Muslimanët amerikanë nisin fushatën: “Të bëhemi 1 milion kundër Donald Trump-it”

0
258

Liderët muslimanë në SHBA po shpresojnë të regjistrojnë një milion votues brenda komunitetit të tyre, në mënyrë që t’u kundërvihen qëndrimeve antiislame të kandidatit republikan për president, Donald Trump-it.

SHBA-të kanë vetëm 3.3 milionë muslimanë, por organizatorët e fushatës thonë se ky numër mund të kenë ndikim vendimtar në shtetet e pavendosura, të cilat janë të rëndësishme për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, si Virginia dhe Florida.

“Ne dëshirojmë që komuniteti musliman të kuptojë, se në rast se heqin dorë nga të drejtat e tyre për të votuar, askush nuk do të vijë që t’ua kthejë ato (të drejta). Ekzistojnë forca të urrejtjes në këtë vend, të cilat dëshirojnë që t’i robërojnë muslimanët dhe t’ua marrin këtë të drejtë. Ne duhet të luftojmë për të drejtat tona, dhe e vetmja mënyrë për këtë është nëse luftojmë përbrenda sistemit”, thotë Osama Abu Irshaid, anëtar i Komitetit amerikan të organizatave muslimane.

“Zoti dëshiron që të jemi reformatorë. Kudo që shkojmë, në cilindo shtet, duhet të përmirësojmë atë shoqëri në të cilën jetojmë, duhet të jemi në bashkëveprim me të tjerët, duhet të bëjmë ndryshime. Nuk bën të qëndrojmë prapa dyerve të mbyllura dhe të mos mërzitemi se çfarë po ndodh përjashta”, ka treguar Ala Ghazzawi, frymëzues i lëvizjes “1 milion votues”.

Nga imamët është kërkuar që të inkurajojnë xhematin e tyre për t’u regjistruar, në mënyrë që të mund të votojnë. Janë shpërndarë fletëpalosje me instruksione se si duhet regjistruar votuesit.

“Fushata ka filluar në dhjetor, dhe është pjesë e angazhimit të muslimanëve të SHBA-ve për t’iu kundërvënë rritjes së paparë të islamofobisë”, thotë Nihad Awad, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR).

Baza e të dhënave të CAIR tregon se 300,000 myslimanë janë regjistruar që nga nëntori.

Vullnetarë të fushatës qëndrojnë jashtë xhamive, për t’u mundësuar besimtarëve që të regjistrohen.

“Kam menduar një kohë të gjatë a të regjistrohem apo jo, por kësaj radhe jam i bindur se më duhet të kryej këtë obligim” thotë Sadat Najmi, ndërsa po mbush formularin e regjistrit. Ai është qytetar i SHBA-ve që nga viti 1988, dhe është pikërisht Trump ai që e ka motivuar të regjistrohet për herë të parë.

Sipas aktivistëve, pikërisht retorika e Donald Trump-it mbi ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA ka inkurajuar rreth 300.000 pjestarë të komunitetit musliman që të regjistrohen për votim. Ata shpresojnë që deri në nëntor të këtij viti ky numër të arrijë shifrën prej 1.200.000 votuesish. /tesheshi.com/