidatët që janë pranuar në punë, meqenëse kandidati i parë në listë për nga numri i poenave që është pikërisht në pozitën që kam aplikuar unë për nga thirja akademike është në një nivel më të ultë se unë do të thotë unë jam doktor i shkencave të mjekësisë, studime që i kam përfunduar në një universitet të Zagrebit në një program të veçantë në gjuhën angleze të fokusuara në sëmundjen e glaukomes. Përveç kësaj, kam përfunduar një pjesë të specializimit në Qendrën Klinikë të Lubljanës poashtu kam notën mesatare më të lartë 9.67, kam të shkruara shumë punime shkencore në lëminë e oftalmologjisë, kam shkruar një libër dhe jam në përfundim të librit të dytë për sëmundjet e syve”, tha Daka.

Në rastin e Dakës, Inspektoriati i Punës ka sjellë dy vendime. Në vendimin e parë asaj i aprovohet ankesa ndërsa në të dytin, pas ankesës së SHSKUK, asaj i hedhet poshtë vendimi i parë i po këtij inspektoriati.

Emisionin e plotë për shëndetësinë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Artikulli paraprak102 kabinete të reja në shkollat e Prishtinës (Foto)
Artikulli vijuesIncident në zonën ku është planifikuar ndërtimi i xhamisë në Athinë