“Me të vërtetë sinqeriteti (drejtësia) udhëzon në vepra të mira, ndërsa veprat e mira udhëzojnë në xhenet. Njeriu me siguri do të vazhdojë duke vepruar drejt, derisa të regjistrohet te Zoti njeri i sinqertë. Ndërsa me të vërtetë gënjeshtra udhëzon në vepra të këqija, kurse veprat e këqija udhëzojnë në xhehenem. Njeriu me siguri do të vazhdojë duke gënjyer deri sa të regjistrohet edhe te Zoti njeri gënjeshtar.” (Transmeton Buhariu)
Allahu i Madhërishëm ka veçuar kohë të caktuara, në të cilat besimtarët duhet të përkushtohen me adhurime të caktuara, sepse vlera e tyre është mjaft e madhe. Shembuj të tillë janë të shumtë, si: agjërimi i ditës së Arafatit, ditës së Ashurasë, gjashtë ditëve të shevalit, ditëve të bardha të çdo muaji, ditëve të hëna dhe të enjte, pastaj, veçimi i netëve të fundit të ramazanit për ibadet, veçimi i muajit të ramazanit, veçimi i ditës së xhuma etj.
Mirëpo, Allahu xh.sh., asnjëherë nuk ka caktuar ditë, apo momente, në të cilat lejohen mëkatet.
Krijuesi kërkon prej njeriut që gjithherë të jetë i drejtë, të dëshmojë të vërtetën.
Muhamedi a.s. ka qenë njeri i drejtë dhe i sinqertë. Gënjeshtra nuk ka qenë cilësi e tij asnjëherë, as para shpalljes e as pas saj. Në kohën para shpalljes, populli i Mekës i dhanë epitetin “El-Emin” që donë të thotë: “Besniku – i Sinqerti”. Për këtë arsye, Herakliu, mbreti i Romës, kur e pyeti Ebu Sufjanin disa gjëra në lidhje me Muhamedin a.s., ndër të tjera i tha: “A e keni akuzuar atë ndonjëherë me gënjeshtër para se ta thotë atë që thotë tani (se është i dërguar i Allahut)? Ebu Sufjani tha: Jo. Atëherë Herakliu tha:
“Nuk ka mundësi që ai të mos gënjejë për njerëzit e pastaj të gënjejë për Allahun.”
Muhamedi a.s. na njofton se gënjeshtra është njëra nga shenjat e hipokritit (munafikut), duke thënë:
“Shenjat e munafikut janë tre vepra: kur të flet të gënjen, kur të premton ta thyen premtimin dhe kur t’i besosh të tradhton”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
Ndërkaq, poqëse hulumtojmë në fjalorët e gjuhës shqipe, gjejmë se gënjeshtra definohet si: fjalë a pohim që fsheh me qëllim të vërtetën. (Fjalor i gjuhës shqipe, Tiranë, 2006, faqe 312).
Pra, na del se është një cilësi, që njeriu duke u pajisur me të, arrin ta degradojë vetveten dhe të rreshtohet në radhën e hipokritëve.
Muhamedi a.s. në mënyrë kategorike ishte i vendosur në luftimin e kësaj dukurie të ligë e qyqare.
Transmetohet prej Aishes r.a., nënës së besimtarëve, e cila thotë:
“Asnjë veti nuk ka qenë më e urrej¬tur për Pejgamberin a.s., sesa gë-njeshtra; sa e merrte vesh se dikush posedon diç prej saj, e nxirrte prej zemre, derisa e merrte vesh se ishte penduar.” (Transmeton Ahmedi).
Njëherë Pejgamberi a.s. është pyetur:
“A mund të jetë besimtari frikacak?” Tha: “Po!” I thanë: “A mund të jetë besimtari koprrac?” Tha: “Po!” I thanë:“A mund të jetë besimtari gënjeshtar?” Tha: “Jo!” (Transmeton Maliku).
Në pyetjet e shtruara, se besimtari a mund të jetë frikacak apo koprrac, Muhamedi a.s. e pohoi, sepse njeriu mund të ndikohet nga rrethana të caktuara dhe të pajiset me këto veti, mirëpo besimtari pavarësisht rrethanave, asnjëherë nuk e lejon veten që të gënjejë.
Në anën tjetër, Muhamedi a.s. ishte mjaft vigjilentë në njoftimin e shokëve të tij, në lidhje me gjërat nga të cilat duhet larguar.
Transmetohet prej Abdullah bin Amirit, i cili thotë:
“Më thirri një ditë nëna ime, ndërkaq Pejgamberi ishte ulur në shtëpinë tonë, dhe më tha: “Eja të të jap diçka.”Pej¬gamberi a.s. i tha: “Çka deshe t’i japësh?” Tha: “Desha t’i jap hurme.” Pejgamberi a.s. i tha: “Sikur mos t’i kishe dhënë asgjë, do të shkruhej një gënjeshtër!” (Transmeton Ebu Davudi).
Njëkohësisht, apelonte për ndërprerjen e gënjeshtrës, qoftë edhe gjatë shakasë. I përgëzonte ata që ndërpresin gënjeshtrën gjatë shakasë, dukë thënë:
“Unë ia garantoj një shtëpi në mes të Xhenetit atij që edhe në shaka e lë rrenën.” (Transmeton Bejhekiu).
Ndërkaq në lidhje me pasojat që tërheq pas vete gënjeshtra, Muhamedi a.s. paralajmëronte se në zemrën e besimtarit, njëkohësisht imani dhe gënjeshtra nuk mund të zënë vend.
Muhamedi a.s thotë:
“Nuk do ta ketë njeriu besi¬min e plotë, derisa nuk e lë rrenën në shaka dhe në zënka, edhe nëse është korrekt.”(Transmeton Ahmedi).
Gjithashtu thotë:
”Rrena e njeriut e largon nga ai melekun një milje, nga qelbësia e asaj që ka bërë.” (Transmeton Tirmidhiu).
Muhamedi a.s. paralajmëroi Umetin e tij për katastrofën që mund ta shkaktojë gënjeshtra. Ai bëri një ndërlidhje mes gënjeshtrës, punëve të liga dhe xhehenemit. Në këtë kontekst thotë:
“…me të vërtetë gënjeshtra udhëzon në vepra të këqija, kurse veprat e këqija udhëzojnë në xhehenem…”(Transmeton Buhariu).
Prejardhja e një prillit
Ekzistojnë supozime të ndryshme lidhur me origjinën e kësaj dite. Disa thonë se ajo ka lidhje me kohërat e lashta. Disa të tjerë thonë se fillimi i saj është në Francë në vitin 1564 kur u bë ndërrimi i kalendarit të ri. Deri në atë kohë, muaji i parë i vitit ishte Prilli. Kur u bë ndërrimi i kalendarit, ata të cilët e kundërshtonin një gjë të tillë binin pre e gënjeshtrave dhe talljeve të ndryshme.
Disa e quajnë këtë ditë: “Mashtrimi i Prillit” dhe ky emërtim ka një histori:
Në kohën kur muslimanët sundonin Spanjën, ata ishin një superfuqi që nuk thyhej dot. Krishterët evropianë mundoheshin ta zhduknin Islamin nga faqja e dheut. U munduan të ndalin zgjerimin islam në Spanjë por kot, provuan disa herë por nuk patën sukses.
Atëherë, ata dërguan spiunë që të zbulojnë sekretin e kësaj fuqie të pathyeshme. Ata vërejtën se praktikimi i mirë i fesë ishte sekreti i fuqisë së tyre. Pasi zbuluan këtë sekret, filluan të mendojnë rreth një strategjie, e cila do të thyente këtë forcë, andaj dërguan në Spanjë alkool falas.
Kjo strategji dha rezultatet e saj. Imani i muslimanëve filloi të dobësohej, e sidomos në mesin e të rinjve. Si rezultat i kësaj, katolikët nënshtruan tërë Spanjën duke i dhënë fund kështu sundimit të muslimanëve në këtë vend. Më datën 1 Prill ra Granada – fortifikata e fundit e muslimanëve, ata e quajtën këtë ditë: “Mashtrimi i Prillit” dhe vazhdojnë ta festojnë atë ditë prej asaj kohe.
Sipas mendimeve të lartcekura, origjina e kësaj dite del të jetë e panjohur, dhe si e tillë nuk ka vend te muslimanët, e aq më tepër besimtari nuk duhet ta kultivojë një traditë, e cila bie ndesh me parimet e mirëfillta islame.