Mustafa: Nuk votojmë për president të Serbisë

Partia Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, e drejtuar nga Ragmi Mustafa, definitivisht ka vendosur që t’i bojkotojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, të cilat mbahen më 6 maj në Serbi.

Ragmi Mustafa, ka thënë se pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi do të ishte një mundësi më e madhe që Beogradi të fitojë përkrahjen evropiane. Për këtë, ai ka thënë se partia të cilën e udhëheq ka vendosur që t’i bojkotojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, duke marrë pjesë vetëm në ato lokale.
“Qëndrimi i PDSH-së ka qenë i qartë së nuk do të marrim pjesë asnjëherë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi, e as nuk do të kërkojmë që elektorati ynë ta mbështes këtë apo atë kandidat për president, ndërsa në zgjedhjet lokale gjithmonë kemi marrë pjesë që nga themelimi”, ka thënë Ragmi Mustafa, kryetar i kësaj partie, njëherësh kryetar i Komunës së Preshevës.
Ai beson se më 6 maj, qytetarët e Preshevës do ta vlerësojnë punën e tij, duke votuar për PDSH-në. “Gjatë fushatës kemi pasur tubime shumë masive në krahasim me partitë e tjera dhe padyshim se do të fitojmë, pasi jemi më të mirët”, ka thënë Mustafa./BS/kohaislame

Artikulli paraprakNDIHMOJNË AMSERA REKËN
Artikulli vijuesZbardhen emrat e pesë të akuzuarve për vrasjen në Smilkovc