Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe ministren e Tregëtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kanë inauguruar laboratorin e kontrollit të cilësisë së produkteve farmaceutike në Agjencinë e Kosovës për Pajisje dhe Produkte Medicinale.
Mustafa ka thënë edhe njëherë se shëndetësia do të mbetet prioritet i Qeverisë së Kosvoës.
“Sot ne po bëjmë inaugurimin e këtij laboratori i cili është i certifikuar dhe i pajisur mirë dhe para së gjithash ka ekspertë dhe specialistë që i nevojiten dhe të cilët do të përdorin dijen dhe ekspertizën e tyre në përdorimin e pajisjeve të cilat janë këtu të nivelit të fundit të teknologjisë, me një zotim edhe të Ministrisë edhe të Qeverisë së Kosovës që ne do të përkrahim më tutje. Dëshirojmë që shfrytëzimi i barnave për qytetarët tanë të jetë i kontrolluar mirë, të jetë i analizuar dhe të jetë i vërtetuar nga organet më kompetente të Republikës së Kosovës”, ka thënë i pari i ekzekutivit.
Edhe ministri Rrahmani ka folur për përkushtimin e qeverisë për projekte të tilla.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Pajisje dhe Produkte Medicinale, Jeton Shala, u shpreh i lumtur që angazhimi intensiv i zyrtarëve të laboratorit është vlerësuar nga Agjencia e Akredimit të Kosovës, të cilët me certifikimin e laboratorit, kanë vërtetuar se janë përmbushur të gjitha kërkesat dhe rekomandimet për plotësimin e standardit ISO 17025.
Gjithashtu ai ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkrahjen, sidomos në sigurimin e kuadrove, doktor shkence, farmacistë dhe mikrobiolog që të punojnë në ktë laboratorë si dhe ambasadën kroate për dhurimin dhe instalimin gratis të softuerit për laborator me kosto deri 80 mijë euro.kohaislame