Mjekët paralajmërojnë shfaqje të sëmundjeve në Hasanbeg

SHKUP (AA) – Shumica e banorëve të Hasanbegut të prekur nga përmbytjet e mbrëmjes së 6 gushtit, tashmë kanë arritur të tërheqin ujin dhe baltën nga shtëpitë e tyre, por mbetjet dhe mbeturinat mbeten në oborret e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Banorët të cilët me ndihmën e ushtarëve dhe institucioneve përkatëse mundohen të pastrojnë dëmet pas përmbytjeve, kërkojnë që të përshpejtohet sanimi i dëmeve dhe pastrimi i shtëpive, që të fillojnë të jetojnë në normalitet.

Nga ana tjetër, Besir Murtezani, mjek i përgjithshëm në ordinancën e Hasanbegut, theksoi se që nga mbrëmja e përmbytjeve filluan të paraqiten një numër i madh i banorëve të lënduar, por që nga dita e sotme banorët janë paraqitur me sëmundje të ndryshme, si pasojë e mungesës së pastërtisë nëpër shtëpitë e tyre.

“Pas përmbytjeve balta ka filluar të thahet, por në Hasanbeg ka pasur edhe bagëti dhe ka ngordhje të kafshëve të ndryshme, kështu që janë paraqitur shenjat e para të viruseve. Që nga mëngjesi i sotëm kemi pas numër të madh të fëmijëve, të cilët janë paraqit me jashtëqitje, vjellje dhe temperaturë. Ndërsa tek të rriturit të cilët punojnë në pastrimin e shtëpive kemi hasur infeksione të lëkurës”, deklaroi Murtezani.

Ai shtoi se për shkak të mungesës së rrymës elektrike, ordinanca nuk ka mjete dhe barna të mjaftueshme, kështu që banorët e sëmurë i dërgojnë në klinika të tjera të Shkupit. Ai apeloi që familjet që kanë evakuuar të mos kthehen deri sa të pastrohet tërësisht vendbanime nga balta dhe prurjet e përmbytjeve, për shkak se ekziston mundësia e paraqitjes së epidemive të ndryshme për një kohë të shkurtër.

Organizatat humanitare që veprojnë në terren mundohen që të ndihmojnë banorët, duke u siguruar kushtet themelore për jetesë, por theksojnë se ky vendbanim duhet sa më parë të pastrohet nga prurjet e përmbytjeve, pasi që çdo ditë e re vështirëson gjendjen e banorëve.

Artikulli paraprakKaracan: Besojmë që qeveria e Maqedonisë do ta bëj të duhurën ndaj FETO-s
Artikulli vijuesEdhe pas 15 viteve nga Masakra e Lubotenit, plagët akoma të freskëta