Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj i quan të pavërteta deklaratat e Sekretarit Organizativ të VV-së Ismail Kurteshi, se Molliqaj ka mbajtur ‘takime ilegale’ me aktivistë të Vetëvendosjes, me qëllim të formimit të një partie të re.
Molliqaj në Facebook ka shkruar se ka zhvilluar takime me aktivistë të VV-së në Deçan e Pejë, por se sipas tij në këto takime është biseduar për mospajtimet e fundit në VV.Molliqaj gjithashtu ka ngritur pyetje nëse pas deklarimeve të Kurteshit qëndron kryesia e VV-së, ku nga kjo e fundit pret që të distancohet nga deklaratat e sekretarit organizativ, në mënyrë që sipas tij të mos thellohen përçarjet.
Postimi i plotë i Molliqajt në FacebookNë kohën kur ne po i diskutojmë dallimet tona brenda organizatës dhe anëtarëve e simpatizuesve të Lëvizjes po ua rrisim shpresat që së bashku do ta tejkalojmë problemin e brendshëm në organizatën tonë, ushtruesi i detyrës së Sekretarit Organizativ, Ismajl Kurteshi, lëshon deklarata antidemokratike me shumë të pavërteta që përmbajnë gjuhë përçarëse.Dy takime i kemi mbajtur me strukturat e Lëvizjes në Pejë dhe Deçan. Të parin në një restorant ndërsa të dytin në zyra të Lëvizjes. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë diskutimi i gjendjes në të cilën gjendet Lëvizja dhe jo ajo që pretendohet në deklaratën e Kurteshit.
Duke qenë se unë jam pjesë e Lëvizjes dhe deputet i saj, nuk e di në çka thirret Kurteshi kur takimin tonë e quan ”takim ilegal”. Meqenëse këto ditë janë thirrur shumë në statutin e Lëvizjes, pres nga ai që të përgjigjet se cila pikë e këtij statuti ndalon takime të tilla ose i vlerëson ato si ”ilegale”.Ende më problematike për mua është që Kurteshi këtë gjuhë po e përdorë pothuajse çdo ditë në secilin takim me anëtarë, në të cilat takime ai po e shoqëron kandidatin për kryetar të Lëvizjes, Albin Kurtin.
Për fund, meqenëse deklarata e tij u postua edhe në faqen zyrtare të Lëvizjes në Facebook, dua të shtroj një pyetje: A është diskutuar deklarata e tij në kryesi të Lëvizjes dhe a është vendim i kryesisë që kjo deklaratë të jetë qëndrim zyrtar i Lëvizjes?Nëse po, atëherë si t’i kuptojmë thirrjet për të biseduar kur në të njëjtën kohë na bëhen sulme kaq të ulëta? Nëse jo, kur do të distancohet kryesia e Lëvizjes nga kjo deklaratë skandaloze?Mentaliteti që po instalohet në organizatën tonë është tejet i rrezikshëm dhe i papranueshëm për një organizatë të mirëfilltë politike.
Çështja është serioze, prandaj edhe trajtimi duhet të jetë serioz. Fatkeqësisht, deri tash ky problem nuk është trajtuar seriozisht, përkundrazi, është nxitur edhe më shumë përçarje./Kumti.com