Autor: Xhevdet Pozhari
Njeriu si natyrë është i prirë të preferojë më të lehten, rrugën më të shkurtër. Kjo në esencë zbërthen një pertaci që me gjasë është e ngjizur në ADN-ne njerëzore, e cila në shtetet dhe shoqëritë e zhvilluara amortizohet tek individi, ndërsa në shtetet që kanë kaluar nëpër tragjedi dhe jo çdo herë fatin e tyre e kanë pasur në duar, atëherë kultivohet edhe më tej apatia e veprimeve tek individi, rrjedhimisht rrethi ku ai jeton dhe vepron. Kjo mbase e shpjegon edhe faktin e degdisjes së shqiptarëve ndër vite në botë duke bëre që më i madh të jetë numri i tyre jashtë trojeve shqiptare sesa në hapesirat ku flitet shqip. Është e drejtë e çdonjërit që të dëshirojë ta jetojë jetën me të gjitha të mirat dhe të ketë një të ardhme të sigurte. Por, është tragjike për një popull kur secili duhet të ndërmerr veprime individuale në mungesë të sigurisë që duhet të ta sillte në rrethana normale shteti në të cilin jeton, të paktën duke i krijuar parakushtet që të jetosh si njeri. Dhe duke bërë përpjekje për të bërë të pamundurën – ikjen nga vetvetja, shqiptarët sot lejuan që të udhëhiqen nga politikanë si Edi Rama e Sali Berisha që foltoret e kuvendit i kanë shndërruar në shfryrje të epsheve, frustrimeve pa zgjedhur fjalor, lejuam që parlamenti i Kosovës të bllokohet nga politikanë ku përplaset grykesia për pushtet, ndërsa në Maqedoni për shqiptarët të vendos një njeri që mund t’i thuash çdo gjë, e vetëm politikan jo.
Në këto rrethana, krijohet mjedis i përshtatshëm vetëm për grupe qe mblidhen rreth interesave konkrete, cilado qofshin ato. Hapësira dominohet nga zërat militantë ku kanë gjetur strehim edhe të korruptuarit, edhe të deshperuarit, edhe ata që janë në pritje ta brakstisin vendin ose ta rrëmbejnë pushtetin. Mesi zbehet dhe gjithnjë e më shumë bëhet i padukshëm. Opinioni gjithnjë e më shumë dominohet nga ata që prodhojnë sondazhe duke shtruar pyetjet e gabuara, jo rastësisht, me qëllim që të ikin nga e vërteta se ky popull është ngopur e sterngopur nga politikanët që gjithçka bënë për të mirën tonë, mirëpo në fund vetëm ata dhe familjarët dhe rrethi i tyre ishin përfituesit e vërtetë. Atyre nuk iu bëhet vonë nëse ti largohesh ose jo sepse me largimin tënd ti ia rrit gjasat për pushtet. Me largimin tënd ndëshkon edhe opozitën, e cila nuk është pa faj pse nuk arrin ta përkthejë në përkrahje pakënaqësinë e popullatës. Por, nuk duhet harruar edhe përgjegjësinë që gjithsecili prej nesh e bartt individualisht, se me ikjen dhe abstenimin tonë ne legjitimuam llojin e politikanëve që veprojnë sipas parimit: mund të jetosh vetëm nëse jo me mua. Nëse jo, Zoti të ndihmoftë!
Andaj, që moti ka ardhur momenti që të paktën kur të ndodhemi para kutisë së votimit të mendojmë jo gjithaq në premtimet dhe kualifikimet e tyre, por të paktën nëse këta njerëz kanë treguar shenja se frikësohen nga populli dhe nga Zoti – pavarësisht se disa nga ta nuk e njohin as Zotin!