Mos fajësoni selefijtë për ISIS-in

Nga Zaid Shakir

Vala e madhe e negativitetit kundër Islamit dhe muslimanëve e nxitur në një masë të madhe nga veprimet gjakftohta të vrasësve “xhihadistë” dhe e ushqyer vazhdimisht nga mediat kryesore është shqetësuese për shumë njerëz, përfshirë muslimanët. Për këtë arsye, ka një kërkesë të madhe për përgjigje dhe gjetjen e një zgjidhjeje. Rezultat i këtij dëshpërimi është edhe tendenca për t’i dhënë ngjyrime dhe nuanca historike analizave mbi rrënjët e dhunës “xhihadiste.

E kjo duket shumë qartë në argumentet që sjellin disa kur thonë se dhuna maniake e grupeve si Boko Haram-i dhe ISIS-i vjen si pasojë e rrënjëve të tyre selefite. Ndërkohë që ky lloj argumentimi është i volitshëm dhe thjeshtëzues, nuk është i saktë e as nuk e shpjegon një dhunë të tillë. Kjo bën që të na shpëtojnë disa fakte, duke minuar solidaritetin e domosdoshëm në komunitetin musliman, shumë prej të cilëve e quajnë vetën selefij, e që e kundërshtojnë fort ISIS-in, Boko Haram-in, Al-Kaedën dhe të ngjashmit me ta.

E fillojmë duke përmendur një nga dijetarët selefij më me ndikin të shekullit XX, Muhammed Nasir ed-Din el-Albani (shqiptar nga qyteti i Shkodrës, sh.p.), i cili ishte një apolitik i vendosur. Kjo është veçanërisht e vërtetë pas lidhjes së tij indirekte me Revoltën e dështuar të Mekës në vitin 1979. Që nga ajo kohë, fokusi i “davetit” (thirrjes) së tij ka qenë inkurajimi për përvetësimin e një interpretimi të veçantë të metodologjisë teologjike dhe juridike të brezave të hershëm të muslimanëve (të njohur si Es-Selefus-Salih), duke e pastruar Islamin nga ajo që ai e konsideronte si të pabazë, apo të shpikur. Sipas tij dhe ndjekësve të tij, fitorja e Islamit dhe e muslimanëve, në këtë botë, do të jetë e mundur me anë të një ndërhyrjeje hyjnore vetëm pasi të ndërmerren këto hapa. Kjo qasjeje është e pranuar edhe nga shumica e selefijve në mbarë botën.

Për me tepër, selefijtë kanë një metodologji (Menhexh) të mirëfilltë. El-Albani dhe selefijë të tjerë i kanë dhënë një rëndësi të madhe aspekteve bazë të besimit dhe praktikës së Islamit. Juridikisht, disa e shohin këtë metodologji si reflektim të disa elementëve të literalizmit të Daud al-Dhahiriut dhe Ibn Hazmit, e në një farë mase, arsyetimin juridik të shkollës shafiite, nga ka dalë Daud al-Dhahiriu. Disa të tjerë argumentojnë se selefijtë i përmbahen më shumë asaj që njihet gjerësisht si jurisprudenca (fikhu) krahasuese, e cila merret me mendimet e shkollave të ndryshme juridike për një çështje të caktuar, në mënyrë që më pas të zgjidhet mendimi që shihet si më i sakti në bazë të argumenteve.

Në teologji, shumica e selefijve përdorin një metodogji që në përgjithësi reflekton qëndrimet e shkollës hanbelite, në mënyrë të veçantë ato të dijetarit të madh hanbelij, Ibn Tejmijes. Është e rëndësishme të theksohet se qasja teologjike selefiste edhe pse kritikon fort Esh’aritë dhe Maturiditë, në domeinin suni, kjo nuk e ka dëmtuar bashkëjetesën paqësore dhe respektin reciprok me muslimanët e tjerë – me përjashtime të rralla. Shembulli i këtij respekti shihet në debatin e Ibn Tejmijes me dijetarin e madh të esh’arive, sufistin ibn Ataallah Sakandari. Ndryshe nga selefijtë, ISIS-i, Boko Harami dhe grupet e ngjashme me ta kanë treguar se nuk kanë një metodologji juridike dhe teologjike të mirëfilltë.  Kjo u jep mundësinë atyre që të shtrembërojnë tekstet bazë të Islamit në atë formë që vështirë të gjendet ndonjë bazë historike, e aq më pak te këtë pranim nga dijetarët bashkëkohorë.

Disa e thonë pa u  menduar shumë se jo të gjithë selefijtë janë të dhunshëm, si el-Albani, por dhuna e ushtruar nga Boko Harami, ISIS-i, Al-Kaeda dhe grupe të tjera të ngjashme i ka rrënjët ne mësimet e selefijve. Ata argumentojnë – duke perifrazuar një klishe islamofobe – se “jo të gjithë selefijtë janë ekstremistë të dhunshëm, por të gjithë ekstremistët janë selefijë.” Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Ndërkohë që dhunës së ISIS-it, Boko Haram-it dhe grupeve të ngjashme u bëhet reklamë, banditët alevi që mbrojnë regjimin e Asadit, shiitët e Hezbollahut, që kanë mbushur Sirinë, milicitë shiite dhe skuadrat irakene të vdekjes, të cilët i kanë shtyrë shumë irakenë suni në rradhët e ISIS-it, janë të angazhuara në një dhunë të tmerrshme. Asnjë nga këto grupe nuk do të përshkruhej në asnjë mënyrë si selefite. Ndërkohë që alienimi, copëtimi i tokave, sektarizmi, perceptimi i një kërcënimi ekzistencial për veten apo një aleat, në kundërshtim me Selefizmin, mund të përbëjë një shpjegim më të saktë e më të detajuar të dhunës së këtyre grupeve dhe fraksioneve.

Këtu na duhet të shtojmë për sqarim se jo të gjithë ekstremistët e dhunshëm janë muslimanë. Kjo tregohet qartë nga veprimet e ushtrisë amerikane në Irak e gjetkë, skuadrat hindu të vdekjes në Indi, krimet e kryera nga Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) në Gaza, milicitë tribale në Ruandë dhe Kongo, kartelet e drogës në Meksikë, Amerikën Qendrore dhe Jugore etj. Analizimi në detaje i kësaj problematike shkon përtej qëllimit të këtij punimi.

Për të kuptuar rrënjët e dhunës së ushtruar nga “xhihadistët”, na duhet të shohim përtej sloganeve thjeshtëzuese. Një nga çështjet që na ndihmon të kuptojmë këtë dhunë është ideologjia e Tekfirizmit; ose akti i përjashtimit të muslimanëve të tjerë; deklarimi i tyre si të dalë nga Islami. Kjo praktikë e rrezikshme u jep mundësinë atyre që të sulmojnë muslimanët e tjerë pa asnjë problem. Pavarësisht se disa selefijë, bashkëkohorë apo më të hershëm, mund të kenë përdorur tekfirin,ky nuk është një problem ekskluzivisht vetëm i selefijve.

Historikisht, tekfirizmi ka qenë tipike e Khauarixhëve. Abuzimi dhe teprimi i Khauarixhëve, për sa i përket gatishmërisë për t’i deklaruar muslimanët e tjerë si jobesimtarë, është kundërshtuar nga paraardhësit e selefijve të sotëm dhe refuzohet nga shumica e selefijve sot. Prandaj, çfarë mund të themi për ata selefijë që dënojnë si Khauarixhët ashtu edhe ISIS-in dhe e kundërshtojnë dhunën dhe doktrinën e tyre?

Jo shumë kohë më parë, disa nga grupet që e kanë përdorur më shumë tekfirizmin e identifikonin veten si sufistë. Kjo përfshin një grup të madh sufistësh në Liban dhe disa nga rendet sufiste në Nën-kontinentin Indian. Kush e shpalli si të pafe këngëtarin e njohur musliman Junaid Jamshed, duke e detyruar të linte Pakistanin përkohesisht për të shpëtuar kokën? Nuk ishin selefijtë. Megjithatë, ISIS-i, Boko Haram-i e grupe të tjera “xhihadiste” e kanë çuar tekfirizmin në një ekstrem makabër që rrallëherë është parë në historinë e muslimanëve. Ky ekstremizëm refuzohet nga te gjithë muslimanët, përfshirë selefijtë.

Kur humbet koncepti i shenjtërisë së jetës së dhënë nga Zoti, aftësia dhe dëshira për të bërë dallim midis luftëtarit, jo luftëtarit, civilit, të burgosurit të luftës, grave apo fëmijëve, humbet.

Çështja e dytë që ka të bëjë me dhunën ekstreme të “xhihadistëve” është humbja në mënyrë sistematike e shenjtërisë së jetës. Nuk ka pikë dyshimi se Islami e dënon fort vrasjen e të pafajshmëve dhe atyre që nuk angazhohen në luftime (të çdo kategorie qofshin ata: gra, burra, fëmijë, të moshuar, klerikë, mjekë etj., sh.p.), qofshin ata edhe në fushëbetejë. Mësimet e Islamit kërkojnë gjithashtu edhe minimizimin e humbjes së jetës të atyre që janë të angazhuar në luftime. Këtë e bën duke paralajmëruar fort kundër marrjes së jetës së tjetrit, të cilën vetë Zoti e ka shenjtëruar. Kur humbet koncepti i shenjtërisë së jetës së dhënë nga Zoti, aftësia dhe dëshira për të bërë dallim midis luftëtarit, jo luftëtarit, civilit, të burgosurit të luftës, grave apo fëmijëve, humbet. Ky është një realitet që prek çdo fatkeq që e gjen veten në mesin e një luftë të përgjakshme. Ky jo vetëm që nuk është një problem i selefijve, por nuk është as problem fetar. Është një problem njerëzor.

Njeriu fillon të humbas besim në shenjtërinë e jetës kur fillon ta dehumanizojë “tjetrin”. Kur kjo shenjtëri humbet, atëherë nuk je duke vrarë më një qenie njerëzore të pafajshme, por thjeshtë një objekt, një send, i cili nuk meriton të jetojë. Le të marrin në shqyrtim deklaratën krejt të ftohtë të Steven Green, ushtarit amerikan që përdhunoi dhe vrau një 14-vjeçare irakiane pasi kishe masakruar familjen e saj dhe kishte djegur trupat për të fshirë gjurmët e krimit. Ai deklaroi në gjyqin kundër tij: “Nuk kam fjalë për të përshkruar urrejtjen që ndieja ndaj atyre njerëzve… nuk mendoja për ta si qenie njerëzore.” Procesi nëpër të cilin kanë kaluar Green e të tjerët që i shihnin irakianët si arabë të zinj shkretëtire, mund të jetë i ndryshëm nga procesi që kanë kaluar “xhihadistët”, të cilët i shohin viktimat e tyre si të padenja për të jetuar, por gjithsesi ata kanë një emërues të përbashkët:luftën.

Një problem i tretë që i shërben ekstremizmit të dhunshëm e që po e shohim përditë në Lindjen e Mesme është natyra unike e leximeve apokaliptike që ISIS-i i bën teksteve fetare islame. Ndjenja (bindja) se kemi arritur në fundin e botës, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk është karakteristike vetëm për grupet e dhunshme bashkëkohore. Me afrimin e fundit të mijëvjeçarit të parë për Umetin Musliman, shumë dijetarë të respektuar, si Imam Sujuti, shkruajtën traktate ku deklaronin ardhjen e Apokalipsit. Ndryshimi midis vizionit të atyre shkollarëve të hershëm dhe ISIS-it është se asnjë dijetar apo grup i hershëm a bashkëkohorë, nuk e ka politizuar Apokalipsin siç e ka bërë ISIS-i, duke e shoqëruar këtë interpretim të politizuar me dhunë të jashtëzakonshme.

Eskatologjia e dhunshme e ISIS-it nuk mund të përshkruhet si Selefite, pasi nuk reflekton as mësimet e brezave të parë të muslimanëve, as ato të grupeve selefite bashkëkohorë.

Eskatologjia e dhunshme e ISIS-it nuk mund të përshkruhet si Selefite, pasi nuk reflekton as mësimet e brezave të parë të muslimanëve, as ato të grupeve selefite bashkëkohorë. Është shumë e rëndësishme të kihet parasysh kjo kur përpiqemi të fajësojmë selefijtë për daljen e grupeve si ISIS-i. Nëse vërtetë duam të kuptojmë natyrën e vërtetë të këtyre grupeve e të luftojmë ideologjinë e tyre, atëherë duhet të marrin parasysh një sërë idesh e rrethanash.

Është e lehtë të pretendojmë se rrënjët “selefite” të ISIS-it, Boko Haramit, Al-Kaedës dhe grupeve të tjera janë arsyeja e kësaj dhune që po shohim aktualisht në zonat ku veprojnë këto organizata, por është më e vështirë të gjejmë burimin e armatimeve që e kanë bërë kaq vdekjeprurëse dhunën e këtyre grupeve. Kush u siguroi armë dhe logjistikë atyre grupeve që më pas do të njiheshin si Al-Kaeda dhe Talebanët? Si arriti Boko Harami të shndërrohet nga një organizatë e dedikuar ndaj një kulti, e kufizuar në një qytet të vetëm në veri të Nigerisë, në një grup i cili është i armatosur më mirë se vetë ushtria nigeriane? Kush i furnizoi me armatim?

Një pyetje të ngjashme mund ta bëjmë edhe për ISIS-in. Si arritën të marrin nën kontroll një armatim kaq të avancuar, shumica prodhim amerikan? Të thuash se e morën kur ra Mosuli është e pamjaftueshme. Pse 30 mijë ushtarë irakianë, të pajisur me armatime të renda amerikane, i braktisën pozicionet e tyre përballë jo më shumë se 1 mijë e 500 luftëtarëve të ISIS-it? Pse u lejua që ISIS-i t’i merrte e t’i kalonte ato armë përmes shkretëtirës, kur shumë lehtë mund t’i kishin shkatërruar? Kush e financoi blerjen e armëve dhe kush ua shiti ato? Përgjigjet e këtyre pyetjeve përfshijnë disa të vërteta të pakëndshme të cilat nuk do të përmendën kurrë nga pseudo-gazetarët, ekspertët dhe analistët, të cilët nuk ia përtojnë të gjejnë menjëherë (te feja, sh.p.) burimin e dhunës së “xhihadistëve.”

Një çështje tjetër lidhjet me pyetjen se kush është përgjegjësi kryesor për krijimin e kushteve që kanë çuar në daljen e këtyre grupeve vrastare?

Selefizmi ka ekzistuar në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore shumë kohë përpara se të shfaqeshin në skenë “xhihadistët” vrastarë. Gjithashtu, nuk kishte “xhihad islamik” në Afganistan përpara ish-Bashkimit Sovjetik dhe përpara se ushtria amerikane të prishte rendin shoqëror të këtij vendi. Po ashtu, nuk kishte ISIS përpara pushtimit amerikan të Irakut. Në Nigeri, Boko Harami e lëshoi tërbimin e vet vdekjeprurës pasi regjimi nigerian vrau qindra anëtarë dhe ekzekutoi themeluesin e tij, Muhammed Yusufin më vitin 2009. T’ia mveshësh dhunën e këtyre grupeve selefizmit, do të thotë të injorosh shumë faktorë që e kanë ndezur dhe e mbajnë gjallë këtë dhunë të neveritshme.

Në përfundim, ka shumë probleme të tjera që mund të merren në konsideratë në mënyrë që të gjejmë rrënjët e dhunës që shohim në shumë pjesë të botës muslimane. Përfundimisht, po përballemi me një krizë masive injorance. Duhet t’i mësojmë muslimanët dhe jo muslimanët rreth Islamit dhe asaj çfarë thotë në lidhje me ata që dehumanizojnë anëtarët e komuniteteve “të tjera”, dhunën, luftën dhe paqen. Ky është një proces i gjatë dhe sfidues për të cilin do të jetë e nevojshme një komunitet i bashkuar, i cili respekton të gjithë anëtarët e tij që janë të angazhuar ndaj shenjtërisë dhe paqes.

Duke i kufizuar shkaqet e dhunës së “xhihadistëve” tek selefizmi, rrezikojmë të mos i adresojmë drejtë rrënjët e këtij fenomeni që po përçan shumë shoqëri muslimane. Rrezikojmë gjithashtu të tjetërsojmë shumë muslimanë të sinqertë e dashamirës, të cilët e quajnë vetën selefijë e që janë po aq të indinjuar nga dhuna brutale e të ashtuquajturve “xhihadistë” sa edhe muslimanët e tjerë.

Zaid Shakir është bashkëthemeluesi i shkollës së lartë Zeytuna College në Kaliforni, SHBA ku punon edhe si profesor. Ai është autor i disa librave dhe punimeve shkencore.

Përktheu dhe përshtati në shqip: Observer.al

Shënim: Termi “xhihadist” në tekst është përdorur sipas ngjyrimit të dhënë nga mediat e jo në kuptimin teologjik të fjalës Xhihad, apo Muxhahidin.

Artikulli paraprakBritani, femrat muslimane janë grupi më i diskriminuar ekonomikisht në shoqërinë vendase
Artikulli vijuesAutoritetet e OKB-së shprehin shqetësimin për politikat jonjerëzore të Bullgarisë ndaj refugjatëve