Namazi i natës

Namazi i natës

Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i braktisin shtretërit e tyre dhe i luten Zotit të tyre nga frika dhe shpresa, ndërsa ndajnë një pjesë nga ajo që Ne u japim”. (Es Sexhde, 16), ndërsa pas kësaj shton: “Dhe askush prej tyre nuk di çfarë kënaqësi, të fshehura prej tyre, i presin si shpërblim për veprat e tyre”. (Es Sexhde, 17).

Duke i përshkruar bëmirësit, Allahu i Madhëruar, në një vend tjetër, thotë: “Natën flinin vetëm pak, dhe para agimit luteshin për faljen e mëkateve”. (Edh Dharijat, 17-18). Nga Katade dhe Muxhahidi transmetohet se kjo do të thotë se gjatë tërë natës, deri në agim nuk flinin, por e kalonin në ibadet. Nga Ibni Abasi transmetohet se lidhur me këtë ka thënë: “U kalonte tërë nata, e të mos i mbyllnin sytë fare”.

Lavdiploti, gjithashtu, thotë: “Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde ose duke qëndruar në këmbë, ruhet nga bota tjetër dhe me shpresë në mëshirën e Zotit të vet”. (Ez Zumer, 9)

Shejhul Islami Ibën Tejmije thotë se shprehja “kanut” këtu nënkupton: vendosmëri në bindje dhe se ai që rrin gjatë në kijam (këmbë), ruku dhe sexhde quhet “kanit”.

Duke i përshkruar ata që vërtet i binden Zotit, Lavdiploti thotë: “…dhe ata që kalojnë netët para Zotit të tyre duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë”.(El Furkan, 64).

Imam Buhariu në “Kaptinën mbi veçoritë e namazit të natës” thekson zingjirin e transmetuesve të hadithit në fund të të cilit ndodhet Abdullah ibn Omeri, e ku thuhet: “Gjatë kohës së Pejgamberit [alejhiselam], ishte një njeri i cili sa herë që shihte ëndërr- ëndrrën ia tregonte Pejgamberit të Allahut [alejhiselam], andaj edhe unë kisha dëshirë të shoh ëndërr dhe t’ia tregoj Pejgamberit të Allahut [alejhiselam]. Kështu njëherë, derisa ende isha fëmijë – gjersa, në kohën e Pejgamberit të Allahut [alejhiselam] flija në xhami – ëndërrova se si dy melekë më dërguan afër Zjarrit i cili mu duk se ishte i murosur si pus dhe se kishte dy shtylla. Në të pashë disa njerëz që i njihja më herët, andaj fillova të recitoj: ‘I mbështetem Allahut nga Zjarri!’ ndërsa një melekë tjetër më pyeti: ‘Çke, përse dukesh i trishtuar?’ Ëndrrën ia tregova Hafsës, kurse Hafsa ia tregoi Pejgamberit [alejhiselam], i cili i tha: “Sa njeri i mirë është Abdullahu, vetëm edhe të ngritet natën dhe të falet!” Pas këtyre fjalëve, ai flinte vetëm një pjesë të shkurtër të natës”.

Argument tjetër që namazi i natës është i zgjedhur janë fjalët e Pejgamberit [alejhiselam]: “Sa njeri i mirë është Abdullahu, vetëm edhe të ngritet natën e të falet!?”, ngase me fjalët e tij: “Sa njeri i mirë…” nënkuptohet ai që natën ngritet dhe falet. Porosia tjetër e këtij hadithi është që namazi i natës largon fatkeqësinë.

Në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra [radijallahu anhu] thuhet se Pejgamberi i Allahut [alejhiselam] ka thënë: “Pas namazeve të përcaktuara (dmth. farz), namazi më i mirë është ai i natës”.

Nga Ali ibn Ebi Talib [radijallahu anhu] transmetohet se atij, Fatimes, bijës së Pejgamberit, Pejgamberi I Allahut një natë u kishte trokitur në derë dhe kishte pyetur: “A nuk po faleni?” – e unë u përgjigja: ‘O i Dërguar i Allahut, shpirtërat tonë janë në dorën e Allahut dhe ai i ringjallë (d.m.th. zgjon) kur Ai do’ – kur e thashë këtë, Ai shkoi pa më thënë gjë. Pas pak e dëgjova se si, në largim e sipër, duke goditur vetën në ije, deklaroi: ‘…mirëpo njeriu, më shumë se çdokush tjetër, është i gatshëm të kontestojë’ (El Kehf,54).

Ibn Betali thotë: ‘Edhe ky rast është argument sa është i respektuar namazi i natës dhe sa është lëvdëruar zgjuarja e anëtarëve të familjes për kryerjen e tij”.

Et Taberi lidhur me këtë rast deklaron: “Sikur i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ve selem] të mos e kishte zgjedhjen e namazit të natës, ai me siguri nuk do të shqetësonte bijën e vet dhe Aliu [radijallahu anhuma], posaçërisht në kohën të cilën Allahu krijesave të Tij ia ka caktuar për pushim. Mirëpo, ai për ta e ka zgjedhur atë që për ta është më mirë”.

SI E KRYENTE PEJGAMBERI [alejhiselam] NAMAZIN E NATËS

Gjatësia e namazit të natës:

Nga Abdullah ibn Mesudi [radijallahu anhu] transmetohet të ketë thënë: “Isha duke u falur me të Dërguarin e Allahut [salallahu alejhi ve selem] namazin e natës, dhe ai qëndroi aq gjatë në kijam sa më shkoi ndër mend të bëj diç që nuk është e mirë”. Kur e pyetën: ‘Po çka kishe ndërmend të bëje?’- ai u përgjigj: ‘Kisha ndërmend të ulem, e që Pejgamberin [alejhiselam] ta lë vetëm (në kijam)’. El Hafizi thotë: ‘ Në këtë hadith ka argument që Pejgamberi [alejhiselam] është pëckatuar për zgjatjen e namazit të natës. Ibën Mesudi atëherë ishte i fortë dhe ishte i përkushtuar në pasimin e Pejgamberit [alejhiselam] dhe me siguri nuk do t’i shkonte ndër mend të iket, sikur Pejgamberi [alejhiselam] të mos kishte qëndruar jashtëzakonisht gjatë kijamit. Mirëpo, shumë sahabë, si dhe të tjerë pas tyre, konsiderojnë se më mirë gjatë namazit të bëhen sa më shumë ruku dhe sexhde.

Në këtë aspekt, në hadithin të cilin e transmeton Sevbani, ndërsa e shënon Muslimi, thuhet se Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: “ Në veprat më të mira bën pjesë që të bëhet sa më shumë sexhde”. Prandaj kjo, me gjasë, varet prej njeriut dhe nga rasti në rast. Muslimi në përmbledhjen e tij shënon hadithin të cilin e rrëfen Huzejfe e në të cilin thuhet se një natë gjërsa e falte namazin e natës Pejgamberi [alejhiselam], ai në një rekat i kishte recituar tri suret më të gjata (El Bekare, Ali Imran dhe En Nisa) dhe sa herë që vinte në ajetin ku madhërohet Zoti e madhëronte, sa herë që vinte në ajetin ku lutet për diç, i lutej Allahut dhe sa herë që vinte në ajet në të cilin kërkohet mbrojtja e Allahut, kërkonte mbrojtje nga Allahu, dhe në ruku qëndronte sa në këmbë, sërish drejtohej dhe qëndronte këmbë sa edhe i përkulur në ruku, e mandej binte në sexhde dhe ashtu qëndronte sa edhe në këmbë, e për këtë nevojitet së paku dy orë.

Këtë natë Pejgamberi mbase e kishte kaluar tërë natën në namaz? Sa i përket netëve të tjera, sipas rrëfimit të Aishes, ai në namaz të natës zakonisht i kalonte rreth një të tretën e natës”.

Si dhe sa netë i kalonte Pejgamberi [alejhiselam] në namaz?

Nga Abdullah ibn Omeri [radijallahu anhu] transmetohet të ketë thënë: “Një njeri e kishte pyetur Pejgamberin [alejhiselam] si falet namazi i natës, dhe ky i kishte thënë: “Dy nga dy (rekate), po nëse ke frikë se do të arrijë mëngjesi, atëherë fale së paku një rekat!”.

El Hafidhi në El Fet’hu thotë: ‘Sa i përket hadithit të cilin e rrëfen Ibni Omeri, më së miri është që ithtarët t’i përmbahen atij, ngase kjo është përgjigje në pyetje konkrete’.

Nga Aishja [radijallahu anha] transmetohet të ketë thënë: ‘Pejgamberi [alejhiselam] natën falte trembëdhjet (13) rekate, prej të cilëve një rekat të vitr – namazit dhe dy rekate të mëngjesit’.

Në përmbledhjet sahih nga Buhariu dhe Muslimi, nga ajo gjithashtu transmetohet të ketë thënë: ‘Ndërmjet jacisë dhe namazit të sabahut, Pejgamberi [alejhiselam] falte edhe nga njëmbëdhjet (11) rekate, me ç’rast në çdo dy rekate, ka dhënë selam dhe në fund ka falur vitr namaz me një rekat’.

Në ç’kohë Pejgamberi [alejhiselam] zgjohej për namazin e natës?

Nga Enesi [radijallahu anhu] transmetohet të ketë thënë: ‘Pejgamberi i Allahut gjatë muajit hante aq sa mund të mendohej se (kurrë) nuk agjëron dhe agjëronte aq sa mund të mendohej se nuk do të prish kurrë. Kur natën mendoje se nuk falet, do ta gjeje duke u falur, e kur mendohej se nuk flinte, mund ta takoje duke fjetur’.

El Hafidhi në El Fet’hu thotë: ‘Nga Pejgamberi [alejhiselam] është vërtetuar se ai është falur edhe në fillim edhe në fund të natës. Mirëpo, në hadithin të cilin e transmeton Abdullah bin Amri bin el Asi, Pejgamberi [alejhiselam] ka bërë me dije cili namaz është më i pranuari te Allahu i Madhëruar, me fjalët: “Për Allahun namazi më i pranuar është namazi të cilin e ka falur Davudi [alejhiselam]. Për Allahun agjërimi më i pranuar është agjërimi i Davudit [alejhiselam]. Ai flinte gjysmën e natës, një të tretën e kalonte në namaz dhe sërish flinte në pjesën e fundit dhe një ditë agjëronte, ditën tjetër hante”.

El Muhelebi thotë: ‘Davudi [alejhiselam] binte dhe flinte në fillim të natës. Pastaj, në kohën kur Allahu pyet: “A ka kush kërkon diç, që t’ia jap?”, zgjohej dhe falej. Mandej binte sa është e nevojshme për të pushuar nga lodhja nga namazi i natës në pjesën tjetër të natës. Ky është gjumi në kohën e sehurit. Kjo mënyrë e kryerjes së namazit të natës ishte e preferuar ngase i jepet vrull shpirtit dhe eliminohet mërzia eventuale. Pejgamberi i Allahut [salallahu alejhi ve selem] lidhur me këtë ka thënë: “Allahut nuk do ti mërzitet gjersa juve të mos u mërzitet”. Prandaj, Allahu [subhanehu ve teala] dëshiron që me mëshirën e Tij ta lëshoj sa më gjatë dhe mirësinë e Tij ta derdhë sa më shumë. Mënyra e sipërshënuar e kryerjes së namazit të natës është më e lehtë, ngase gjumi i shkurtër pas namazit të natës e pushon trupin, eliminon dëmin e pagjumësisë dhe plogështinë e trupit, për dallim nga pagjumësia deri në mëngjes. Njeriu kështu namazin e mëngjesit e pret i pushuar ashtu që atij dhe obligimeve tjera ditore mund t’i qaset me përkushtim dhe në mënyrë active. Pos kësaj, kjo është mënyra më e mirë të largohet mendjemadhësia, ngase gjumi në pjesën e fundit të natës e rikthen freskinë e fytyrës dhe vitalitetin e trupit, e kjo njeriut i mundëson që para tjerëve të fshehë si e ka kaluar natën. Për këtë bën fjalë ibn Dekik el ‘Idi’.

Në çfarë dispozite bën pjesë namazi i natës?

Ibën Abdulberi thotë: ‘Disa tabi’inë të rallë konsideronin se namazi i natës është obligim (vaxhib) madje sa është e nevojshme që të mjelet një dele’. Mirëpo, dijetarët islam janë të mendimit se ai është i lavdëruar (mendub). Et Tirmidhi nga Is’hak b. Rehevejhu thekson të ketë thënë: ‘Namazi i natës është namaz i atyre që shoqërohen me Kur`anin’. Një mendim i tillë transmetohet edhe nga el Hasani. Me gjasë ky edhe është mendimi më i drejtë. As në te nuk ka deklarim të pamohueshëm mbi obligimin e namazit të natës.

Faktorët lehtësues për kryerjen e namazit të natës

Dije se kryerja e rregullt e namazit të natës është jashtëzakonisht e vështirë dhe e mundimshme, pos për ata të cilëve këtë ua lehtëson Allahu i madhëruar. Ekzistojnë gjithësejt shtatë faktorë lehtësues për kryerjen e rregullt të namazit të natës, prej të cilëve katër (4) janë me karakter të jashtëm, ndësa tre (3) me karakter të brendëshëm.

Faktorët e jashtëm:

1. Që të mos hahet dhe pihet shumë, ashtu që njeriu të mos i përbalojë gjumit. Në këtë aspect sekush ka thënë me urtësi: ‘Mos hani shumë, e që të detyroheni të pini shumë dhe të fleni shumë!’.

2. Që gjatë ditës të mos lodheni me punët e përditshme të cilat rëndojnë fuqinë fizike dhe psikike të njeriut, meqë njeriu ashtu i lodhur nuk mund t’i përballojë gjumit.

3. Që të mos kapërcehet të fjeturit e shkurtër në orët e pasditës (kajlula), në mënyrë që të përgatitemi për mosfjetje natën dhe kryerjen e namazit të natës.

4. të merret parasysh që gjatë ditës të gabohet sa më pak, ngase gabimet e topitin zemrën dhe pengon mëshirën të bjerë mbi te.

Edhe sundimtarët në këtë botë, vetëm atyre që janë krejtësisht të sinqert, të bindur dhe besnikë u lejojnë të qëndrojnë me tad he privatisht të shoqërohen e bisedojnë me te.

Transmetohet se disa njerëz i ishin ankuar Ibn Mesudit [radijallahu anhu] se nuk mund të durojnë kryerjen e rregullt të namazit të natës, andaj ky u tha: ‘Prej tij ju largojnë mëkatet (tuaja)’.

El Hasanit, gjithashtu, një njeri i ishte ankuar duke i thënë: ‘Nuk mund ta duroj namazin e natës, andaj më përshkruaj një ilaç!’ – ndësa ky i tha: ‘Mos u bën i padëgjueshëm ndaj Tij (dmth. Allahut) dhe do të të ndihmojë që para Tij të vigjëlosh gjatë tërë natës!’.

Nga Es Sevri rrëfehet të ketë thënë: ‘Për shkak të një mëkati që e kisha bërë, pesë muaj nuk ka mundur ta kryej namazin e natës’.

Nga El Hasni, Allahu e mëshiroftë, transmetohet se kur shkonte në treg dhe dëgjonte ç’flitet aty – zakonisht deklaronte: ‘Mendoj se këta kanë pasur netë të vështira dhe të këqija’. Të gjitha llojet e mëkatit në një mënyrë nxitin ashpërsinë e zemrës dhe largojnë nga kryerja e rregullt e namazit të natës, ndonëse sipas forcës së ndikimit, posaçërisht dallohet kafshata haram. Për dallim nga ky, kafshata hallall, si pak çka tjetër, e pastron zemrën dhe e nxitë për mirë. Këtë më së miri e dinë ata që e përcjellin dhe kontrollojnë zemrën e vet, ngase në këtë janë bindur praktikë, e cila është e bazuar në Sheriat. Prandaj dikush prej tyre, me të drejtë vëren: ‘Sa shumë ka kafshata për shkak të të cilave lëshohet namazi i natës! Sa shumë janë shikimet për shkak të të cilëve nuk recitohet Kur`ani! Njeriu nganjëherë për shkak të kafshatës haram ose veprës së pahishme nuk mund ta kryej sunnetin (dmth. Namazin e natës)’.

Faktorët e brendëshëm:

1. Pastërtia e zemrës dhe mosprishja e saj me risi, urrejtja ndaj muslimanëve dhe kurreshtjet e panevojshme lidhur me këtë botë. Kjo e fundit, ngase ai që është i preokupuar me problemet e kësaj bote, nuk arrin të zgjohet natën, e nëse edhe zgjohet, nuk mendon për namazin, por për brengat dhe punët e kësaj bote, duke bredhur nëpër mendimet e tij mëkatare.

2. Frika nga mëkati dhe frika nga vdekja, e mbajnë zemrën gjithnjë zgjuar,ashtu që njeriu – sapo e kujton humnerën e zjarrit të Xhehennemit dhe tmerreve të Ditës së Gjykimit – sakaq i del gjumi. Në këtë kuptim nga Abdullah ibn Revaha transmetohet të ketë thënë: ‘kur robit të Allahut i përmendet Xhenneti, ofshan gjatë për bukuritë e tij, e kur i përmendet Xhehennemi, sakaq i prishet gjumi’.

3. Të kuptuarit e vlerës së namazit të natës nga njeriu, ashtu siç flitet për te në hadithet e sipërshënuara dhe traditën, është i domosdoshëm edhe për atë që të zgjohet shpresa dhe dëshira për shpërblim, e kur kjo të arrihet, tek ai do të shtohet dëshira për pozitë më të lartë në Xhennet.

Ç’thotë tradita lidhur me namazin e natës?

Nga ibn el Munkediri transmetohet të ketë thënë: ‘Nga ëmbëlsirat e kësaj bote kanë mbetur vetëm tri: namazi i natës, takimi me vëllezërit nga feja dhe namazi me xhemat’.

Nga Ebu Sulejmani transmetohet të ketë thënë: ‘Namazi i natës për ata që e kryejnë është më i ëmbël së argëtimi i natës për ata që e kalojnë natën në të. Sikur të mos ishte nata dhe namazi i natës, në këtë botë nuk do të dëshiroj ta jetoja as edhe një çast’. Ibn Mesudi [radijallahu anhu] – kur binte nata dhe njerëzit flenin – zgjohej dhe fillonte dhe të recitojë ashtu që zëri i tij dëgjohej, si zukama e bletës, deri në mëngjes.

Artikulli paraprakA ke dhuruar akoma sadaka për trupin tënd?
Artikulli vijuesTeoria e Ajnshtajnit dhe Kurani