Myfti Salih Ferhat Hoxha (1917 – 1995)

Salih Ferhat Hoxha u lind më 18 maj 1917 në një familje me tradita fetare, në katundin Tomin, pranë qytetit Peshkopi, të prefekturës Dibër. Mësimet e para dhe unike i kreu në Internatin e Kastriotit që ishte ndër shkollat më të mira të vendit, krahas Normales së Elbasanit. Gjatë viteve 1932-1939 vazhdoi shkollimin e mesëm dhe profesional pranë Medresesë së Përgjithshme në Tiranë. Siç kujton Imam Vehbi Ismaili në parathënien e poemës kushtuar Profetit Muhammed a.s., nga Salih Ferhat Hoxha, që ai botoi në Qendrën Islamike të Miçigenit, në Shtetet e Bashkuara, Salihu shquhej ndër studentët e maturës.

Kur doli në jetë, hoxha i ri, Salih Ferhati, do të punonte si klerik e mësues besimi në shkollat e qytetit Pogradec, gjatë viteve të luftës dhe, më pas, vitet e para të terrorit antikombëtar dhe antifetar komunist, deri më 1947-48 kur u transferua në Lushnje. Atje, Myftiu fitoi besimin dhe mbështetjen e popullit duke punuar për institucionalizimin e objekteve fetare, me gjithë pengesat nga pushteti lokal dhe zyra klerikale pranë kryeministrisë në Tiranë. Në Lushnje, muslimanë e ortodoksë e thirrnin Salih Ferhatin “Myftiu ynë” dhe do ta kujtonin për shumë kohë me respekt. Më 1956, Kryesia e Komunitetit Musliman e emëroi në Peshkopi, Myfti të Rrethit Dibër, disa vite më vonë, edhe të Matit, me pagën mesatare, në ulje, të një nëpunësi të paguar nga shteti dhe pa asnjë fuqi ligjore të ushtronte detyrën, ndërkohë që objektet dhe pronat fetare administroheshin prej këshillave popullore. Kështu, po përgatitej terreni i eliminimit de facto të institucioneve fetare. Në këto kushte, puna e Myftiut mbetej, sa qe e mundur, në kualifikimin e imamëve të fshatrave dhe ndihmat e popullit për mirëmbajtjen e xhamive. Kjo do të bënte që Myftiu i ri të ndeshej që në fillim me organet e pushtetit kur filloi përgatitjet në meremetimin e brendshëm, arkitektural të xhamisë së qytetit Peshkopi dhe rindërtimin e minareve në fshatrat Dohoshisht e Bardhaj Reç, si objekte historike të rrethit. Kryerja me sukses e këtyre punimeve, me ndihmën bujare të popullit dibran, i dha emër Salih Ferhatit, tek i cili shihej jo vetëm një klerik me autoritet, porse edhe njeri me kulturë të gjithanshme. Ato vite, nisur nga misioni paqtues i fesë, shpesh i ngarkuar prej pushtetit, Myftiu do të merrte pjesë në faljen e gjaqeve. Kjo nuk iu vlerësua ndonjëherë, por ai e vazhdoi këtë mision për shumë kohë me kërkesat e popullit.

Ferhat hoxha

Në fillim të vitit 1967, kur u goditën rëndë familja, traditat, besimet dhe institucionet fetare, Myftiu Salih Ferhati do të kundërshtonte në rrugë ligjore dhe me ballafaqime të hapura dhunimin e lirisë së besimit, të garantuar me kushtetutë, si dhe aktet vandale nëpër objektet fetare e shpirtërore që populli kishte ruajtur brez pas brezi. Ishte një panoramë e zymtë që trondiste shpirtrat e njerëzve dhe i hapte udhë së keqes. Para kësaj situate tepër të vështirë, Myftiu Salih Ferhati zgjodhi nga dy alternativat, atë të Rrugës së Zotit, duke mos u pajtuar me qëndrimet që kompromentonin idealin e vet. Me gjithë ndërhyrjet, presionet dhe kërcënimet, ai nuk pohoi me gojë dhe s’pranoi të merrte pjesë në mbledhjen ku u firmos një deklaratë famëkeqe që pushteti komunist ua imponoi klerikëve për përgënjeshtrimin e fesë. Disa muaj më vonë, Salihu u detyrua të largohej nga puna në ndërmarrjen bujqësore kur drejtuesi i partisë u përpoq ta demaskonte si “fetar të deklaruar që duhej të mbante punën ose ramazanin.” Këto fjalë ishin pikërisht ato që u përdorën si motivacion. Salihu do të tërhiqej në shtëpi dhe nuk do të trokiste për njëzetë e katër vjet në zyrat e pushtetit komunist. Duke iu referuar shembujve të Kuranit të Shenjtë, i Madhi Zot e shpëtoi atë siç shpëtoi Profetin Ibrahim nga zjarri i Nemrudit.

Ndryshimet politike më 1991 dhe rihapja e institucioneve fetare e gjetën Myftiun Salih Ferhat Hoxha në moshë të thyer, me shëndet jo të mirë. Megjithatë, ai do të angazhohej në këto ndryshime për një shoqëri të lirë e demokratike dhe për njohjen e vlerave të vërteta të Islamit në Shqipëri. Me ftesë të një grupi nismëtar në Tiranë për riorganizimin e Komunitetit Musliman, Salih Ferhati u zgjodh Nënkryetar i Kryesisë së këtij komuniteti.

Salih Ferhat Hoxha ndërroi jetë më 4 mars 1995 duke lënë te familja, të afërmit, shokët dhe dashamirët e shumtë kujtimin e prindit, klerikut, atdhetarit dhe personalitetit të kushtuar në Islam.

*   *   *

Salihu ishte bashkëshort, prind dhe familjar i civilizuar, në kuptimin e mirëfilltë islam të humanizmit dhe përgjegjësisë që ka njeriu në jetë. Motivi i tij ishte porosia e Profetit Muhammed a.s.: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos mërzisni!”

Njohës i literaturës arabe dhe teologjisë islame, Myftiu Salih Ferhati e konsideronte studimin aspekt të jetës së përditshme. Kurani, tradita profetike, shkencat, filozofia dhe mistika islame ishin fushat ku Salihu do të studionte e thellohej për më se dyzetë vjet pas periudhës shkollore, aq sa, disa teologë që u takuan e biseduan me të, pas hapjes së vendit, qenë befasuar nga horizonti i gjerë kulturor që ai zotëronte. Myftiu ishte, gjithashtu, hulumtues i një fondi turko-osman të bibliotekës së qytetit Peshkopi dhe lexonte literaturë të ndryshme  e letërsi artistike. Krahas gjuhëve orientale, arabisht, persisht e osmanisht, ai mund të komunikonte edhe në turqisht, anglisht e italisht që pati studiuar në Universitetin e Perugias në Itali.

Salih Ferhati e kaloi pjesën më produktive të jetës gjatë periudhës më të errët të shoqërisë shqiptare, në kushtet e izolimit dhe shkëputjes së plotë nga kultura bashkëkohore islame. Megjithatë, ai i krijoi vetes horizonte të gjera studimi, meditimi e frymëzimi me shqipërimin e Kuranin e Shenjtë, vargjet për Profetin a.s. dhe disa trajtesa e përkthime, të lëna në dorëshkrim. Përsa u përket ideve, dijeve dhe aspiratave që ushqente, Myftiu Salih Ferhati ishte intelektual përparimtar, një iluminist në shekullin e njëzetë. Si klerik, ai qe larg konservatorëve e fanatikëve dhe, këtë, ua dedikonte mësimeve të Kuranit prej nga filloi qytetërimi shumëshekullor i Khalifatit Arab dhe Rilindjes Evropiane.

salih ferhat hoxhaNë parimet dhe idealin e tij, si fetar e udhëheqës shpirtëror, për Myftiun nuk kishte ndarje në kohë e periudha. Ato që ndodhën ishin ngjarjet e kohës, provat dhe vështirësitë e jetës të cilat nuk do të ndryshonin gjë nga jeta private e tij. Ideali i tij fetar ishte ndërgjegja me të cilën u ushqye dhe jetoi deri në fund. Edhe pas 1967 -ës, dera e shtëpisë së Myftiut nuk u mbyll. Pas ngjarjeve tronditëse, në fillim më pak dhe, kohë pas kohe, më shumë njerëz  do të vinin e të këshilloheshin me të. Atyre që kërkonin derman, u jepte këshilla praktike, dikujt që deshte të sqarohej, e sqaronte drejt, pa propagandë. Ndodhi që të ballafaqohej te shtëpia e një komshiu me Haxhi Lleshin dhe elitën partiake të rrethit e ai nuk hezitoi t’u përgjigjej. Ky rast bëri mjaft përshtypje në popull. Vite më pas, kur qe shtruar në spitalin e qytetit, drejtoresha, ish deputete e regjimit, u shpreh se “myftiu na detyroi ta respektonim. . .” Në shtëpi ai ishte ndryshe. Edhe kur dikush e provokonte, qoftë familjar apo i huaj, Salihu dinte të ruante gjakftohtësinë e durimin. Por ai nuk lejonte të shkeleshin rregullat islame në familje dhe djemtë ia vlerësonin këtë dhe e respektonin. Në shtëpinë e tij falej namaz, mbahej ramazan dhe këndohej mevlud si gjithnjë.

Myftiu ishte njeri komunikues, me kategori dhe mosha të ndryshme, i aftë për të tërhequr mendimin e tjetrit dhe për të lënë tek ai një mundësi a shteg të hapur, drejt së mirës dhe në kërkim të së vërtetës. Ishte kjo arsyeja që bashkëbiseduesi, qoftë i ri apo e re në moshë, besimtar apo ateist, njeri me probleme jete apo ndonjë kureshtar, më të shumtën e rasteve do të dëshironte të takohej përsëri me të, si ta kishin lënë bisedën në udhë e sipër. Nga këta, kanë qenë shumë, deri te ndonjë misionar katolik në Peshkopi apo ushtarak  anglez që shërbente si paqeruajtës. Një italian që vinte shpesh për punë në Peshkopi dhe kthehej te Myftiu, pati ndodhur kur ai ndërroi jetë dhe qëndroi natën pranë trupit të tij bashkë me pjesëtarët e familjes dhe hoxhallarët.

Si predikues, Myftiu nuk ishte nga ata që s’dinë fillim e mbarim, por përgatitej dhe përqendrohej në një temë të caktuar, fliste gjithnjë me zë të natyrshëm, sikur po bisedonte sy më sy me çdonjërin nga auditori. Kur ishte fjala për të diskutuar një çështje fetare në rreth më të ngushtë, në shtëpi apo në xhami, përdorte literaturë dhe nuk fliste me hamendje.

Vitet që i mbetën pas rihapjes së fesë, Myftiu Salih Ferhati do të kryente haxhillëkun, pelegrinazhin në Mekë, si një nga detyrat bazë të fesë, por që Zoti ua bëri dhuratë atij dhe shokëve të moshuar të tij kur nuk u pati shkuar ndërmend se mund t’ia arrinin asaj dite. Gjithashtu ai do të merrte pjesë në disa takime dhe forume ndërkombëtare, në kuadrin e bashkëpunimit mes vendeve islame si dhe në atë që u organizua në Vatikan nga papa Gjon Pali i Dytë për dialog mes feve.

Pas vdekjes, bashkia e qytetit Peshkopi e shpalli Myftiun qytetar nderi dhe e dekoroi me medalje patriotizmi në 100 Vjetorin e Pavarësisë. Atje ku jetoi, Myftiu Salih Ferhat Hoxha bëri epokë sepse mbajti gjallë idealin e fesë dhe u bë shembull për të tjerët. Ndërkohë, ai nuk ishte i vetëm. Shumë besimtarë të tjerë do t’i bënin shtëpitë e tyre faltore në adhurimin e Zotit.

Shënim:  Lexuesit e interesuar, mund të regjistrojnë shqipërimin e Kur’anit nga Myfti Salih F. Hoxha dhe një poemë prej tij kushtuar Profetit a.s., në formatet për ebook, në adresën: www.smashwords.com/books/view/474958 dhe  www.smashwords.com/books/view/522507.

K.S. Hoxha,
Nju Jork,  2015

[email protected]

(Islampress)

Artikulli paraprakIbn Hazm El-Endelusi (994 – 1064)
Artikulli vijuesVIDEO – Radhitja e ajeteve Kuranore