Rishfaqen paramilitarët maqedonas, Qeveria hesht

Autoritetet qeveritare në Maqedoni vazhdojnë të heshtin për formacionin paramilitar MOS ( Forcat e Bashkuara Maqedonase), që mbetet aktiv me paraqitjen dhe mesazhet e tij urrejtëse kundër shqiptarëve.

Ky formacion paramilitar ka profilin e saj, njerëz udhëheqës të veshur me uniforma ushtarake speciale dhe që shihen për veprimet e tyre në terren.

Kjo organizatë dhe ithtarët e saj ditëve të fundit kanë qenë më aktiv përmes rrjeteve sociale dhe komunikatave të shpalosura tek ithtarët e tyre me mesazhet për mbrojtje nga shqiptarët dhe siç thuhet radikalizmi islamik.

MOS ka theksuar se është e zgjuar dhe në çdo moment do të reagojë kur do të rrezikohen interesat maqedonase.

Kjo organizatë gjithashtu shprehet se mund të ketë hakmarrje për arrestimet e fundit dhe se ajo mbështet aksionin e MPB-së, duke i inkurajuar që të vazhdojnë më tej.

“Bravo për MPB, akoma ka që duhet dënuar”, thuhet në një mesazh të fundit të kësaj organizate.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nuk ka reaguar hapur ndaj këtij grupimi paramilitar dhe kërcënues për paqen në vend. Profili i saj vijon të jetë i pranishëm në faqe të ndryshme të internetit dhe se shihen udhëheqësit e këtij formacioni.

Zëdhënësi i MPB, Ivo Kotevski kohë më parë me paraqitjen e kësaj organizate ka deklaruar se nuk ka ndonjë denoncim se dikush rrezikohet nga ta dhe se në MPB nuk ka ndonjë komunikatë nga MOS. Ai ka nënvizuar se nuk mund të ndalojnë pjesëtarë të kësaj organizate, duke parë vetëm fotografi, që sipas tij mund të jenë të vjetra dhe bëhet fjalë për persona që nuk kanë bërë asnjë vepër kriminale apo penale.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë dënojnë paraqitjen e këtyre organizatave, por ato nuk komentojnë MOS, duke theksuar se për një gjë të tillë duhet informuar organet e rendit dhe ato politike. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakUNDP-ja alarmon: Shumë të papunë e vështirësi të tjera
Artikulli vijuesZgjidhja e emrit të Maqedonisë, kusht për në NATO