MTI u jep licenca pikave të karburanteve të pa kalibruara

Edhe pse është deklaruar nga drejtues të Ministrisë së Tregtisë se në të gjitha pikat e karburanteve është bërë kalibrimi i pikës rrjedhëse, kjo realisht nuk ka ndodhur tash e dy vjet. Kurse, qytetarët marrin sasinë e pasigurt të karburanteve që paguajnë.

Kjo ministri sipas shoqatës së naftëtarëve, pikave të karburanteve iu ka lëshuar licenca pa qenë të kalibruara, gjë që për shoqatën është skandaloz dhe kërkohet të hetojë edhe Prokuroria e shtetit.

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani tha se përveç se është shkelje ligjore, është edhe vepër penale të punojnë operatorët pa kalibrim dhe t’iu lëshohen licencat. Kjo sipas tij, është bërë me vetëdijen e stafit të MTI-së, përfshirë edhe strukturat udhëheqëse të saj.

“Ka shumë vite që nuk janë bërë matjet e pikave që shesin ‘Gaz-plin’ kjo me vet fajin e MTI-së. Pra, deri më tani qytetarët nuk kanë pranuar sasitë e sigurta dhe kjo mbetet përgjegjësi e MTI-së. Përveç që dëmton qytetarët, dëmton edhe konkurrencën e lirë. Ne kemi kërkuar disa herë që të ketë kontroll më të lartë, por kjo ka hasur në vesh të shurdhër nga stafi udhëheqës dhe stafi politik i MTI-së”, tha Berjani.

Kreu i shoqatës së naftëtarëve ka folur edhe për monopolin e kontrollimit të cilësisë së derivateve.

“Ministria po krijon favorizime ose monopole edhe pse ne publikisht kemi kërkuar që të mos ketë monopole. Kabineti i MTI-së, ka ndërhyrë në komision për autorizimin e trupave inspektuese dhe këtu ka shkelje ligjore për autorizimin e dy trupave Inspektuese me ndërhyrjen e kabinetit, si dhe të drejtorëve përgjegjës, të cilët kanë pranuar dokumentet edhe pas afatit ligjore dhe më pas iu kanë vazhduar edhe autorizimet. Ministrja Bajrami disa herë ka deklaruar se do t’i largoj Trupat Inspektuese, kjo në mënyrë të pa ligjshme i ka autorizuar ato”, theksoi Berjani.

Ai tha se si shoqatë e naftëtarëve kërkojnë nga Prokuroria e shtetit që të ndërhyjnë në sektorin e naftës dhe të sjellin para drejtësisë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe që abuzojnë ende.

Drejtori i Departamentit për Rregullimin e Tregut të Naftës (DRRTN) që është në kuadër të MTI-së, Sherif Sherifi theksoi se ka arsyetuar se vërtetimi nga Metrologjia lëshohet për një vit, ndërsa licenca që i jep DRRTN, lëshohet për dy vite.

“Çdo subjekt afarist që aplikon për t’u pajisur me licencë, për shitje me pakicë të dizelit dhe benzinës, duhet ta prezantoj edhe vërtetimin për verifikimin e mjeteve matëse që lëshohet nga Agjencia e Metrologjisë. Por ky lloj vërtetimi nga Metrologjia lëshohet për një vit, ndërsa, licenca që i jep DRRTN, lëshohet për dy vjet”, theksoi Sherifi.

Ai tha se për ta licencuar një subjekt për gazë, kërkon certifikatën e plotësimit të kërkesave themelore të sigurisë teknike të lëshuar nga Inspektorati i MZHE, dhe tek pastaj bëhet licencimi. Kurse, sa i përket çështjes së monopolit, Sherifi theksoi se kanë të bëjnë me një trup inspektues të vlerësimit, gjegjësisht me një laborator të vetëm në treg.

“Në rastin e parë me monopol, kemi të bëjmë me një trup inspektues të vlerësimit, gjegjësisht një laborator të vetëm në treg, kurse, në rastin e dytë, konkurrenca monopolistike, kemi të bëjmë me një strukturë tregu, ku veprojnë një numër i caktuar i trupave inspektuese të cilat operojnë në pajtim me përcaktimet e çmimeve, por që kanë një përballje me konkurrencë të lirë për të hyrë e dalë në treg”, ka theksuar Sherifi.

Edhe qytetarët po ankohen se po keqpërdoret sasia, por Berjani theksoi se derisa nuk ka matje, qytetaret kanë të drejt dhe ankesat e tyre kanë bazë ligjore dhe kanë bazë për t’u ankuar.

Artikulli paraprakLSDM paralajmëron qeveri teknike
Artikulli vijuesNjë vit pa njohje (Video)