Myslimanët në Amerikë para Kristofor Kolombos!

Rebecca FACHNER
Ekzistojnë një varg dëshmi që argumentojnë praninë e myslimanëve në Amerikë, edhe atë të paktën pesë shekuj para Kristofor Kolombos. Ata në Botën e re kishin shkuar nga Spanja dhe Afrika Perëndimore. Dokumentet historike qartë tregojnë se kah mesi i shekullit X, gjatë kohës së halifit emevit Abdurr-Rrahmanit III (929-961), disa myslimanë të Afrikës ishin nisur nga limani spanjoll Delbes (Palos) të cilët lundruan në drejtim të perëndimit – drejtë Oqeanit të errësirës dhe mjegullës. Ata u kthyen pas një kohe të gjatë dhe me mbresa mahnitëse nga një “tokë e çuditshme dhe enigmatike”.
Gjithashtu është e qartë që myslimanët e kanë shoqëruar Kolombon dhe detarët tjerë në udhëtimet e tyre për në Botën e Re.
Fortesa e fundit muslimane në Spanjë, Granada, në duart e kristianëve ra në vitin 1492. Kjo ishte një kohë shumë pak para fillimit të inkuizicionit spanjoll. Për t`i shpëtuar persekutimit, shumë jokrishterë u larguan (nga Andaluzia) apo me dhunë kaluan në katolicizëm. Të paktën dy dokumente vërtetojnë prezencën e myslimanëve në Amerikën Spanjolle para vitit 1550.
Mbreti i Spanjës, Çarlsi V, në vitin 1539 kishte urdhëruar që një numër u madh myslimanë të dënohen me djegie në stekën e drunjve, të cilët kishin dëshiruar të emigronin në Indinë Perëndimore. Ky dokument u ratifikua përsëri në vitin 1543 dhe kështu urdhri për largimin e të gjithë myslimanëve nga zonat spanjolle përsëri erdhi në fuqi. Ekzistojnë dëshmi të shumta për vajtjen e myslimanëve në Amerikë. Ato përmblidhen në shënimet që vijojnë:

Dokumente Historike
Historiani dhe gjeografi mysliman Abul-Hasan Ali El-Masudi, në librin e tij ‘Muruxh Edh-dheheb ve Ma’adin el-Xheuhar’ (Kërkimet për Flori dhe Gurë të Çmuar) ka shkruar se gjatë kohës së halifit mysliman të Spanjës, Abdullah Ibn Muhamed (888-912), një lundërtar mysliman i quajtur Hashhash Ibn Saed Ibn Asuad nga Kordova (Spanjë), në vitin 889 lundroi nga Delba (Palos). Ai kaloi Atlantikun, dhe arriti në një tokë të panjohur (Erd Mexh’huula) dhe u kthye që andej më thesare të shumta. Në hartën e botës të El-Masudit është edhe një zonë e gjerë në ‘Oqeanin e errësirës dhe mjegullës’ (Oqeani Atlantik) e cila konsiderohet si tokë e panjohur (Amerika). Historiani mysliman, Abu Bakr Ibn Umar El-Gutij, përshkruan udhëtimin e Ibn Farukut (nga Granada) i cili në shkurt të vitit 999 prej Kadeshit lundroi nëpër Atlantik. Umar el-Gutij tregon se këtë lundrim Ibn Faruku e kishte bërë gjatë halifatit të Hishamit II (976-1009). Ai kishte arrit në Gando (Ishujt Kanare) ku kishte vizituar mbretin Guanariga. Ai më pas kishte vazhduar nëpër Atlantik në drejtim të perëndimit, ku kishte zbulua dy ishuj, të cilët i emërtoi; Kapraria dhe Pluitana. Ibn Faruku në Spanjë ishte kthyer në Maj të vitit 999.
Kristofor Kolombo lundroi nga Palosi (Delba), Spanjë. Ai u nis për në Gomera (Ishujt Kanare) – Gomera është një fjalë Arabe që do të thotë ‘urë e vogël e zjarrtë’. Ai atje ishte dashurua me Beatriz Bobadillen, e bija e kapitenit të parë të ishullit (mbiemri i saj Bobadilla rrjedh nga emri arab Islamik Abu-Abdilla). Sidoqoftë, klani i Bobadillave nuk mund të injorohej lehtë. Një tjetër Bobadilla (Françisko), i cili më vonë u bë këshilltar mbretëror, arrestoi Kolombon dhe atë e transferoi nga Santo Domingoja mbrapa në Spanjë (Nëntor, 1500). Familja Bobadilla kishte lidhje fisnore me dinastinë Abbadid të Seviljes (1031-1091). Më 12 Tetor të viti 1492, Kolombo zbriti në një ishull të vogël në Bahama që nga banoret e tij quhej Guanahani. Këtë ishull Kollombo e quajti San Salvador. Megjithatë, fjala Guanahani e ka origjinën e saj nga Mandinka dhe fjala arabe Guana (Ihuana) do të thotë ‘vëllezërit’ dhe Hani është një emër arab. Pra, emri origjinal i ishullit ka qenë ‘vëllezërit Hani’. Ferdinand Kolombo nga i ati i tij (Kristofor Kolombos), për zezakët e parë në Honduras kishte shkruar: ‘Njerëzit që jetojnë në lindje të Pointe Kavinasit, deri në Kepin e Shpresës së Mirë, janë të zinj.” Në të njëjtën kohë në këtë zonë jetonte një fis mysliman të njohur me emrin Almami. Në mandinka dhe në gjuhën arabe, almami do të thotë “El-Imam” apo “El-Imamu” personi që drejton faljen, apo në disa raste, kryetari i komunitetit apo dhe anëtar i komunitetit mysliman (Imami).
Një historian tjetër i mirënjohur Amerikan, i quajtur Leo Viner i Universitetit të Harvardit, në librin e tij “Afrika dhe Zbulimi i Amerikës” (v. 1920) shkroi se Kolombo kishte ditur për Mandinket (myslimanë) në Botën e Re, dhe se myslimanët Afrikano-Perëndimorë ishin përhapur përgjatë gjithë Karaibeve qendrore, në territoret Amerikano-Jugore dhe ato Veriore, duke përfshi këtu edhe Kanadanë. Ata bënin tregti dhe vazhdimisht jetonin të përzier me ta; duke u martuar me indianët Irokuis dhe Algonkuine.

Eksplorimet Gjeografike
Gjeografi i madh mysliman. El-Sharif El-Idrisi (1099-1166) në librin e tij të famshëm ‘Nuz’hat el-Mushtahak fi-Ikhtirak el-Afak’ (Ekskursioni i gjatë në kërkim të fundit të horizonteve) kishte shkruar se një grup lundërtarësh nga Lisbona (Portugali) lundroi në Detin e Errësirës dhe Mjegullës (Oqeani Atlantik), në mënyrë që të zbulonin se çfarë ndodhej në të dhe deri ku ishin kufijtë e tij. Më në fund ata arritën në një ishull i cili kishte njerëz dhe begati…. në ditën e katërt, një përkthyes iu drejtua atyre në gjuhën arabe. Librat e historianëve myslimanë – lidhje me këto çështje – përmendin një përshkrim të mirë të dokumentuar të një udhëtimi përmes Detit të Errësirës dhe Mjegullës nga Shejh Zejnudin Ali bin Fad’hel El-Mazandarani. Udhëtimi i tij filloi nga Tarafi (Maroku i Jugut) gjatë kohës së mbretit Abu-Jakup Sidi Jusuf (1286-1307) i gjashtë i dinastisë Marinid, për në Ishullin e gjelbërt në detin e Karaibeve në vitin 1291 (690 h.) Detajet e udhëtimit të tij nëpër oqean përmenden në referencat islamike, dhe një numër i madh i shkollarëve myslimanë janë në dijeni të kësaj ngjarjeje historike.
Historiani mysliman Shihabud-din Abul-Abbas Ahmed bin Fad’hl El-Umari (1300-1384/700-786 h.), në librin e tij të famshëm “Masa’alik el-absaar fi Mama’alik el-amsaar” (Shtigjet e Drites ne Provincat e Mbretërive), në detaje i përshkruan eksplorimet gjeografike përtej detit të errësirës dhe mjegullës. Sulltan Mansa Kankan Musa (1312-1337), gjatë udhëtimit të tij për në haxh në vitin 1324 i informoi ulematë e oborrit mbretëror të Mamluk Bahri Sulltanit (an-Nasir-eddin Muhamed III 1309-1340 në Kairo, se vëllai i tij Sulltan Abu Bekri I (1285-1312) kishte ndërmarrë dy ekspedita në Oqeanin Atlantik. Kur – pas udhëtimit të dytë në vitin 1311 – sulltani nuk u kthye më në Timbuktu, atëherë sulltan i perandorisë u bë i vëllai Mansa Musa.
Kristofor Kolombo dhe shoqëruesit e tij marinarë, spanjollë dhe portugezë, kishin fatin të udhëtonin nëpër Atlantik, edhe atë në një largësi detare prej 24.000 kilometra. Gjithë kjo u realizua vetëm duke iu falënderuar të dhënave gjeografike të myslimanëve, në veçanti hartave të përgatitura nga tregtarët myslimanë. Këtu është me rëndësi të theksojmë hartën e El-Masudit (871-957) që figuron në librin e tij ‘Akhbar ez-Zaman’ (Historia e Botës) i cili bazohet në materiale të mbledhura në Afrikë dhe Azi.
Është e njohur se gjatë udhëtimit të tij të parë transatlantik, Kristofor Kolombo kishte edhe dy kapitenë me origjinë muslimane. Ata ishin: Martin Alonso Pinzo – i cili ishte kapiteni i anijes Pinta, dhe vëllai i tij Vicente Janeks Pinzo – cili ishte kapiteni i anijes Nina. Ata ishin shumë të pasur dhe ekspertë në përgatitjet e anijeve. Këta mjaft mirë e riparuan edhe anijen flamurmbajtëse Santa Maria. Këta ofruan kontribut të madh në organizimin e ekspeditës së Kolombos. Ata i bënë të gjitha këto me shpenzimet e tyre për qëllime tregtie dhe politike. Familja Pinzon kishte lidhje gjaku me Abuzejan Muhamed III (1362-1366), sulltani Marokien i dinastisë Marinid 1196-1456.

Mbishkrime Islamike
Antropologët kanë vërtetuar se Mandinkat, nën këshillat e Mansa Musës, kishin banuar në shumë pjesë të Amerikës Veriore përreth Missisipit dhe lumenjve të tjerë. Në Katër Këndet të Arizonës, shkrimet tregojnë se ata në ketë zonë madje kishin sjellë dhe elefantë nga Afrika. Kolombo në shënimet e tij pranon se ditën e hënë më 21 tetor të vitit 1492 – gjatë lundrimit përreth Gibaras, në veri-lindje të Kubës – në majë të një kodre të bukur, ai kishte vërejt një xhami. Rrenoja xhamish dhe minaresh me mbishkrime nga Kurani janë zbuluar ne Kubë, Meksikë, Teksas dhe Nevadë. Në vitin 1498, gjatë udhëtimit të tij të tretë për në Botën e Re, Kolombo zbarkoi në Trinidad. Më vonë ai vërejti edhe kontinentin e Amerikës se Jugut, ku disa pjesëtarë te ekuipazhit të tij zbriten në breg dhe u takuan me disa vendas. Gratë e atyhit në koka mbanin shami shumëngjyrëshe të punuara nga pambuku. Kolombo vërejti edhe dallimin, se këto shami ishin të ngjashme me ato që i mbanin gratë e Guinesë. Kolombo ato i quajti Almajzars. Almajzar është fjalë arabe e cila do të thotë ‘mbulesë’ dhe ishte një nga veshjet e maureve (spanjollëve myslimanë). Ky lloj i shamive përdorej në Afrikën Perëndimore (Guinea), në Marokë, Spanjë dhe Portugali. Gjatë udhëtimit nëpër këto vise, Kristofor Kolombo kishte shprehë habinë e tij për modestinë e këtyre muslimaneve. Një nga mbretërit spanjollë Hernando Kortez, fustanet e grave indiane i kishte përshkruar si vello të gjata, ndërsa veshjet e burrave si pantallona të shkurtra me një model të ngjashëm me atë të maurëve. Këto lloj të veshmbathjeve (të banorëve të Amerikës së Mesme), Ferdinand Kolombo i konsideroi si ‘veshje të të njëjtit model dhe rrobe sikur shallet që mbanin gratë maurë të Granadës”. Ngjashmëri e njëjtë ekzistonte edhe në varrezat e fëmijëve. Ato iu përngjanin varrezave të muslimanëve të Afrikës Veriore. Dr. Berri Fell nga Universiteti i Harvardit, në librin e tij Saga America – të publikuar në vitin 1980, prezanton disa argumente historiko-shkencore të cilat dëshmojnë mbërritjen e myslimanëve në Botën e Re (në Amerikë). Ai tregon se marinarët myslimanë udhëtimin e tyre për në Amerikë e kishin filluar nga veriu dhe perëndimi i Afrikës, edhe atë shekuj para Kristofor Kolombos. Po ashtu, dr. Fell, zbuloi se aty, më saktësisht në ‘Luginën e Zjarrtë’ ekzistuan edhe shkolla muslimane. Shkolla fetare islame kishin ekzistuar edhe në; Alan Springs, Logomarsino, Kejhol Kanion, Uashu dhe Hikison Summit Pass (Nevada), Mesa Verde (Kolorado), Mimbres Vallej (Meksika e Re) dhe Tipper Canoe (Indiana), të cilat kanë ekzistuar që në vitet 700-800. Nëpër disa shkëmbinj të Amerikës Perëndimore dr. Fell kishte gjetur mjaft tekste, diagrame dhe skema të gdhendura të cilat ishin fragmentet e fundit të një sistemi shkollor. Gjuha e mësimdhënies ishte arabishtja afrikano-veriore, e shkruar me skriptin e vjetër të arabishtes së Kufes. Nëpër ato shkolla kishin mësuar shkrim-lexim, aritmetikë, besim, histori, gjeografi, matematikë, astronomi dhe mjeshtrin e lundrimit.
Gjenerata që rrodhi nga vizitorët mysliman të Amerikës Veriore janë anëtarë të popujve vendas; Irokuis, Algonkuin, Anasazi, Hohokam dhe Olmek. Sot në kontinentin e Amerikës Veriore ekzistojnë 565 toponime vendesh (fshatra, qytete, male, liqene, lumenj, etj.), të cilat kanë rrënjë nga gjuha arabe dhe kultura islame. Prej tyre 484 janë në SHBA dhe 81 në Kanada. Natyrisht, këto emërtime ekzistuan disa shekuj para Kolombos, sipas së cilave i quanin vet vendasit. Disa nga këto emra kishin kuptime të shenjta siç ishin: Meka (në Indiana) me 720 banorë, Tribu Indian Mekah (Uashington), Medina (Idaho) me 2100 banorë, Medina (NY) me 8500 banorë, Medina dhe Hazen (Dakota e Veriut) me 1100 dhe 5000 banorë, Medina (Ohio) me 12.000 banorë, Medina (Tenesi) me 1.100 banorë, Medina (Teksas) me 26.000 banorë, Medina (Ontario) me 1.200 banorë, Mahomet (Illinois) me 3.200 banorë, Mona (Utah) me 1.100 banorë, Arva (Ontario) me 700 banorë, dhe shumë vende tjera. Një studim i kujdesshëm i emrave të fiseve indiane vendase ka nxjerrë në dritë se shumë emra e kanë prejardhjen e tyre nga arabishtja dhe emërtimet muslimane, p.sh. Anasazi, Apache, Arauak, Arikana, Chavin, Cheroke, Cree, Hohokam, Hupa, Hopi, Meka, Mahigan, Nazca, Zulu, Zuni, etj.
Duke u bazuar në argumentet historike, të cilat disa nga ato i theksuam më lartë, disa institucione dhe qarqe muslimane të SHBA-së dhe më gjerë, kishin bërë një thirrje të përgjithshme për të festuar mileniumin e arritjes së myslimanëve në kontinentin e Amerikës (996-1996).

Autorja është
historiane e artit islam dhe e artit krishterë në Amerikën Veriore.

Artikulli paraprakKodi civil dhe moral në Islam
Artikulli vijuesGúsuli (larja e përgjithshme)