Fillon konventa republikane në Klivlend, Ohajo. Një mysliman udhëheq lutjen, Klinton lidhet me Luciferin, Melania Tramp kopjon Mishel Obamën. Konventa e pazakontë nxjerr në pah përçarjet e mëdha brenda partisë.
Konventa. Të hënën përfundimisht ka filluar konventa republikane e cila do të zgjasë deri të enjten kur edhe formalisht Donald Tramp do të pranojë nominimin për president të SHBA-ve. Konventat janë takime ku zakonisht pjesa formale nuk ka aq rëndësi; përkundrazi ata janë rast i mirë për partinë të tregojë unitet, të shpalosë platformën e qeverisjes për të ardhmen dhe të njohë opinionin më të gjerë si me kandidatin ashtu dhe me yjet e rinj të partisë.
Por njëlloj si vetë kandidati republikan, konventa e sivjetme republikane është tejet e pazakontë. Dy ditët e para kanë kaluar me plot momente kontraverse, të çuditshme dhe kaotike. Ja elementet më me interes nga fillimi i konventës republikane:
Mungesa e figurave të njohura republikane. Konventat janë ngjarje ku një herë në katër vjet ku në shenjë uniteti mblidhen të gjithë personazhet e rëndësishme të një partie. Por jo edhe këtë vit. Nga mërria ndaj Trampit në këtë konventë nuk marrin pjesë dy presidentët e fundit republikanë Xhorxh Bush Seniori dhe Juniori, dy kandidatët e fundit republikanë për president Xhon Mekejn dhe Mit Romni, ish kandidatët e njohur Ron e Rend Pol, Xheb Bush e Marko Rubio, si dhe një numër i madh i guvernatorëve, senatorëve e kongresmenëve republikanë. Në vend se të shfaqë unitet, konventa nxjerr në pah një parti republikane më të përçarë se kurrë.
Konflikti me Xhon Kasiç. Më e dhimbshme se të gjitha gjithsesi është mungesa e Xhon Kasiç. Kasiç është guvernatori tejet i popullarizuar republikan i Ohajos, ndërsa vetë konventa mbahet në Klivlend në shteti Ohajo. Është sinjal tejet i keq pra kur në konventë nuk merr pjesë vetë nikoqiri, njeriu që më tepër se kushdo tjetër ka lobuar që konventa të mbahet në Ohajo. Situata është edhe më e keqe kur dihet se Ohajo është shteti kyç për të fituar presidencën: asnjë republikan nuk është bërë president pa fituar në Ohajo.
Tentimi i fundit për të ndalur Trampin. Pas fitores së Trampit në votimet brendapartiake, një grup republikanësh i quajturNeverTrump nuk kanë ndalur tentativat për të nominuar dikë tjetër. Sipas tyre kjo duhej të bëhej me ndryshimin e rregullave në konventë, sipas së cilës delegatët do të lejoheshin të votonin kë të duan, pa marrë parasysh rezultatet e votimeve nëpër shtete. Ky grup ngriti propozimin në konventë, për t’u rrëzuar poshtë menjëherë me votim me zë. Votimi i këtillë ka shkaktuar përplasje brenda në sallën e konventës, me bërtitje e fishkëllima nga të dy palët. Një skenë tjetër kaotike që nuk reflekton unitet.
Melania Tramp kopjon Mishel Obamën. Në ditën e parë të konventës folësja kyçe ishte bashkëshortja e Trampit, Melania Tramp. Megjithëse pati fjalim tejet të mirë, doli se një pjesë e fjalimit të saj ishte kopjuar nga fjalimi i Mishel Obamës nga konventa demokrate e vitit 2008. Në vijim kampanjat e Trampit dhe Klintonit kanë vazhduar betejën nëpër media nëse kopjimi ishte i vërtetë ose jo. Sidoqoftë kjo ishte një lajm i keq për Trampin, sepse tërhoqi vëmendjen nga konventa te krahasimet me Obamën.
Unitet në ditën e dytë. Ndryshe nga e hëna kaotike, të martën republikanët vërtetë kanë shfaqur unitet partiak. Të martën në konventë kanë folur liderët e republikanëve në Kongres si Miç Mekkonell dhe spikeri Pol Rajan, si dhe ish-kandidatët për president Kris Kristi e Ben Karson. Megjithatë mbështetja e tyre për Trampin dukej se është me nuanca. Duket qartë se Mekkonell e Rajan mbështesin Trampin vetëm deklarativisht, nga zorri, përderisa mbështetja e Kristit e Karsonit është e sinqertë dhe e plotë.
Karson, Klinton dhe Luciferi. Një moment absurd ka qenë fjalimi i Ben Karson, i mbushur plot me akuza për Klintonin dhe demokratët. Ndër të tjera Karson tha se Klinto adhuron autorin dhe aktivistin Saul Alinski, për të cilin kishte shkruar edhe temën e diplomimit. Por Alinski kontravers në librin e tij të njohur “Rregulla për radikalët” ndër të tjera ka lavdëruar Satanin-Luciferin.
Cila është e vërteta? Nga njëra anë është e vërtetë se Klinton ka shkruar temën e diplomimit për Alinskin, e ka njohur atë personalisht dhe në përgjithësi ka patur simpati për punën e tij. Është poashtu e vërtetë se Alinski ka patur fjalë të mira për Luciferin, siç dëshmon ky citat: “Mos të harrojmë edhe një njohje për radikalin e parë: nga gjithë legjendat, mitet e historitë tona, i pari radikal që u ngrit kundër establishmentit dhe me aq sukses sa të paktën fitoi mbretërinë e tij – Luciferi”.
Nga ana tjetër lidhja e këtillë nga Klintoni te Alinski te Luciferi, siç bëri Karsoni ështëgjithsesi e tepruar.
Një mysliman udhëheq lutjen në konventë. Momenti më absurd i dy ditëve të para padyshim ishte lutja në ditën e dytë të konventës. Ndër folësit e fundit të ditës ishte Saxhid Tarar, themelues i grupit “Myslimanët për Trampin”. Fjalimin e vet Tarar e përfundoi me lutje, duke thënë ndër të tjera: “Le t’i lutemi Zotit të na bëjë të fortë në luftën kundër terrorizmit në mbarë botën. Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, ka thënë se ne jemi si copa mishi të një trupi. Nëse është i mirë e tëra është e mirë; nëse nuk është i gjithë trupi është i prishur”.
Duke marrë parasysh retorikën anti-islame të Trampit dhe një pjese të mirë të partisë republikane, fjalimi i këtillë është pritur paksa me tension. Një delegat madje është çuar dhe ka bërtitur se kjo është një abominim, por menjëherë është heshtur dhe larguar nga salla nga delegatët tjerë. Një pjesë e mirë e delegatëve kanë mirëpritur dhe aplauduar fjalimin e Tararit.
Dy ditët tjera të konventës. Të mërkurën folës kyç në konventë do të jenë Ted Kruz i cili akoma nuk e ka mbështetur Trampin dhe kandidati për nënkryetar Majk Pens. Të enjten edhe zyrtarisht foltoren e merr Trampi ku do të pranojë nominimin.