Mjekët të paguhen sipas punës

Rreth 640 euro është paga që marrin specialistët mjekësorë. Këtë shumë e përfitojnë sikur ata që tërë kohën qëndrojnë në sallë të operacionit, sikurse të tjerët që nuk bëjnë as edhe një operacion. Sindikata kërkon të ndryshohet kjo mënyrë e pagesës

Edhe pse punojnë në të njëjtin repart puna e tyre dallon dukshëm. Njëri tërë kohën kryen intervenime kirurgjike në sallën e operacionit e tjetri merret me kontrolle sistematike. Por, në fund të dy kirurgët marrin pagë të njëjtë – 640 euro. Kjo praktikë e pagesës së njëjtë po kërkohet të ndryshohet.

Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës, Nehat Baftiu, njëherësh anesteziolog në QKUK, ndonëse nuk preferon të flasë me emra, thotë për “Zërin” se ka mjekë që nuk e shohin kurrë sallën e operacionit dhe ka të atillë që kryejnë nga një mijë operacione në vit. Dhe secili, sipas tij, padrejtësisht në fund të muajit merr pagë të njëjtë.

“Nuk është normale që të paguhet sa ai që i kryen një mijë operacione në vit e sa ai tjetri që nuk futet asnjëherë në sallë”, ka thënë Baftiu, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë. Në institucionet publike kosovare, sipas tij, është bërë një rregull që të gjithë specialistët të paguhen 640 euro.

“Duhet të bëhet një vlerësim dhe secili të paguhet në bazë të punës që e bën. Kjo e rrit pastaj edhe konkurrencën brenda institucionit pasi njerëzit nuk ikin nga puna, por secili synon të kryejë sa më shumë punë pasi për aq sa punon edhe paguhet”, ka thënë ai.

Artikulli paraprakVMRO-ja refuzon kërkesat e BDI-së për qeverinë e re
Artikulli vijuesKy është treni serb që do ta shkelë sovranitetin e Kosovës.